INTERVISTA/ Artur Lekbello: Superiorja është në finishin e kampionatit, këtu do të përcaktohen uljet e ngjitjet e sezonit

569
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-portieri i Partizanit, Teutës dhe i Kombëtares, në pesë javët e mbetura
Kategoria Superiore është në 5 metrat (javët) e fundit të saj, çfarë mund të presim më shumë në këto 25 ndeshje?
E mendoj shumë thjesht, do të presim se cilat skuadra do të luajnë në Evropë, dhe për më tepër, cila do të jetë skuadra e dytë që do të zbresë në Kategorinë e Parë: Kamza, Vllaznia apo Teuta. Por, duhet thënë se Skënderbeu do të jetë Kampioni, vetëm matematika e mban.

Në javët e fundit të Superiores, shpesh janë shfaqur edhe tolerime apo aleanca, ekziston mundësia edhe në këto ndeshje të fundit?
Thënë në gjuhën sportive, edhe mund të ketë, ndërsa në realitete të tjera jo. Sepse aktualisht është duke u zhvilluar një kampionat i fortë dhe pa tolerime nga të gjitha skuadrat, me përjashtime që nuk bëjnë diferencën dhe nuk ja prishin bukurinë kësaj Superioreje. 

Ku e shikoni përqendrimin më të madh të skuadrave në këto ndeshje të fundit, në zonën e Evropës apo në atë për mbijetesë?
Kënaqësi do të ketë në të dyja, por me të veçanta nga njëra-tjetra. Por, më shumë emocion do të ketë për skuadrën e dytë që do të zbresë në Kategorinë e Parë. Ndërsa për Evropën, Skënderbeu është në dilemën e dënimit nga UEFA, Kukësi e ka merituar këtë zonë, të tjerat do formatohen këto javë.

Në këndvështrimin tuaj teknik, cilën skuadër e shikoni më të rrezikuar për mbijetesë: Kamzën, Vllazninë apo Teutën?
Sinqerisht ju them se më vjen keq për të tria këto skuadra që ndodhen në këtë situatë në renditje. Këto kanë ndeshje vendimtare për të përcaktuar pozicionin e tyre në tabelën e renditjes, sidomos në javën e 32-të.

Cilat ndeshje i veçoni si më delikatet të javës së 32-të?
Unë të gjitha i quaj ndeshje të forta, delikate dhe interesante, pasi rezultatet e tyre do ta kristalizojnë në 80% vazhdimësinë e renditjes. Do të veçoja tre prej tyre: Kamza-Luftëtari, Partizani-Teuta dhe Flamurtari-Vllaznia, pas të cilave “fshihen” më shumë mbijetesa dhe Evropa.

Do të ketë ndikime të arbitrave në këto ndeshje që do të luhen?
Arbitrat duhet të eliminojnë sa të munden ato gabimet njerëzore. Sepse është njësoj si një lojtar që humbet një rast goli para portës, ose si një portier që gabon në një rast delikat. Në kapacitetet e tyre kanë pasur kontestime, por unë besoj se nuk kanë qenë gabime me dashje.

Ka thashetheme se, Superiorja më e mirë mund të jetë me 12 ose 14 skuadra, ju si mendoni?
Nuk merret një vendim sot për numrin e skuadrave të sezonit tjetër, pasi nuk e lejon rregullorja. Por kjo formulë me 10 skuadra, mendoj se është më e fortë, edhe për arsyen e infrastrukturës, menaxhimit e financave. Për deri sa ka sjellë progres, nuk duhet të ndryshojë.
Skënderbeu nuk meriton të dënohet, sikundër UEFA edhe ka bërë muajin e kaluar. Do të ishte një goditje e rëndë për futbollin shqiptar, sepse është skuadra që ka treguar nivel e na ka përfaqësuar me dinjitet në Evropë. Jemi bërë tifozë me futbollin e Skënderbeut
Sigal