Intervista/ Andrea Marko: Kombëtarja po tregon personalitet, “Derbi” u luajt pa trajnerë

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Dinamos, Andrea Marko

Agron Kaja

“Skuadrat janë në moment delikat, sa i përket fushave dhe po shfrytëzojnë gjithçka në fusha alternativë. Mendoj se janë të ngarkuara, aq më shumë ku disa prej tyre janë pa trajnerët e parë. Tashmë jemi mësuar kështu me largime trajnerësh.”

Kombëtarja e ndali “marrshimin” e fitoreve, Superiorja luajti “derbin” e kryeqytetit, si e komentoni këtë situatë?

NOA

Java ishte plotësisht e ngarkuar, kryesisht pas ndeshjes së Kombëtares, e cila do të mbahet mënd si moment i krenarisë dhe i personalitetit. Por edhe pas atij “derbi” të kryeqytetit, ku Partizani fitoi në limitet e kohës së rregullt, dhe me meritë.

Në “derbin” e kryeqytetit Partizani-Tirana 2-1, çfarë veçuat më shumë se rezultati?

Ishte një ndeshje e prapambetur dhe skuadrave ju duhej të ishin të përgatitura për një ngjeshje ndeshjesh. Sikur e prishën paksa klasifikimin, por ishte një “Derbi” që u luajt pa trajnerët e parë, çka ndikoi në pjesën rregullatore të tyre gjatë ndeshjes.

Gjatë dy javëve pa ndeshje zyrtare, veç përgatitjeve, skuadrat luajtën edhe miqësore, e plotësojnë këto ngarkesën e Superiores?

Skuadrat janë në moment delikat, sa i përket fushave dhe po shfrytëzojnë gjithçka në fusha alternativë. Mendoj se janë të ngarkuara, aq më shumë ku disa prej tyre janë pa trajnerët e parë. Tashmë jemi mësuar kështu me largime trajnerësh.

Java e 9-të sjell ndeshje interesante, ju cilën do e veçoni si kryendeshje?

Pas derbit, unë këto ndeshje të fundit të fazës së parë i veçoj të gjitha të vështira dhe me shumë përgjegjësi. Natyrisht që Tirana-Egnatia mbetet si kryendeshje, ku të dyja skuadrat deri tani kanë bërë më të mirën, por asnjë nuk nënvleftësohet.

Referuar renditjes, ku mendoni se do të ketë lëvizje në tabelë pas ndeshjeve të javës së 9-të?

Patjetër që do të ketë lëvizje në renditje, por vetëm vendi i parë duket si më i sigurtë me Egnatian. Të gjitha të tjerat patjetër që do kenë lëvizje dhe unë kam një parashikim se edhe fundi do ketë lëvizje. Gjithsesi, ti presim me interes ndeshjet.

Luhet java e fundit e fazës së parë, si e përshkruani në tërësi rrugëtimin në 39 ndeshje?

Është një rrugëtim, i cili po tregon atë se çfarë kanë bërë skuadrat në përgatitjet e tyre verore. Të mendosh se kishte skuadra të ndërtuara në dy javë, dhe të tjera ku janë ndërruar trajnerët, kjo ritmikë nuk ka lënë shije të mirë për futbollin shqiptar.

Po për javën e 9-të të Kategorisë së Parë, do kenë ndikim në lojën e skuadrave ngarkesa e ndeshjeve të Kupës?

Në Superiore jo, por do ishte mirë ritmi Kupë-Kampionat edhe për Superioren, sepse kështu luhet në futbollin profesionist. Ndërsa për skuadrat e Kategorisë së Parë e të Dytë, mendoj se do jetë një ngarkesë normale si në ndeshjet e zakonshme.

 

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 9

Të shtunën, 21 tetor 2023

Skënderbeu-Vllaznia   17:00

Të dielën, 22 tetor 2023

Kukësi-Laçi                  14:00

Dinamo-Teuta              17:00

(Në “Elbasan Arena”)

Të hënën, 23 tetor 2023

Tirana-Egnatia             14:00

Erzeni-Partizani           17:00

(Në “Arena e Demave”)

RENDITJA

Skuadrat            Nd    Pikë

1.Egnatia             8       16

2.Partizani           7       14

3.Laçi                            8       13

4.Tirana               8       13

4.Skënderbeu     8       12

6.Erzeni               8       11

7.Vllaznia           8       9

8.Teuta                7       8

9.Dinamo City   8       7

10.Kukësi           8       7

 

“Arena e Demave” jepet me “qera” për tre “mysafirë”!

Ndeshjet që do luhen

Java 9/ Më 23 tetor 2023

Erzeni-Partizani           17:00

Java 10/ Më 28 tetor 2023

Teuta-Partizani            17:00

Java 11/ Më 31 tetor 2023

Egnatia-Kukësi            15:00

Java 12/ Më 4 nëntor 2023

Erzeni-Egnatia             17:00

Situata e terreneve, por edhe e stadiumeve në disa skuadra të Abissnet Superiore, nuk është e mirë dhe në standartet që kërkon kjo kategori. Që në nisja e sezonit, Erzeni dhe Dinamo City nuk kanë stadium, ndërsa disa të tjera kanë filluar rregullime në fusha. Dhe kjo situatë ka sjellë një pështjellim, sa i përket zhvillimit të ndeshjeve nga java në javë. Dhe për këtë, FSHF-ja ka marrë konfirmim nga disa prej këtyre klubeve për vendin e zhvillimit të ndeshjeve në katër javët në vazhdim. “Strehë” është bërë stadiumi i Partizanit “Arena e Demave”, i cili sikur do t’u jepet me “qera”, ku Erzeni, Teuta dhe Egnatia do të jenë “mysafirë” në ndeshjet për këtë periudhë.

 

PARTIZANI-TIRANA 2-1

Në fushë “luajtën” edhe stolat e stadiumit

Të enjten në mbrëmje u luajt “Derbi” numur 200 i kryeqytetit, Partizani-Tirana 2-1, një ndeshje që dhuroi emocion në fushën e lojës nga të dyja skuadrat. Tirana më pranë golit që në pjesën e parë, por dukej se rrjetat ishin përcaktuar të shkundeshin vetëm në 45 minutat e dyta. Partizani u tregua më këmbëngulës dhe i saktë para portës bardheblu, duke marrë fitoren që e rendit në vendin e 2-të. Por në këtë “derbi”, shëmtia me hedhjen e stolave në fushën e lojës nga tifozët, sikur ia prishi bukurinë kësaj sfide jubilare mes këtyre dy skuadrave të mëdha në futbollin shqiptar. Një “Derbi” i dyfishtë në fushë, lojtarë-stola, e në fund tifozë-tifozë.

KUPA E SHQIPËRISË

Kalojnë turin dy skuadra të Kategorisë së Dytë!

Këtë mesjavë u luajtën ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Nisën të martën me fitoren e Flamurtarit 2-0 me AF Luftëtari, dhe fitorja në transfertë e AF Elbasanit, 3-0 ndaj Besëlidhjes. Në ndeshjet e ditës së mërkurë veçohet kualifikimi i Skënderbeut pa luajtur, pasi Delvina nuk u paraqit në Korçë, ndërsa nga skuadrat e tjera e siguruan kualifikuan për turin tjetër, veçohen Oriku e Turbina, dy skuadrat e Kategorisë së Dytë. Çiftet e turit të dytë (1/16) janë: Bylis-Vora, Skënderbeu-Turbina, Dinamo, Oriku, Flamurtari-Burreli, Tomori-Lushnja, Korabi-Besa dhe Apolonia-Luzi. Ndeshjet e këtij turi luhen më 6 dhjetor, dhe janë me një takim.