INTERVISTA/ Klevis Dalipi: Me Kukësin, ndeshje e sezonit me rëndësi vetëm sa i përket vendit për Ligën e Kampioneve

502
Nga Agron KAJA
Për ndeshjen e sotme në Kukës, flet për “Telegraf” trajneri i Partizanit, ja vlerësimi i tij për sfidën e javës së 29-të
Të shtunën (sot), transferta e Partizanit në Kukës, është një sfidë edhe për Ligën e Kampioneve?
Për vetë pozitat që ne ndodhem në renditje, pas Kukësit, mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë. Sepse Kukësi ka kualitet në përbërjen e tij, e nisur nga kjo arsye, më të drejtë synon vendin e dytë në renditje, që të çon në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. 

Është e gatshme skuadra e Partizanit që ta kalojë me sukses këtë transfertë?
Natyrisht që po, madje skuadra jonë është e plotë për këtë sfidë, dhe ne do të jemi në “Zeqir Ymeri” vetëm për fitore. E dimë vështirësinë që ka kjo përballje, por ne do të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë në këtë ndeshje.

Kësisoj, mos doni të thoni se ju nuk e mendoni barazimin në këtë sfidë?
Unë nuk ve baste për barazimin, dhe nuk i njoh fare ato. Nuk është barazimi synimi ynë, sepse kështu do të dilnim të dështuar nga kjo sfidë, ndaj ne nuk jemi të orientuar nga ky rezultat, sepse nuk na bën punë për objektivin që kemi deri në mbyllje të Kampionatit. 

Në grupin e 18 lojtarëve tuaj janë të gjithë lojtarë cilësorë, cilët do të jenë të besuarit e Dalipit për sfidën në Kukës?
Nëse flasim për formacionin e titullarëve, sinqerisht ju them se nesër (sot_ do ta vendos. Sepse trajneri dhe stafi duhet të bëjnë zgjedhjet e duhura në momentin e duhur, sepse çdo përballje ka të veçantat e saj. Zgjedhjet që do të bëjmë, do të jenë më të mirat për këtë takim.

Kësisoj, duket se Partizani synon vendin e dytë?
Asgjë nuk është mbyllur, për deri sa do të luhen edhe tetë ndeshjet e fundit, dhe në 24 pikët që ato kanë, të gjitha skuadrave u japin të drejtën që të kërkojnë realizimin e synimeve të tyre. Vendi i dytë nuk është larg, një ndeshje direkte me Kukësin nuk mund të vendosë gjithçka.

Dje është dhënë një vendim për Titullin Kampion 2015-2016 që e le Skënderbeut, ju e mendonit një vendim ndryshe?
Partizani është skuadër e madhe dhe nuk kërkon të përfitojë nga gabimet e të tjerëve. Do të ishte normale që për rrethanat në të cilat ju hoq titulli korçarëve, t’i jepej Partizanit të vendit të dytë. Dje drejtësia ka folur për këtë çështje, ndaj komentet e tjera nuk vlejnë shumë.

Po skuadrave të tjera që renditen pas Partizanit në tabelë, i druheni se mos ju marrin krahun?
Duke ju referuar renditjes aktuale, Laçi është më afër, por duke u nisur nga përballja me Luftëtarin nesër (sot), besoj se situata do të ndryshojë në favor të gjirokastritëve, por të dyja këtyre skuadrave nuk druhemi.

Mund të nënkuptojmë se ju jeni të fiksuar vetëm te vendi i dytë?
Të gjitha mundësitë janë. E përmenda më sipër, se Partizani synon vendin e dytë që të çon në Ligën e Kampioneve, dhe për vendet e tjera më poshtë në renditje, nuk ka bërë llogari. Ne do të luftojmë deri në fund të Kampionatit që të renditemi në vendin e dytë.

Këto 8 javë të fundit të këtij Kampionati, mund të thuhet se do të vendosin të ardhmen tuaj në bankinën e Partizanit?
Unë kam besimin e drejtuesve të kësaj skuadre të madhe, dhe këtë e kam quajtur një vlerësim që kërkon më shumë rezultat. Së pari, Partizani do të jetë pjesë e Evropës për sezonin e ardhshëm, ndryshe nuk ka kuptim për mua. Kjo na jep garanci për të ardhmen.
Kukësi ka kualitet në përbërjen e tij, e nisur nga kjo arsye, më të drejtë synon vendin e dytë në renditje, që të çon në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Por, skuadra jonë është e plotë për këtë sfidë, dhe ne do të jemi në “Zeqir Ymeri” vetëm për fitore 
PËRBALLJET DIREKTE
Sezoni 2017-2018 
Java 2/ 18 shtator 2017
Partizani-Kukësi 0-0
Java 11/ 20 nëntor 2017 
Kukësi-Partizani 1-2
Java 20/ 19 shkurt 2018
Partizani-Kukësi 1-3
Java 29/ 14 prill 2018
Kukësi-Partizani ?
BILANCI
Nd 3, F 1, B 1, H 1, G 4:3
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 29-të
Datë 14 prill 2018 
Luftëtari-Laçi 14:00
Lushnja-Flamurtari 14:00
Kukësi-Partizani 14:00
Skënderbeu-Kamza 17:00
Datë 15 prill 2018 
Teuta-Vllaznia 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 28 63
2. Kukësi 28 51
3. Partizani 28 45
4. Laçi 28 42
5. Luftëtari 28 41
6. Flamurtari 28 37
7. Kamza 28 34
8. Vllaznia 28 33
9. Teuta 28 30
10. Lushnja 28 10
Sigal