Iniesta: Do të ishte diçka e bukur nëse Mesi e mbyll te Barcelona!

105
Sigal

Andres Iniesta dhe Lionel Mesi i kanë dhuruar jo pak kënaqësi klubit dhe tifozëve të Barcelonës për vitet kur kanë qenë së bashku në fushë. Ata ishin pjesë e gjeneratës së artë të klubit katalanas që fitoi gjithçka dhe gjatë një interviste të dhënë për gazetën spanjolle “Sport”, Andres Iniesta ka folur rreth mundësisë së kthimit të Leos në “Camp Nou”.

“Nuk e di se çfarë të them me saktësi, sepse nuk jam në brendësi të punëve që mund të më lejojë të flas më qartë. Di që Leo Mesi është lojtari më i mirë në botë, di që është pjesë e Paris SG-së. Por natyrisht si një barcelonas i thekur dhe duke parë trashëgiminë që ai ka lënë te Barcelona, unë do të shpresoja që një ditë, Leo Mesi të kthehet. Unë mendoj se do të ishte diçka spektakolare nëse Mesi do të kthehej përsëri në klub për t’i dhënë një lamtumirë siç dihet këtij klubi. Ai e meriton plotësisht, por unë di të them se për Barcelonën do të jetë jo pak e ndërlikuar për ta kthyer Mesin në klub”, ka deklaruar Iniesta për gazetën “Sport”.

Iniesta ka folur edhe për suksesin e Argjentinës në kampionatin botëror në Katar, ku Leo Mesi ishte lokomotiva e skuadrës pavarësisht 35 viteve mbi supe.

“Unë mendoj se Argjentina dhe Leo Mesi e merituan plotësisht suksesin në Katar. Ata kanë zhvilluar një garë të shkëlqyer. Ne mund të pëlqejmë diçka më shumë e diçka më pak nga paraqitja e Argjentinës, por askush nuk mund të vërë në mëdyshje triumfin e tyre. Nuk dua të merrem me thashetheme e me opinione të pabaza. Realiteti është se Leo Mesi e ka dhe një kupë bote që i mungonte dhe ndjesitë janë të mrekullueshme”, shtoi ai.