Intervista/ Ish-trajneri Bejkush Birçe: Partizani ka potencial për kampion, Kombëtarja jo e stabilizuar

131
Sigal

INTERVISTA/ Nga futbolli shqiptar te Kombëtarja, flet për “Telegraf” ish-trajneri Bejkush Birçe

 

Nga Agron KAJA

“Ka edhe 12 javë me 36 pikë dhe gjithçka do të mbetet e hapur për titullin kampion. Por, Partizani e Tirana janë më afër, dhe kjo po duket nga java në javë. Këtu do të fusja edhe Vllazninë, e cila po e sulmon seriozisht kreun, por pak më e dobët.”

Superiorja i luajti të gjitha ndeshjet e javës së 24-t, si i lexoni përfundimet e tyre?

Ndeshjet sollën rezultate edhe të pamenduara, por edhe të pritshme. Nuk pritej humbja e Laçit me Kukësin, Teuta-Vllaznia nuk pritej e barabartë. Egnatia gjeti ditën më të dobët të Kastriotit, ndërsa Bylisi duhet ta vlerësojë më shumë situatën e tij në renditje. Erzeni ka mundësi për më shumë.

Pas “derbit” Partizani-Tirana 2-0. Si e mendoni vazhdimësinë e rivalitetit për kreun e renditjes në Abissnet Superiore?

Ka edhe 12 javë me 36 pikë dhe gjithçka do të mbetet e hapur për titullin kampion. Por, Partizani e Tirana janë më afër, dhe kjo po duket nga java në javë. Këtu do të fusja edhe Vllazninë, e cila po e sulmon seriozisht kreun, por pak më e dobët.

Nga Abissnet Superiore te Kategoria e Parë, në cilën prej tyre ka më shumë dritë-hije në të dy kahjet e renditjeve?

Në të dyja këto kategori të futbollit shqiptar gjatë këtij sezoni ka dritë-hije në të dy kahjet e renditjes. Po të shohim Superioren, si në krye ashtu edhe në vendet e fundit ka dilema. E njëjta situatë duket se është edhe në Kategorinë e Parë.

Cilin rezultat e veçoni si më të paparashikuar në javën e 18-të të Kategorisë së Parë?

Besoj se ishin disa, por do veçoja barazimin e Skënderbeut në Burrel, fitoren e thellë të Dinamos në Lezhë dhe barazimin në transfertë të Turbinës me Luzin. Rezultatet e tjera ishin të pritshme, ku favorite ishin skuadrat në fushën e tyre.

Mendoni se janë shfaqur problematika në këtë javë të Superiores?

Nuk kishte ndonjë të veçantë që ta evidentoja, por them se kjo javë ishte në rutinën e vazhdimësisë. Jemi në fazën e tretë dhe problematikat besoj se do të vijnë gjatë fazës së katërt. Pra shumë shpejt.

Po në ndeshjet e Kategorisë së Parë, kishte dukuri që duhen evidentuar në këtë bisedë?

Dukuri nuk besoj, gjithçka ka qenë në rrjedhën e lojës. Mendoj se Flamurtari dhe Dinamo nuk duhet të gabojnë si disa ndeshje më parë, ndërsa Skënderbeu duket se e ka marrë si më shtruar. Dukuria e parë ishin rezultatet, të tjera nuk veçohen.

Në Kategorinë e Parë luajnë skuadra të traditës, si Dinamo, Flamurtari, Besa, Elbasani, Tomori apo Luftëtari, e kanë “dobësuar” historinë e Superiores?

Mendoj se historia sot ka pak ndikim te realiteti i skuadrave. Pjesa më e madhe e historisë për këto skuadra është shkruar në kohë tjetër, ndërsa sot jemi në një realitet tjetër, jemi në kushtet e një ekonomie tregu shumë të egër.

Cilat skuadra i vendosni si pretendente për titullin kampion në Superiore, apo është shpejt për një parashikim,?

Më evident janë dy: Partizani dhe Tirana. Pak më larg e mendoj edhe Vllazninë, por besoj se kjo treshe do të rivalizojë për titullin kampion. Të dalësh kampion do punë e disiplinë në të gjitha drejtimet përgatitore dhe të lojës. Kështu duhet të vazhdojnë.

Po në Kategorinë e Parë, mendoni se janë përcaktuar që tani skuadrat pretendente për në Superiore?

Edhe në këtë kategori, tre janë skuadrat që po luajnë për dy vendet e para të renditjes që të çojnë automatikisht në Abissnet Superiore. Kush do gabojë më pak në ndeshjet në transfertë, mendoj se do të jetë skuadër më pranë Superiores.

Nga përbërjet e skuadrave në Abissnet Superiore, shikoni se në futbollin shqiptar ka elementë që mund t’i shërbejnë edhe Kombëtares?

Me sa kam parë te skuadrat e Superiores, ka shumë elemente të rinj cilësorë, që duhet të jenë në vëmendjen e Kombëtares. Por besoj se ky ndryshimi i trajnerëve nuk do ta shohë shumë këtë pjesë, duke menduar se nga muaji nëntor e deri tani në mars skuadra ka qenë pushim.

Si e mendoni fillimin e eliminatorëve të Kampionatit Europian të Futbollit për Shqipërinë, me Silvinjon në bankinë?

Asnjë miqësore për njohjen e skuadrës, nuk është fort e mirë. Sepse që një trajner i ri në drejtim ta njohë në 50% skuadrën, i duheshin të paktën 2-3 ndeshje. Kjo nuk ndodhi me Shqipërinë, por nuk besoj se do të jetë tabu për trajnerin Silvinjo.

KATEGORIA E PARË

Memelli për renditjen: Skënderbeu favorit drejt Superiores.

Pas javës së 18-të, ish-trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli nuk e mban larg vëmendjes skuadrën korçare. I pyetur nga gazeta “Telegraf” se, çfarë mendon për situatën e skuadrave në Kategorinë e Parë, nga Gjermania ai vendos tre prej tyre si pretendente për kreun e renditjes, por me korçarët në krye. “Kampionati do të jetë i hapur deri në fund për dy vendet e para, mes tri skuadrave: Skënderbeu, Dinamo dhe Flamurtari. Por Skënderbeun e shikoj më shumë favorit, edhe pse javën e kaluar morri vetëm një pikë në Burrel”. Ndërsa për situatën e skuadrave të tjera në këtë kategori, Memelli thekson se duhen edhe disa javë për të bërë një përcaktim më të afërt. “Për katër skuadrat në fundin e renditjes duhet të presim edhe disa javë, sepse nuk kanë shumë diferencë në pikë nga vendi i gjashtë në të katërmbëdhjetin. Janë vetëm 9 pikë, ndaj edhe parashikimi bëhet i vështirë”.

Abissnet Superiore

Rezultatet, java e 24-t

Datë 10 mars 2023

Kukësi-Bylis                           13:00

Kastrioti-Teuta                        13:00

Erzeni-Egnatia                        16:00

Datë 11 mars 2023

Vllaznia-Partizani                   16:00

Tirana-Laçi                              19:00

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Tirana                       24        40

2.Partizani                   24        40

3.Vllaznia                    24        35

4.Egnatia                    24        37

5.Erzeni                      24        33

7.Laçi                          24        30

8.Teuta                        24        31

7.Kukësi                      24        28

9.Bylis             24        27

10.Kastrioti                24        23

 

Kategoria e Parë

Ndeshjet, java e 19-të

Datë 11 mars 2023

Skënderbeu-Tomori    13:00

Lushnja-Korabi           15:00

Besa-Turbina               15:00

Oriku-Besëlidhja         15:00

Burreli-Luzi2008         15:00

Tërbuni-Flamurtari      15:00

Datë 12 mars 2023

Dinamo-Apolonia       13:00

Renditja                 

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Flamurtari                 18        35

2.Dinamo                    18        34

3.Skënderbeu  18        34

4.Korabi                      18        29

5.Tomori                      18        27

6.Besa                         18        24

7.Luzi 2008                 18        22

8.Burreli                      18        22

9.Apolonia                  18        22

10.Tërbuni                   18        21

11.Lushnja                  18        18

12.Oriku                      18        18

13.Turbina                   18        18

14.Besëlidhja              18        15

 

70 vjeçari beratas feston ditëlindjen në stadium

Gazeta “Telegraf” bëri publike jetën sportive të beratasit Gëzim Jatagani, si gjuajtës i penalltive dhe realizimin e golave nga kornet. Javën e kaluar ai festoi ditëlindjen e 70-të të tij, dhe festa ka qenë e shkëputur disa orë edhe në fushën e stadiumit “Tomori”. “Edhe sot që mbusha 70 vjeç, vazhdoj pasionin tim për realizimin e golave nga kornet e penalltitë. Gjithmonë do tregohem “egoist” se jam në gjendje të realizoj gola nga pozicione shumë të vështira. Jam gati që të sfidoj edhe yje të futbollit”. Performancë e bukur kjo që do të futet në historinë 100 vjeçare të futbollit beratas.

Luiza Gega, kartolina e urimit femëror për 8 Marsin!

Sot është data 8 Mars, Dita Ndërkombëtare e grave e vajzave në të gjithë Botën. Me një foto të atletes tonë Luiza Gega, fituese e disa kompeticioneve Europiane dhe pjesëmarje në Botërorin e Atletikë. Ndoshta të gjitha gratë e vajzat shqiptare, sportiste dhe ish-sportiste, do të ndjehen krenare dhe të respektuara në urimin: Gëzuar 8 Marsin gjithë ju gra shqiptare sportisteve dhe ish-sportiste të të gjitha kohërave! Me këtë urim bashkohet edhe gazeta “Telegraf”, duke “trazuar” njëherësh memorien dhe rritur kujtesën për historinë femërore në sportin shqiptar.

 

 

Largohen trajnerët shqiptarë, pse nuk ndodh me ata të huaj?!

KOMENT/ Pranvera e gjen topkëmbën shqiptare edhe në vorbullën e bankinave të trazuara.

 

Nga Agron KAJA

 

Nevil Dede është trajneri më i fundit në Kategorinë e Parë, që largohet nga drejtimi i skuadrës së Dinamos, pikërisht në fazën e dytë të kampionatit. Ky është një rast që tregon se në gjithë hapësirën dhe ritmikën e futbollit shqiptar, është bërë e zakonshme të shohim lëvizje të tilla të trajnerëve të skuadrave brenda një sezoni. Kjo situatë mesa duket i ka diku rrënjët edhe tek amullia që ekziston në tregun e gjetjes dhe të vendosjes së tyre në drejtimin e skuadrave. Duke e quajtur si një lojë që e informalizon shumë këtë pozicion, por edhe që i zhvesh qartë se sa vlejnë disa prej tyre që prishin tregun, më shumë kjo duket edhe si një bllof mbi futbollin, një lojë që në sezonet e fundit nuk ka një seriozitet se ku nis dhe ku përfundon. Sepse në këtë ritmikë nuk po respektohet sa dhe si duhet figura e tyre me largime para dhe gjatë sezonit, duke marrë rrugën e një fenomeni ndaj të cilit rregullat apo kontratat nuk po japin efektet që futbolli i meriton. Vetëm kjo shprehje e Shpëtim Duros pas largimit nga drejtimi i Egnatias, i vërteton ato çka janë shkruar më sipër e do të shkruhen në rradhët më poshtë: “Oshilacionet në një skuadër gjatë një kampionati janë normale, por gjithsesi, objektivat shikohen në fund nëse janë realizuar, dhe jo në mes të garës. Skuadrën e mora kur ishte në vendet e fundit dhe më vjen mirë që e lashë me vetëm dy pikë larg vendit të tretë, që të siguron një vend në Kupat e Europës”. Pra, largimet e tyre me dhe pa arsye për interesa të ngushta apo synime afatshkurtra, e ka bërë këtë një fenomen që sezon pas sezoni po shfaqet egër mbi vetë futbollin. Ndërsa duke e parë në këndvështrimin e shifrave të largimeve nga bankinat, kryesisht në Abissnet Superiore dhe në Kategorinë e Parë, ky sezon që tashmë ka hyrë në pranverën e tij, ndoshta nuk do të ketë fatin e keq që të hyjë edhe në rekordin e sezoneve të shkuara për lëvizjet e trajnerëve. Dhe e veçanta më domethënëse është se, nuk është larguar asnjë trajner i huaj! Pse? Sepse me ta kontratat nuk mund të prishen sikundër me shqiptarët.

Po si përzgjidhen trajnerët? Është e qartë se këtë përzgjedhje e bëjnë presidentët e klubeve, të cilët nisur ndoshta nga emri i një trajneri, apo nisur edhe nga arsye të tjera, vendosin në bankinën e skuadrës së tyre trajnerin e preferuar. Por dihet se nuk mund të mendosh se një trajner do të japë efektet e punës së tij për një periudhë disa mujore. Jo vetëm në Superiore që nuk mund të ndodhë kjo, por as edhe në kategoritë e tjera ku niveli është edhe më i ulët. Por kur një trajner provon bankinat në dy-tre skuadra gjatë një sezoni, është e vështirë të mësosh dhe të kuptosh se sa bagazh teorik e praktik ka ai në formimin e tij si trajner dhe t’i përshtasë menjëherë në fushën e lojës.

Vetëm në javën e kaluar janë dënuar 10 trajnerë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, ku midis emrave “fshihen” edhe nga ata që këtë pozicion pak e justifikojnë. Njëherësh, ka edhe nga ata trajnerë që ndëshkohen me kartonë gjatë ndeshjeve, duke treguar qytetari e profesionalizëm të dobët. Dhe nisur nga ky fakt, kujtojmë vetëm në kampionatet e këtij sezoni, në Abissnet Superiore janë ndryshuar trajnerët në shtatë skuadra, ndërsa në Kategorinë e Parë në nëntë skuadra, në disa prej tyre edhe dy apo tre herë! Ndaj pjesa më e madhe e këtyre bankinave po e mban futbollin “me frena dore”. Ky është tregu në pjesën më të madhe të trajnerëve …!

 

 

Somario

Oshilacionet në një skuadër gjatë një kampionati janë normale, por gjithsesi, objektivat shikohen në fund nëse janë realizuar, dhe jo në mes të garës. Kështu ka ndodhur në Abissnet Superiore ku janë ndryshuar trajnerët në 7 skuadra, dhe në Kategorinë e Parë në 9 skuadra.

 

 

Lëvizjet e trajnerëve

 

Në Abissnet Superiore

Pjesëmarrëse                10 skuadra

Janë luajtur                  24 javë

Kanë ndryshuar           7 skuadra

S’kanë ndryshuar        3 skuadra

Kanë drejtuar              22 trajnerë

 

Në Kategorinë e Parë

Pjesëmarrëse                14 skuadra

Janë luajtur                  18 javë

Kanë ndryshuar           9 skuadra

S’kanë ndryshuar        5 skuadra

Kanë drejtuar              27 trajnerë