Ilirjan Përmeti: Me Dinamon e Zagrebit, një ndeshje historike, jo vetëm për Skënderbeun

704
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Drejtori Ekzekutiv i FK “Skënderbeu”, situata para ndeshjes në play-off me kroatët dhe merkatua
Në tetë sezone si Drejtor Ekzekutiv i FK “Skënderbeu”, si ndjeheni sot në këtë pozicion, me skuadrën e vetme shqiptare që luan në Evropë?
Të them të drejtën, në këto tetë vite në pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv te FK “Skënderbeu”, ndjehem shumë mirë, sepse jam përfaqësues i të vetmit ekip shqiptar të futbollit që luan kaq me dinjitet në Shqipëri dhe Evropë. Kjo është një periudhë mbresëlënëse, dhe personalisht ndjehem krenar për gjithçka kemi arritur. E kemi filluar nga minusi, dhe jo nga zero, e duke qenë këtu sot, unë e ndjej veten të vlerësuar e të respektuar.

Si është gjendja aktuale e skuadrës së Skënderbeut, pas ndeshjes së parë me Dinamon e Zagrebit që u luajt javën e kaluar në Kroaci?
Natyrisht që është një situatë optimiste, sepse kemi të bëjmë me një skuadër profesioniste, e cila ka përvojë edhe në përfaqësimin në Evropë. Ne kemi synimet tona dhe do të bëjmë maksimumin tonë në fushën e lojës që të arrijmë kualifikimin, i cili do të jetë një moment historik për ne, por edhe për futbollin shqiptar në tërësi.

Incidenti që ndodhi me policinë maqedonase pas kthimit nga Zagrebi, ka ndikuar në ecurinë e stërvitjes së kësaj jave?
Absolutisht jo! Ne jemi të suksesshëm në kalimin e pengesave e vështirësive, dhe ato që i kalojmë, i lemë prapa. Ekipi dhe stafi mbajtën një qetësi e gjakftohtësi qytetare ndaj atij provokimi. Edhe sot nuk e dimë arsyen e atij provokimi, por çudia bëhet edhe më e madhe, kur mendon se edhe ata që kanë privim lirie, nuk privohen nga nevojat personale dhe ato jetike.

Më shumë se sa një provokim ndaj Skënderbeut, mund të jetë ky incident edhe si një paralajmërim për çka mund të ndodhë në ndeshjen e Kombëtares në Strumicë?
Unë nuk dua të aludoj dhe të vendos gishtin pikërisht aty, por ne bëmë detyrën tonë si njerëz të kulturuar, të arsyeshëm e si shqiptarë të moderuar. Për atë rast u informua edhe Presidenti Ardian Takaj, ndaj për ne, deri këtu ishte.

Edhe dy ditë na ndajnë nga zhvillimi i ndeshjes me Dinamon e Zagrebit, e ka të gatshme skuadrën Skënderbeu?
Momentalisht, e gjithë skuadra ka qenë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja, dhe është stërvitur normalisht. Gjithçka për këtë situatë, i përket stafit teknik, ndërsa nga ana jonë si klub, është bërë çdo gjë në ndihmë të strvitshmërisë së skuadrës gjatë këtyre ditëve. Jam i informuar, se të gjithë lojtarët që luajtën në Zagreb ndeshjen e parë, kanë gjendje të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Daja.

Ju si klub futbolli, i keni marrë të gjitha masat për organizimin e ndeshjes të enjte në “Elbasan Arena”?
Të gjitha masat janë marrë, madje edhe shumë rigoroze, sepse ky është një event shumë i madh, që ka marrë interesim nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm nga tifozeria korçare. Nga ne si klub futbolli, është bashkëpunuar me Policinë, me UEFA-n dhe me pushtetin lokal në Elbasan, për të pasur një ndeshje perfekt në të gjithë elementët e saj. Për Skënderbeun është hera e tretë që luan në play-off, dhe mendojmë se i kemi kapacitetet për të mirëorganizuar një aktivitet ndërkombëtar.

Po tifozët korçarë, çfarë hapësire do të kenë për ta ndjekur live këtë sfidë?
Për tifozët i kemi marrë të gjitha masat, që nga organizimi, udhëtimi dhe akomodimi në stadium. Në të gjitha qytetet e Prefekturës së Korçës, u kemi bërë thirrje qytetarëve që kanë mundësinë të vijnë në stadium, ta përkrahin skuadrën në këtë sfidë historike. Në Elbasan, nuk do të lemë asnjë tifoz jashtë stadiumit, të gjithë do të kenë mundësinë që ta shohin ndeshjen.

Çfarë kërkoni nga skuadra për këtë përballje, të cilën e quajtët historike?
Skuadra ka bërë përgatitje shumë të mirë për këtë ndeshje dhe duhet të japë maksimumin në fushë. Nëse këto dy elementë bashkohen mirë gjatë lojës, kualifikimi do të jetë edhe më i sigurt.

Gjatë kësaj periudhe, keni vijuar paralelisht edhe me merkaton, do të keni prirje të reja deri më 31 gusht që është afati i fundit zyrtar?
Skënderbeu kërkon të ecë përpara, në nivele edhe më të larta. Kështu që ne jemi në kërkim të elementëve të rinj deri në ditën e fundit të merkatos. Strategjia jonë është që, në sezonin e ardhshëm, të kemi një skuadër, e cila të jetë e denjë të luajë deri në grupet e Ligës së Kampioneve.

Pas 20 ditëve do të nisë sezoni i ri 2017-2018, cilat do të jenë synimet e Skënderbeut?
Kjo skuadër është e projektuar për të qenë në majën e futbollit shqiptar, dhe natyrisht që synim janë të gjitha trofetë, me objektiv primar Kampionatin e përfaqësim dinjitoz në Evropë. Do të jetë një sezon i gjatë, por ne i kemi të gjitha mundësitë e kapacitetet që të fitojmë Titullin Kampion.
Kjo skuadër është e projektuar për të qenë në majën e futbollit shqiptar dhe, natyrisht, që synim janë të gjitha trofetë, me objektiv primar Kampionatin e përfaqësimin dinjitoz në Evropë. Do të jetë një sezon i gjatë, por ne i kemi të gjitha mundësitë e kapacitetet që të fitojmë Titullin Kampion
UEFA Evropa Ligë
Sezoni 2017-2018 
Turi Play-off / Ndeshja e parë
Datë 17 gusht 2017
Dinamo Z-Skënderbeu1-1
Turi Play-off / Ndeshja e dytë
Datë 24 gusht 2017 
Skënderbeu-Dinamo Z 20:00
Gjyqtar: Istvan Vad (Hung)
Stadiumi: “Elbasan Arena”
Çmimet e biletave
Tribuna VIP/ 4000 lekë
Tribuna B3/ 2000 lekë/ 
Tribunat A2, A3, B2, B4
1500 lekë
Tribunat A1, A4, B1, B5 
1000 lekë 
Tribuna E/ 500 lekë 
Tribunat D, F/ 400 lekë 
Tribunat G, C/ 200 lekë
Sigal