Ilir Daja: Luftëtari mbetet kundërshtar i fortë, por në Gjirokastër shkojmë për fitore

614
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Sot rinis gjysma e dytë e sezonit, trajneri i kryesuesve, të Skënderbeut tregon për “Telegraf” synimet e sfidës të javës së 17-të
Dje në mesditë, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka folur zyrtarisht për rinisjen e pjesës së dytë të sezonit 2017-2018. Në bisedën e tij me gazetën “Telegraf”, tekniku i korçarëve foli për situatën në skuadër, por më shumë u përqendrua tek ndeshja e sotme me Luftëtarin, që sipas tij, në Gjirokastër është një transfertë e vështirë. “Luftëtari është një kundërshtar që i ka bërë një mbyllje shumë të mirë gjysmës së parë të këtij sezoni, dhe aktualisht ka një gjendje të mirë. Kjo na i bën gjërat edhe më të vështira, por që nuk na ndryshon objektivin, sepse ne shkojmë në këtë sfidë vetëm për ta fituar, dhe për këtë jemi përgatitur”, kështu deklaroi dje tekniku i Skënderbeut, në një ditë para ndeshjes së sotme me Luftëtarin. 
Pas një muaji ndërprerje, nesër (sot) rinis Kategoria Superiore, si është përgatitur Skënderbeu për këtë pjesë të dytë të sezonit?
Përgatitjet e skuadrës sonë kanë qenë normale, ku jemi përqendruar në të gjithë treguesit që të mundëson kjo hapësirë stërvitore gjatë muajit janar. Përgatitjet kanë qenë në nivele të mira dhe skuadra i është përgjigjur me seriozitet programit, ndërkohë që edhe në ndeshjet miqësore, reagimi ka qenë shumë pozitiv. 

E quani një periudhë stërvitore të kënaqshme?
Për aq kohë sa kishim në dispozicion, ne në Antalia bëmë më të mirën e mundshme. Ekipi i Skënderbeut ka qenë i kompletuar në gjysmën e parë të këtij sezoni, e në këtë periudhë ne jemi munduar ta futim skuadrën në ritmin e duhur. Ato që i kemi menduar si mangësi në 16 javët e luajtura, shpresoj të minimizohen sa më shumë në fushën e lojës.

Nesër (sot) Skënderbeu do të jetë mysafir në Gjirokastër, si është përgatitur skuadra për këtë sfidë të javës së 17-të?
Përgatitjet tona në këtë periudhë kanë qenë në shërbim të të gjithë kohës së mbetur të këtij sezoni, ndërsa për ndeshjen në Gjirokastër, gjatë kësaj jave kemi punuar në disa aspekte të lojës. Sepse do të kemi një kundërshtar të vështirë, aq më shumë që kjo ndeshje për ne luhet në transfertë.

Si është gjendja e skuadrës suaj në prag të kësaj ndeshjeje ndaj Luftëtarit në Gjirokastër?
Realisht, ekipi ynë është në një formë të mirë, të gjithë futbollistët, jo vetëm që kanë ruajtur gjendjen e mirë fizike nga gjysma e parë e këtij sezoni, por është shumë më mirë fizikisht. E gjitha kjo, shpresojmë të japë efekte pozitive, që në ndeshjen me Luftëtarin.

Duket sikur e mbivlerësoni Luftëtarin kështu apo jeni realist për sa e njihni këtë kundërshtar?
Luftëtari është një kundërshtar që i ka bërë një mbyllje shumë të mirë gjysmës së parë të këtij sezoni, dhe aktualisht ka një gjendje të mirë. Kjo na i bën gjërat edhe më të vështira, por që nuk na ndryshon objektin, sepse ne shkojmë në këtë sfidë vetëm për ta fituar, dhe për këtë jemi përgatitur. 

Duke qenë se te Luftëtari luajnë dy futbollistët që janë pjesë e juaja: Abazaj dhe Bregu, në këtë këndvështrim, ju lehtësohet synimi për fitore?
Kam dëgjuar e lexuar në media, se do të jetë e lehtë kjo ndeshje për ne, pasi tek kundërshtari gjejmë edhe dy futbollistë që realisht janë pjesë e së ardhmes në organikën tonë, Bregu me Abazajn. Unë ata i mendoj profesionistë, dhe natyrisht që do ti shërbejnë ekipi të tyre aktual.

Jeni të plotësuar me merkaton që keni bërë gjatë muajit janar 2018?
Në merkato, në skuadrën tonë janë afruar Krasniqi dhe Vila. Të dy janë futbollistë të vlefshëm dha gjatë kësaj periudhe janë përshtatur me ekipin. Por në filozofinë e klubit tonë, vëmendje kanë edhe futbollistët e rinj të talentuar, të cilët duke qëndruar me këtë grup do të rriten shpejt për të veshur fanellën e Skënderbeut në të ardhmen.

Do të keni mungesa të titullarë në formacionin që do të hidhni në fushën e lojës ndaj Luftëtarit?
Po, aktualisht kemi dy mungesa: Takun dhe Souenë. I pari nuk është bashkuar ende me skuadrën në këtë ditë përgatitjeje, ndërsa për Souenë nuk duam të rrezikojmë. Aktivizimi i tij varet nga ecuria e lojës dhe e rezultatit, por ne jemi ekip me kontingjent të plotë, dhe për zëvendësuesit e tyre mund të them fjalët më të mira. 
Për ne është një transfertë e vështirë, sepse Luftëtari pati vazhdimësi në lojë dhe rezultate në fund të vitit. Por, ne synojmë ta nisim aty ku e kemi lënë, pra me fitore, edhe pse te skuadra e Gjirokastrës ndihet dora e trajnerit Hasan Lika në ekuilibrat e lojës
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Të premten, 26 janar 2018 
Kamza-Laçi 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Partizani 17:00
Vllaznia-Kukësi 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal