INTERVISTA/ Armand Duka: Kemi klimë të re bashkëpunimi me tifozët, për dhunën, zero tolerancë!

523
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” Presidenti i FSHF-së, ja opinioni i tij për takimin trepalësh, për dhunën në Vlorë e vazhdimësinë
Pse pikërisht të shtunën dhe, pse nuk e keni organizuar më parë një takim të tillë mes tifozëve kuqezi-policisë e FSHF-së?
Ndoshta mund të bëhej edhe më parë një takim i tillë, por mendoj se çdo gjë ka kohën e vet. Gjithsesi, edhe dje (të shtunën) ishim në kohë, duke pasur parasysh se ndeshjet e Kombëtares po afrojnë, dhe jemi në fundin e sezonit 2017-2018. Ishte një takim i domosdoshëm, i cili besoj se do të japë efekte pozitive.

Cili ishte qëllimi i këtij takimi që ju si FSHF e organizuat?
Qëndrimi ishte i përbashkët nga të tre palët, që ta ndihmojmë Kombëtaren tonë të futbollit, dhe mund të them se jemi në një klimë të re, për t’i bërë gjërat në këtë drejtim sa më mirë. Këtu do të thosha se, jo vetëm në ndeshjet e Kombëtares.

E keni fjalën për marrëdhëniet me tifozët në stadiume?
Natyrisht që po, sepse ata janë faktorë në një ndeshje futbolli, sidomos kur bëhet fjalë për Kombëtaren. Tifozët kishin kërkesat e tyre, dhe besoj se së shpejti çdo gjë do ta rregullojmë, dhe ata do të jenë në stadium siç kanë qenë më parë.

Po policia, çfarë garantoi nga kërkesat që kanë tifozët kuqezi?
Zotëria që përfaqësonte Policinë e Shtetit në atë takim, garantoi sjellje korrekte të policëve në bazë të ligjit, si dhe më pak prezencë të tyre në shkallët e stadiumeve. Sepse në të shkuarën, ka pasur edhe raste që këto veprime nuk janë bërë mirë nga forcat e policisë.

Ju mendoni se këto janë kërkesat e duhura nga tifozeri në shkallët e stadiumeve?
Mendoj se kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme, sepse nuk duhet të ketë dënime në grup ndaj tyre, por ato duhet të jenë individuale. Në fakt, kjo është një kërkesë që i shërben lojës së futbollit në tërësi, sepse siguria në stadiumet tona duhet të orientohet sikundër ndodh në Evropë e Botë. 

Këto kërkesa të tifozëve, shërbejnë edhe për ndeshjet në kampionatet e futbollit në Shqipëri?
Ne jemi gjithmonë në bashkëpunim me policinë, sepse asnjë aktivitet nuk mund të zhvillohet pa miratimin e tyre. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për ndeshjet e Kategorisë Superiore, por për të gjitha nivelet në futbollin tonë.

Java e 32-të e Superiores, veç rezultateve, kishte edhe dhunë, si e komentoni rastin në Vlorë?
Për atë çka ndodhi pas ndeshjes Flamurtari-Vllaznia 1-1, FSHF-ja është shprehur sot (dje) me një deklaratë, dhe unë nuk mund të them më shumë se sa është shkruar atje. Nuk mund të bëj komente të tjera, sepse u takon trupave juridike në FSHF të vendosin. Jam për zero tolerancë ndaj këtij fenomeni.

Duke qenë se jemi në fundin e sezonit 2017-2018, e keni ju si President i FSHF-së një mesazh?
Do të përmend në këtë rast mesazhin që kam dhënë në startin e këtij sezoni, që të fitojë më i miri në çdo ndeshje. Të zhvillohet një garë sportive dhe me rivalitet, deri në ndeshjen e fundit.
Tifozët janë faktorë në një ndeshje futbolli, sidomos kur bëhet fjalë për Kombëtaren. Ne jemi gjithmonë në bashkëpunim me policinë, sepse asnjë aktivitet nuk mund të zhvillohet pa miratimin e tyre. Ndërsa për dhunën në Vlorë, do të ketë zero tolerancë
Reagimi i FSHF-së: Goditja e zyrtarëve, agresion fizik, të ndërhyjë Prokuroria! 


“Dhuna e ushtruar të shtunën në mbrëmje mbi arbitrin dhe zyrtarin e ndeshjes në përfundim të takimit Flamurtari-Vllaznia 1-1, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ka tronditur mbarë opinionin sportiv, si një akt shumë i shëmtuar dhe i dënueshëm. Ky agresion fizik ndaj asistentit të parë të arbitrit, dhe më pas, edhe ndaj vëzhguesit të ndeshjes, ka ndodhur në prani të forcave të policisë në stadium, por duke mos e parandaluar atë. Ky rast është denoncuar zyrtarisht edhe pranë autoriteteve ligj-zbatuese në Vlorë. FSHF i bën apel Policisë së Shtetit për të zbardhur të plotë një incident të tillë, ku pas dëshmisë dhe denoncimit të arbitrit të dhunuar përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore, të veprojë menjëherë në bazë dhe zbatim të ligjit, për të çuar përpara drejtësisë agresorët që zbritën dhe goditën arbitrat dhe zyrtarët e ndeshjes. Po kështu, organizatori i ndeshjes, klubi i futbollit Flamurtari, mban përgjegjësi direkt për mosmarrjen e masave për organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, dhe aq më shumë për t’i mbrojtur miqtë në shtëpinë e tyre. FSHF dënon me shumë forcë dhunën verbale, tashmë të shndërruar në dhunë fizike. Goditja karshi zyrtarëve të ndeshjes mbetet një akt tërësisht antisportiv, dhe si i tillë, do të ketë zero tolerancë nga ana e Drejtësisë Sportive. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të çojnë deri në fund zbardhjen e këtij agresioni të shëmtuar dhe të vënë përpara përgjegjësisë penale autorët e tij”, kështu shkruhej dje në reagimin e FSHF-së, ndaj dhunës që u ushtrua të shtunën ndaj arbitrave të ndeshjes Flamurtari-Vllaznia, 1-1.
Ndeshjet-Java e 32-të
Të shtunën, 5 maj 2018 
Kamza-Luftëtari 0-0
Kukësi-Lushnja 2-1
Laçi-Skënderbeu 3-2
Flamurtari-Vllaznia 1-1
Partizani-Teuta 1-3

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 32 69
2. Kukësi 32 61
3. Luftëtari 32 51
4. Partizani 32 46
5. Laçi 32 46
6. Flamurtari32 44
7. Kamza 32 39
8. Teuta 32 37
9. Vllaznia 32 37
10. Lushnja 32 11
KALENDARI


Java e 33-të
Të mërkurën, 9 maj 2018
Lushnja-Skënderbeu 16:00
Luftëtari-Partizani 16:00
Flamurtari-Laçi 19:00
Vllaznia-Kamza 19:00
Teuta-Kukësi 19:00
Java e 34-t
Laçi-Lushnja
Skënderbeu-Teuta
Kukësi-Luftëtari
Partizani-Vllaznia
Kamza-Flamurtari
Java e 35-të
Kamza-Laçi
Flamurtari-Partizani
Vllaznia-Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu
Teuta-Lushnja
Java e 36-të
Laçi-Teuta
Lushnja-Luftëtari
Skënderbeu-Vllaznia
Kukësi-Flamurtari
Partizani-Kamza
Ndeshjet finale
Datë 16 maj 2018
Kategoria e Parë
Tirana-Kastrioti 17:00 
Datë 17 maj 2018
Finalja e Kateg.2 17:00
Datë 18 maj 2018
Play-out/ Kat.1-Kat.2 16:30
Datë 27 maj 2017
Kupa e Shqipërisë
Skënderbeu-Laçi 19:00
Sigal