Intervista/ Aleko Bregu: Futbolli s’ka stabilitet, nuk ka terrene sportive

140

INTERVISTA/ Rrëfehet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares, Aleko Bregu

Sigal

 

Nga Agron Kaja

“Një nga defektet e futbollit shqiptar është vështirësia për të nxjerrë elementë të rinj, sepse nuk ka terrene sportive. Në futbollin tonë ka më pak fusha se sa fëmijë që stërviten. Pikërisht kjo mangësi po rregullohet te Dinamo, me një strategji ndryshe.”

 

Kombëtarja luajti ndeshjen e parë në eliminatoret e Kampionatit Europian, si e shikoni sot atë humbje ndaj polakëve në Varshavë?

Mund të them se ishte një humbje dinjitoze, ishte një ndeshje e mirë me një qarrkullim topi të kënaqshëm. Treguam aftësi në qarrkullimin e topit, por na mungoi shënimi i golit para portës kundërshtare, edhe pse rastet na u krijuan.

Nga ajo ndeshje me Poloninë, përfitoi ndonjë element trajneri Silvinjo?

Në vendosjen taktike skuadra ishte mirë, edhe pse kishim mungesat e Gjimshitit, Brojës dhe Bares. Ndoshta kjo vendosje bëri që edhe futbollistët të tregonin më shumë vlerat e tyre, ku natyrisht që spikatën të gjithë, por Hasani ishte më evident.

Me lojën që zhvilloi, mundet të shkojë larg kjo kombëtare?

Nëse i referohemi lojës që Kombëtarja jonë zhvilloi në Poloni, mendoj se duhet t’i marrë ndeshjet me rradhë. Nuk mund të parashikohet sa larg do shkojmë dhe për këtë të eliminojmë sa më shumë euforinë, sepse edhe skuadrat e tjera janë të forta.

Kthehemi te futbolli shqiptar, cilën ndeshje e veçon nga java e 27-të e Superiores?

Duke ju referuar kalendarit të ndeshjeve të kësaj jave, mendoj se skuadrat e kreut do të kenë përballje të forta dhe të vështira. Dhe referuar renditjes në 26 javë, unë të gjitha ndeshjet i shikoj të vështira edhe nga këndvështrimi i synimeve.

Kjo javë e 27-të mbyll fazën e tretë, mundet të jetë vendimtare për vazhdimin e synimeve të skuadrave?

Nëse shohim renditjen nga pikët, skuadrat janë shumë afër mes tyre. Ndaj të gjitha ndeshjet i shikoj të paparashikueshme dhe të vështira. Deri në fund, ndeshjet e mbetura do të jenë si finale. Besoj se kjo është një fazë kalkulimesh.

Po Superiorja, ka element, që mund të afrohen te Kombëtarja?

Është e vështirë këtu që t’i mbash elementët, që mund t’i shërbejnë edhe Kombëtares. Them se ka, por me nivelin që kemi në Superiore, është e vështirë që t’i mbash talentet në Shqipëri. Por brenda saj ka elementë për Kombëtaren.

Nga java e 21-të e Kategorisë së Parë, veçoni ndonjë ndeshje delikate, apo të gjitha janë të tilla?

Edhe në këtë kategori, të gjitha ndeshjet duken të vështira, për të njëjtat arsye si te Superiorja. Por unë do veçoja sfidën Dinamo-Korabi si më të rëndësishme, sepse një fitore e afron te titulli, dhe po kështu edhe ndeshja Skënderbeu-Apolonia.

Në gjithë hapësirën e futbollit shqiptar, çfarë mendoni se e pengon zhvillimin bashkëkohor të tij?

Një nga defektet e futbollit shqiptar është vështirësia për të nxjerrë elementë të rinj, sepse nuk ka terrene sportive. Në futbollin tonë ka më pak fusha se sa fëmijë që stërviten. Pikërisht kjo mangësi po rregullohet te Dinamo, me një strategji ndryshe.

ABISSNET SUPERIORE

Java e 27-të

Datë 1 prill 2023

Kukësi-Egnatia               16:00

Vllaznia-Bylis                16:00

Kastrioti-Laçi                 16:00

Teuta-Partizani               16:00

Tirana-Erzeni                 16:00

Renditja

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Partizani            26      44

2.Tirana                26      44

3.Egnatia              26      37

4.Erzeni                26      37

5.Vllaznia             26      37

6.Kukësi               26      35

7.Teuta                 26      34

8.Laçi                   26      33

9.Bylis                  26      28

10.Kastrioti           26      24

 

 

KATEGORIA E PARË

Java e 21-të

Datë 1 prill 2023

Oriku-Flamurtari            15:00

Tërbuni-Turbina             15:00

Lushnja-Besa                 15:00

Burreli-Besëlidhja          15:00

Skënderbeu-Apolonia     15:00

Tomori-Luzi                   15:00

Dinamo-Korabi              15:00

Renditja           

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Skënderbeu        20      38

2.Dinamo             20      37

3.Flamurtari          20      35

4.Korabi               20      32

5.Tomori              20      30

6.Besa                  20      28

7.Apolonia            20      28

8.Burreli               20      25

9.Tërbuni              20      24

10.Luzi 2008        20      23

11.Lushnja            20      22

12.Oriku               20      21

13.Turbina            20      19

14.Besëlidhja        20      16

Poshtë

 

KATEGORIA E PARË

Artur Çobani: Gjashtë javë si finale për Lushnjen

Ish-futbollisti i Lushnjes, Artur Çobani ka shumë nostalgji për skuadrën e tij të origjinës, edhe pse karriera e tij në futbollin shqiptar u zhvillua te Dinamo e Kombëtarja. Nisur nga situata e skuadrës lushnjare në 20 javë të luajtura në Kategorinë e Parë, Çobani ndjehet optimist për shpëtimin e rënies nga kategoria. “Më vjen keq që Lushnja është në këtë pozicion në fundin e tabelës, sepse është shpenzuar shumë për skuadrën. Ka shumë elementë me eksperiencë që këto gjashtë javë të mbetura t’i luajnë si finale. Në mos shpëton, të dalë në play-off”. Ndërsa për situatën e skuadrave të tjera ai shikon një “trio” në luftën për ngjitje në Superiore. “Kjo javë ka ndeshje interesante. Fitorja e Dinamos në Vlorë e intrigoi kampionatin dhe me Korabin nuk e ka të lehtë, dibranët janë skuadër e stabilizuar”.

KUPA E SHQIPËRISË

Gjysmëfinale që vlejnë sa një sezon

U hodh dje shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku goglat përcaktuan çifte të vështira dhe interesante. Në takimet e para, Vllaznia pret në fushën e saj Egnatian, një mundësi për të dyja skuadrat ka patur sa më pranë Europën. Tirana dhe Teuta janë çifti që e synojnë këtë trofe si objektiv të sezonit. Takimet e para luhen më 26 prill, ato të kthimit më 11 maj, ndërsa finalja do të luhet në “Air Albania” në datën 1 qershor 2023.

Shorti i gjysmëfinaleve

Datë 26 prill 2023

Vllaznia-Egnatia

Tirana-Teuta

Datë 11 maj 2023

Egnatia-Vllaznia

Teuta-Tirana

 

PESHËNGRITJE, BOTËRORI U17

Enkileida Carja me dy medalje bronxi

Nga dita e shtunë 25 mars, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës është duke u zhvilluar Kampionati Botëror i Peshëngritjes për të Rinj U17. Në këtë event marrin pjesë 268 peshëngritës, 133 vajza dhe 135 djem nga 57 vende të Botës. Shqipëria përfaqësohet me pesë shtangistë: Enkileida Carja për femra dhe Flavio Alliaj, Antonino Mullisi, Samoel Rrasa dhe Mariglen Kofsha për meshkuj. Në këto gara veçohet peshëngritësja Enkileda Carja që fitoi dy medalje në garën 57kg. Ajo arriti që të fitojë medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes me 87 kg dhe në stilin e shtytjes ngriti 100 kg. Me 187 kg në dygarësh ajo fitoi medaljen e dytë të bronxit duke shënuar suksesin e saj personal, njëherësh edhe atë kombëtar. “Unë e prisja këtë rezultat. Bashkë me trajneren time kasha punuar shumë për këtë botëror. Këtë sukses ia dedikoj gjithë atyre që më kanë mbështetur, familjes dhe trajneres sime”, kështu e tregon këtë sukses Enkileida Carja. Kampionati mbyllet nesër më 1 prill 2023.

 

KOMBËTARJA/ Si duhet vlerësuar shprehja e shumëpërsëritur pas një disfate

Mos duhet t’i harrojmë “humbjet dinjitoze”?

Nga Agron Kaja

“Që të themi se pësuam një humbje dinjitoze, është njësoj sikur t’u thuash atyre mbrojtësave në rastin e pësimit të golit se nuk ka problem që gabuat në atë mënyrë amatoreske. Që ta shesësh humbjen për dinjitet, është njësoj sikur t’i thuash dikujt se mossuksesi yt të forcon moralin!”

E hëna e 27 marsit ishte dita e premierës së skuadrës sonë Kombëtare në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian. Grupi E. Kombëtarja jonë u ndesh me Poloninë, një kundërshtar që parashikohet si favorite e parë në këtë grup për t’u kualifikuar. Dhe ne luajtëm në Varshavë me motivimin e zakonshëm që ka kushdo skuadër futbolli kur luan edhe në transfertë: do të luajmë për të marrë maksimumin (fitoren ose barazimin). Por ky objektiv i shpallur nga trajneri dhe lojtarët nuk u arrit. Përkundrazi, pas minutës së 90-të suksesi u arrit nga skuadra polake. Pra, ne asnjë objektiv tonin nuk e arritëm në  këtë ndeshje dhe shumëkush mund të thotë se luajtëm mirë. Keqardhje që nuk morrëm barazimin, etj, etj. Por a duhet të themi më parë se pse nuk arritëm të mbroheshim mirë, jo vetëm në rastin e pësimit të golit, ose pse nuk arritëm të shënonim, edhe pse rastet na u krijuan. Por është thënë se kemi luajtur shumë mirë dhe kemi pësuar një humbje dinjitoze, një refren ky që përsëritet sa herë kur nuk arrihet minimalja e një synimi. Dhe pse duhet të jemi të kënaqur me lojën e mirë që zhvilloi skuadra jonë, me ata tifozë që mund të quhen si fitorja reale, në Varshavë ne nuk kemi marrë frytin: as fitoren dhe as barazimin. Që të themi se pësuam një humbje dinjitoze, është njësoj sikur t’u thuash atyre mbrojtësave në rastin e pësimit të golit se nuk ka problem që gabuat në atë mënyrë amatoreske. Që ta shesësh humbjen për dinjitet, është njësoj sikur t’i thuash dikujt se mossuksesi yt të forcon moralin! Çfarë fituam nga dinjiteti që treguam, dhe çfarë duhet të kuptojmë me humbje dinjitoze kur duhet rezultati pozitiv? Zakonisht të tilla shprehje përdoren në disa arsye: Së pari, për të mbuluar dështimin, dhe së dyti për të treguar se fati nuk ishte me ne. Po po, por në renditjen e grupit nuk ka skuadër që quhet “humbje dinjitoze”. Sepse në vendin e fundit është Shqipëria me zero pikë, dhe janë pikët që duhet të flasin para dinjitetit. Pa dashur të errësojmë atë çka u prodhua në fushën e lojës nga skuadra jonë, apo edhe nga elementët e rinj e të tjerët cilësorë, që patën mundësinë të luanin në atë takim, por të gjithë ata nuk kanë patur si objektiv të arrinin një humbje dinjitoze. Realisht, me këtë shprehje mbulohen mangësitë dhe justifikohet disfata. Këto janë efektet që të sjell një humbje e tillë “dinjitoze”, si ajo me Poloninë më 27 mars 2023.

Mos duhet t’i harrojmë “humbjet dinjitoze” dhe të tilla të quajmë fitoret, pse jo edhe barazimet në transferta të tilla?

KAMPIONATI EUROPIAN

Ndeshjet e luajtura/ Grupi E

Të premten, 24 mars 2023

Rep. Çeke-Poloni           3-1

Moldavi-Ishujt Faroe      1-1

Të hënën, 27 mars 2023

Moldavi-Rep. Çeke         0-0

Poloni-Shqipëri              1-0

Rrenditja

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Rep. Çeke          2        4

2.Polonia              2        3

3.Moldavia           2        2

4.Ishujt Faroe        1        1

5.Shqipëria           0        0

Stoli i Italisë punon me “dridhje”

Pas rreth shtatë viteve, kur drejtoi Italinë në ndeshjen çerekfinale me Gjermaninë në “Euro 2016”, Antonio Konte nuk ishte përmendur asnjëherë si alternativë e rikthimit në stolin “Axur”. Kjo situatë vjen pasi Roberto Mançini është duke punuar me “dridhje” në drejtimin e skuadrës së Italisë, njëherësh edhe për faktin se ai është kthyer në kërkesën bazë për stolin e PSG-së dhe Antonio Konte është larguar nga bankina e Totenhem në Angli. Ky sinjal erdhi nga pas ndeshjes së Italisë në Maltë, se raportit mes Mançinit dhe federatës italiane i ka ardhur fundi. Gazeta “Republica” në “on line” shkruante se marrëdhëniet janë të tensionuara, trajneri i pamotivuar dhe një divorc i afërt mes palëve.

Formula 1, Verstapen premton sukses në Australi

Në muajin mars 2023 Formula 1 nisi sezonin me dy garat e zhvilluara në Bhrein dhe Arabi Saudite. Në këto dy gara kanë triumfuar dy pilotët e skuderisë Red Bull: Maks Verstapen dhe Serxhio Perez, duke i bërë një nisje shumë pozitive këtij sezoni. Të dielën garat zhvendosen në Australi dhe holandezi Verstapen është optimist për fitimin e garës. “Dua ta përsërit triumfin e sezonit të kaluar edhe në këtë sezon. Në Australi do luftoj për podiumin dhe përmirësimin e kohës së sezonit të kaluar”. Sezonin e kaluar këtë garë e fitoi Çarls Lekrerk i Ferrarit, me kohën 1:27:46.548. Provat zyrtare nisin sot të premten më 31 mars, ndërkohë që gara zyrtare zhvillohet të dielën më 2 prill në pistën “Albert Park Circuit” të Melbournit, 5.278 kilometra e gjatë.