INTERVISTA/ Faruk sejdini: Futbolli nuk jepet me koncesion që të përfitojnë stjuardët privatë, ta mbikëqyrë Policia e Shtetit

596
Sigal

Nga Agron KAJA

Ja fokusi për “Telegraf” i ndeshjeve të javës së parë të Kategorisë Superiore, nga ish-trajneri i Dinamos dhe i disa skuadrave të tjera

Si e përshkruani aspektin organizativ të ndeshjeve të javës së parë në Kategorinë Superiore 2018-2019?

Do të thosha se në këtë javë të parë kemi një budallallëk, në aspektin e sigurisë. Siguria me roja private nuk mund të funksionojë, sepse ata janë njerëz të pa trajnuar dhe të paorganizuar. Ne duam të bëhemi si Zvicra, kur jemi 500 vjet larg saj, kjo nuk ka kuptim në këtë situatë.

Që mund të nënkuptojmë se këtu ka qenë dukuria më e spikatur e kësaj jave të parë të Superiores?

Po, dhe unë e quaj këtë si një dukuri negative të kësaj jave të parë. Futbolli nuk jepet me koncesion që të përfitojnë policitë private, kjo është e papranueshme për futbollin shqiptar. Në Korçë, kjo u vërtetua realisht, situatë që kërkon reflektim, jo pazare fjalësh.

Çfarë tregoi tjetër situata e dhunës në ndeshjen Skënderbeu-Partizani, që u luajt në Korçë?

Nuk është situata psikologjike dhe kultura e nevojshme e rojeve private që të marrin përsipër sigurinë në stadiume. Ata dukeshin që ishin njerëz të pa trajnuar për ta bërë atë punë, e këtu së pari, kjo mangësi mbetet pjesë e kulturës së dobët profesionale të drejtuesve të tyre.

Kësisoj, ju mendoni se rojet e sigurisë fizike në stadiume ishin blofi i Superiores në startin e saj për sezonin 2018-2019?

Po, dhe unë do të thosha se kjo situatë tregon atë që, ne shqiptarët e përjetojmë me qeveritë tona. Sa më të dobëta që janë ato, aq edhe më e trazuar po bëhet jeta e shqiptarëve. Në rastin e Korçës, mosprania e Policisë u dha shkas tifozëve të “vallëzonin” siç deshën, madje edhe në fushë.

Cila ndeshje i zhgënjeu pritshmëritë tuaja, dhe cila zhgënjeu për rezultatin që fiksoi?

Pavarësisht nga loja që bëri, Luftëtari ishte zhgënjim. Pas situatës që kaloi në Evropa Ligë, duket se e ka humbur besimin e formën që kishte në sezonin e kaluar. Trajnerin e kësaj skuadre nuk e kuptoj se çfarë thotë, duket shumë enigmatik me atë çka skuadra jep në fushë.

Të dyja skuadrat e kryeqytetit humbën në javën e parë, çfarë treguan të dyja në sfidat që luajtën?

Partizani bëri shumë bujë e zhurmë para ndeshjes, madje edhe pas saj po kërkon me forma të tjera të anashkalojë atë çka dha në fushë. Ndërsa Skënderbeu, aktualisht është “kockë e fortë”, e për Tiranën do të thosha se trajneri i saj është në ajër, kur thotë se pas tre ndeshjeve do ta shohim skuadrën!

Mund ta quajmë këtë javë të parë si mospërputhje të gjendjes së skuadrave me rezultatet që u arritën?

Mospërputhje ka dhe do të ketë javë pas jave, sepse nuk mund të pretendohet forma optimale e një skuadre që në start. Ambientimi i futbollistëve me fushën e lojës nuk është në mundësitë reale të tyre, ndaj them se edhe në dy-tre javët në vazhdim, kjo situatë do të vazhdojë.

Cili është këndvështrimi juaj për ndeshjet e javës së dytë të Superiores?

Të gjitha i mendoj ndeshje të vështira, por me më shumë peshë specifike është ndeshja Flamurtari-Kukësi. Interesante do të jetë edhe ndeshja Kamza-Partizani, për vetë pozicionin e tyre, por edhe si skuadra tiranase që formojnë “derbin”e vogël të kryeqytetit.

Policinë private në stadium, unë e quaj këtë si dukurinë negative të kësaj jave të parë. Futbolli nuk jepet me koncesion që të përfitojnë policitë private, kjo është e papranueshme për futbollin shqiptar. Kjo situatë që kërkon reflektim, jo pazare fjalësh

 

2 penallti

Në pesë ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore 2018-2019, në dy prej tyre golat u realizuan nga pika e penalltisë

 

5 gola

Në pesë ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore 2018-2019, u shënuan 5 gola,

ku 5 skuadra shënuan, dhe 5 të tjerat jo

 

KATEGORIA SUPERIORE

Ndeshjet-Java e dytë

Të premten, 24 gusht 2018

Tirana-Teuta                19:45

Të shtunën, 25 gusht 2018

Kamza-Partizani          16:45

Laçi-Luftëtari              16:45

Të dielën, 26 gusht 2018

Kastrioti-Skënderbeu  16:45

Flamurtari-Kukësi       19:45

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

1.Kamza          1          3

2.Kastrioti       1          3

3.Skënderbeu  1          3

4.Laçi              1          1

5.Flamurtari     1          1

6.Kukësi          1          1

7.Teuta            1          1

8.Partizani       1          0

9.Luftëtari       1          0

10.Tirana         1          0

GOLASHËNUESIT

1 gol: Muzaka (p) (Skënderbeu), Kordero (Kukësi), Lushkja (Laçi), Mziu (p) (Kastrioti), Plaku (Kamza)