Flet për “Telegraf” Julian Ahmataj: Ja si e përshkruan Superioren në 32 javët e luajtura
Nga Agron Kaja
Superiorja luajti ndeshjet e javës së 32-të. Cilin nga rezultatet e mendoni si më të veçantin?
Duke qenë se jemi në fundin e garës, të gjitha ndeshjet kanë patur rëndësinë e tyre, ku çdo skuadër tashmë lufton për të arritur synimet e sezonit. Unë veçoj Erzeni-Laçi 1-1, si pikë me vlera për shijaksit, por Laçit mund t’i kushtojë Europën.
Në këtë javë, mendoni se u përcaktua ndonjë pozicion përfundimtar në të gjitha kahjet e renditjes?
Nuk mendoj se kemi pozicione përfundimtare me këtë renditje, madje unë do të thoja edhe për dy skuadrat e fundit, Bylisi e Kastrioti mund të kenë lëvizje deri në fund. Gjithçka është e hapur, sepse ka ende edhe katër javë me 12 pikë të mundshme.
Kjo javë u skuq me 3 kartonë! Çfarë shpreh ky tregues kur jemi në javët e fundit të garës?
Duke qenë se jemi në fundin e garës, normalisht që ka edhe tension, i cili përkthet në luftën sportive që skuadrat tregojnë për arritjen e synimeve të tyre. Kartonët janë pjesë e lojës, por Superiorja në këtë tregues ka qenë më e qetë.
Referuar renditjes aktuale, mendoni se ajo është në raport me atë çka kanë dhënë skuadrat?
Besoj se po. Sepse nëse i referohemi ndeshje pas ndeshje çdo skuadre, gjithçka mbyllet në pikët e fituara. Unë mendoj se, duke qenë edhe katër javë me 20 sfidat e fundit, renditja do të ketë ndryshime në çdo kah të saj.
Në mesjavën e ardhshme luhen ndeshjet e javës së 33-të në Superiore! Mund ta quajmë si javën e derbit Tirana-Partizani?
Patjetër që po, sepse jo vetëm që luajnë dy skuadra të mëdha në futbollin shqiptar, Tirana dhe Partizani, por edhe për faktin se tashmë kreu i renditjes është ngushtuar në 2 pikë. Një fitore e Partizanit e largon Tiranën, barazimi e mban ende pezull titullin kampion.
Edhe katër javë janë për t’u luajtur deri në mbylljen e kampionatit! Ku mendoni se do të ndryshojë renditja?
Vetë formati i Abissnet Superiores e bën edhe më interesante luftën që do të bëjnë të gjitha skuadrat deri në mbylljen e këtij kampionati. Mendoj se pas kreut, edhe te zona, që luftojnë për një vend në Europë, dhe te skuadrat ,që shikojnë play-off-in mund të ketë ndryshime.
Kategoria e Parë i ka përcaktuar të gjitha verdiktet e sezoni! Mendoni se e kanë merituar të gjitha skuadrat?
Edhe këtu mendoj se po zhvillohet një kampionat i fortë dhe agresiv, çka e imponon vetë formati që këtë vit zbret direkt nga kategoria katër skuadra. Këtë javë të fundit do tregohet se ka skuadra që mund ta kenë pësuar për shkak të këtij formati.
Kjo kategori do të luajë ndeshjen e fundit! Mund të ketë ndonjë lëvizje në renditje?
Nuk besoj për ndonjë lëvizje, sepse duke ju referuar pozicioneve që kanë skuadrat në renditjen e javës së 25-të, nuk mund të ndryshojnë nga çdo rezultat. Diçka e komplikuar mbetet te zona e skuadrave që do luajnë play-off për në Superiore.
“Nuk mendoj se kemi pozicione përfundimtare me këtë renditje, madje unë do të thoja edhe për dy skuadrat e fundit, Bylisi e Kastrioti mund të ketë lëvizje. Gjithçka është e hapur, sepse ka ende edhe katër javë me 12 pikë të mundshme.”

ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 32-të
Të mërkurën, datë 17 maj 2023
Erzeni-Bylis 15:00
Vllaznia-Teuta 15:00
Kastrioti-Egnatia 15:00
Kukësi-Laçi 15:00
Tirana-Partizani 18:30
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Tirana 32 59
2.Partizani 32 57
3.Egnatia 32 49
4.Laçi 32 44
5.Vllaznia 32 43
6.Teuta 32 42
7.Erzeni 32 39
8.Kukësi 32 37
9.Bylis 32 33
10.Kastrioti 32 32
Kategoria e parë
Ndeshjet-Java e 25-të
Të dielën, datë 13 maj 2023
Luzi-Dinamo 16:00
Tërbuni-Oriku (Afr.) 0-3
Lushnja-Skënderbeu 16:00
Besa-Burreli 16:00
Turbina-Tomori 16:00
Korabi-Besëlidhja 16:00
Flamurtari-Apolonia 16:00
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Skënderbeu 25 48
2.Dinamo 25 47
3.Flamurtari 25 43
4.Tomori 25 40
5.Apolonia 25 38
6.Korabi 25 36
7.Luzi 2008 25 35
8.Besa 25 34
9.Burreli 25 31
10.Lushnja 25 31
11.Oriku 25 27
12.Turbina 25 26
13.Tërbuni 25 24
14.Besëlidhja 25 17
Shënim: Tërbuni është përjashtuar nga gara me vendim të Komisionit të Displinës në FSHF
Kategoria e parë
Magani: Pa stadium, Besa nuk ka Superiore

Trajneri i skuadrës së Besës në Kategorinë e Parë, Gugash Magani, për rrugëtimin gjatë këtij sezoni ka vetëm një kritikë, mungesa e stadiumit. Duke qenë se Besa pas 25 javësh renditet në vendin e 8-të me 34 pikë, tekniku verdhezi tregon se nisja ka qenë shumë e mirë, por pa stadium nuk ka Superiore. “Skuadra e Besës e nisi mirë këtë kampionat dhe ishim brenda synimeve tona për t’u renditur në vendet e kreut. Por rrugës ky synim sikur u venit, sepse patëm disa luhatje, ku shkaku kryesor është mungesa e stadiumit. Kemi “emigruar” këtë sezon dhe kjo nuk ka ndikuar mirë te skuadra. Të gjithë jemi të ndergjegjshëm se për Besën, pa stadium nuk ka Superiore”, ishte kjo deklarata e Maganit, i cili për ndeshjen e fundit me Burrelin kërkon vetëm fitore. “Ne nuk jemi ndarë ende nga zona e nxehtë në renditje dhe takimin me Burrelin do ta luajmë vetëm për fitore. E kemi vlerësuar këtë sfidë si një finale, me besimin e plotë se do mposhtim një rival në renditjen përfundmitare”.
Java e fundit, luftohet për play-off e play-out
Me ndeshjet e javës së 25-të, Katgoria e Parë thuajse i mbylli të gjitha verdiktet e këtij sezoni. Skënderbeu e Dinamo u ngjitën në Superiore dhe Oriku, Turbina, Tërbuni e Besëlidhja zbritën në Kategorinë e Dytë. Ndërkohë që Burreli e Lushnja do jenë dy skuadrat që do të luajnë play-out me dy skuadrat e Kategorisë së Dytë. Këtë javë, Luzi do kërkojë të hyjë në katërshen e skuadrave që do të luajnë play-off për ngjitje në Abissnet Superiore.
Legjionarët
Fundjavë pozitive, Uzuni kryeson e Kalaj më i vlerësuari

Fundjava që u mbyll ishte pozitive për disa nga futbollistët e Kombëtares sonë. Ka qenë beratasi Myrto Uzuni një ndër më të vlerësuarit, ndërkohë që në përballjen ndaj Alavesh shënoi golin e tij të 22-të në La Liga 2 të Spanjës, dhe në këtë ndeshje ka marrë vlerësimin me notën 7.6. Por Legjionari më i vlerësuar i javës ishte Serxhio Kalaj, që luan në Itali me Frosinone në Serie B, i cili luajti 90 minuta në përballjen me Pizën dhe u vlerësua me notën 7.9. Ndërsa Jorgo Pëllumbi që luan me Varazhdin në Kroaci u vlerësua me notën 7.4, për 90 minutat e luajtura ndaj Shibenik. Taulant Xhaka këtë fundjavë ka qenë protagonist te Zyrihu. Edhe pse u ndëshkua me karton të kuq pas një goditjeje me kokë “alla-Zidan”, në fund u vlerësua me notën 7.2. Odise Roshi që luan me Sakariaspor në Ligën 2 të Turqisë, luajti 90 minuta në sfidën kundër Pendikspor dhe u vlerësua me notën 7.0.
Atletikë/ Kampioni i kërcimit së gjati i lumtur për pafajsinë, premton vazhdimësinë e rezultateve
Smajlaj: Rikthehem me besimin e një kampioni

Nga Agron Kaja
Ka disa ditë që atleti i madh shqiptar, Izmir Smajlaj ka fituar pafajësinë, pas akuzave për manipulim të rezultateve në garën e tij të kërcimit së gjati. Ndërkohë që dje për gazetën “Telegraf”, shkodrani deklaroi se ishte i bindur që drejtësia do të vendosej dhe se ai do të rikthehej i pastër. Duke falenderuar gjithë mbështetësit e tij, Izmiri shpreh edhe keqardhje për dënimin e trajnerit të tij Gjergj Ruli dhe të sekretarit të FSHA-së, Nikolin Dionisi. “Natyrisht që pas kësaj pafajsie, unë ndjehem i lumtur për pastërtinë e figurës sime si atlet, por edhe si person. Kanë qenë dy vite të vështira për mua, pasi isha nën hetim për manipulim të rezultateve të mia! Tashmë dihen ato akuzat ndaj meje, pasi unë u fajësova për manipulim në një garë ku nuk kishte një matës ere. Por është e pakuptimtë kjo akuzë manipulimi pas rezultatit që arrita, sepse sportisti nuk ka përgjegjësi nëse matësi i erës, apo elektroniku, është apo jo në garë. Detyra ime është të jap më të mirën në garë dhe se çfarë ndodh mbrapa, nuk është përgjegjësi e imja”, kështu theksoi fillimisht në këtë bisedë Izmir Smajlaj, i cili pas këtij rikthimi deklaron se ka nisur me shumë pasion e dëshirë stërvitjen. “Kam filluar të stërvitem intensivisht, sepse tashmë e kam kaluar edhe dëmtimin që këputa ligamentin. Më shpejt se për tre muaj do të jem plotësisht gati për garë, por synimi parësor është që vitin tjetër të marr pjesë në Olimpiadë, e këtë besoj se do ia arrij. Tashmë kushtet stërvitore kanë ndryshuar shumë për mirë, pasi KOKSH-i, Bashkia dhe Klubi Tirana po më japin mbështetje. Nuk do përgatitemi nëpër rrugë si më parë, sepse ka një pistë të re, ndërkohë që këtu në Shqipëri na mungon një sallë e mbyllur. Kjo duhet bërë sa më parë, sepse kështu po detyrohemi të përgatitemi jashtë vendit. Na duhet vetëm një sallë të mbyllur “Indoor” me një gjatësi 200 metra. Natyrisht që Atletika është një sport i varfër, sepse nuk është si futbolli, por unë kam shumë besim se edhe kjo do të arrihet një të ardhme të afërt pasi mbështetjen e kemi pasur absolute. Jam stërvitur jashtë Shqipërisë, si në Angli, në Itali dhe Kinë, e kjo përgatitje më ka ndihmuar shumë”. Por Smajlaj ka edhe një merak, pasi ai kërkon që edhe trajneri i tij, Gjergj Ruli, të rikthehet dhe së bashku të bashkëpunojnë në kërkim të rezultateve të tjera edhe më të larta se më parë. “E shpresoj një bashkëpunim me trajnerin tim Gjergj Ruli. Ai për mua ka qenë një trajner shumë i mirë e pasionant, por edhe si një prind i dytë. Me rezultate të larta atij do t’ia kaloj mërzinë dhe gara më e afërt është në fillimvitin 2023 ku do rithehem 100% në formën time. Nuk kam bërë asnjë garë për një vit, ndërkohë që synoj të shkoj në Lojrat Olimpike në Paris 2023. Unë nuk do ndalem në stërvitjen time dhe besoj se viti 2023 do të jetë një pikë kthese për gjithçka të mirë në vazhdimësinë e karrierës time”. Kujtojmë që rezultatin e tij më të mirë në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj e ka arritur në Ditën e Kërcimit në Shqipëri, me 8.16 metra.
“Synimi parësor është që vitin tjetër të marr pjesë në Olimpiadë, e këtë besoj se do ia arrij. Tashmë kushtet stërvitore kanë ndryshuar shumë për mirë, pasi KOKSH-i, Bashkia dhe Klubi Tirana po më japin mbështetje.”

Rezultati
Në Ditën e Kërcimeve në Shqipëri, Izmir Smajlaj arriti rezultatin e lartë 8.16 m, rezultat rekord kombëtar.
Synimi
Izmiri synon të shkojë në Lojrat Olimpike në Paris 2023, ndërsa në muajin janar do të rikthehet 100 përqind .
Liga e kampionëve
“Madonina” edhe në gjysmëfinalet e Champions

Të martën dhe të mërkurën e kësaj jave do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Do të nisë me sfidën Real Madrid-Mançester Siti, ku madrilenët do të përballen me furinë e Haland. Ndërkohë që ditën e mërkurë në mbrëmje një tjetër sfidë do të luhet, Milan-Inter, që në Serie A të Italisë quhet edhe derbi i “Madoninës”. Të dyja këto skuadra janë rivale për një vend në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërkohë që edhe në Serie A janë në luftë për një vend në kreun e renditjes. Ndeshja finale e Ligës së Kampionëve do të luhet në stadiumin olimpik “Ataturk” në Stamboll, në datën 10 qershor 2023.
Europa Ligë
Pritet një finale italiane: Juventus-Roma

Roma-Bajer Leverkuzen dhe Juventus-Sevija, këto janë dy çiftet gjysmëfinaliste në Europa Ligë, kompeticioni i dytë europian më i rëndësishëm në futbollin europian. Në parashikimet e kompanive të basteve në Europë, mendohet në finale italiane Juventus-Roma, e cila do të luhet në stadiumin “Pushkash Arena” të Budapestit në datën 31 maj 2023. Ndërkohë që mediet sportive italiane e deklarojnë të vështirë përballjen e Juventusit me spanjollët e Sevijas, në letër Roma duket paksa më e favorizuar për t’u kualifikuar ndaj gjermanëve të Bajer Leverkuzen. Të dyja këto ndeshje do të luhen të enjten më 11 maj 2023, nisur në ora 21:00.

















