Hysaj: Dua titullin me Napolin, ky ishte basti i karrierës sime

253
Viti 2016 nuk kishte si të fillonte më mirë për Elseid Hysajn. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare po i gëzohet vendit të parë në klasifikimin e Serisë A, ku Napoli, ashtu si vetë 21-vjeçari shqiptar, ka tejkaluar çdo parashikim të fillimit të sezonit, duke fituar, por edhe argëtuar. Por Hysaj e ka kuptuar se titulli “Kampion dimri” që u sigurua nga skuadra e tij të dielën ka shumë pak vlerë dhe se trofetë e vërtetë janë ata që sigurohen në fund të sezonit.
“Të jesh kampion dimri nuk ka shumë rëndësi, më mirë të fitosh titullin kampion në fund. Vendi i parë ka presion, sepse me kalimin e ndeshjeve duhet ruajtur me patjetër ky pozicion. Ne të gjithë e dimë që nuk duhet të na kapë euforia e tifozëve. Do shikojmë vetëm në tri ndeshjet e fundit se cila skuadër është në vend të parë dhe cila në të dytin”, ishin fjalët e tij në një intervistë të dhënë për “Zona Gol”.
Napoli është rritur ndeshje pas ndeshjeje, ashtu si futbollisti shqiptar, i cili ka bindur edhe ata që nuk besonin se djaloshi që vinte nga Empoli mund të përballej me kërkesat e një klubi me synime ambicioze. “Nuk ka krahasim mes Empolit dhe Napolit. Ishte një ambient shumë i vështirë për mua në fillim, por e pashë si një investim për veten. Thashë ‘do të shkoj në Napoli, do e provoj dhe do rrezikoj, ose jam futbollist i madh, ose lojtar për Serinë B apo për ekipe të vogla në Serinë A’. Kjo ishte një provë e karrierës sime, por edhe sikur të më thoshin në fillim të firmosja për një sezon të tillë, nuk do ta kisha besuar. Jam përmirësuar shumë në mbrojtje, në një kundër një është e vështirë të më kalosh, sepse kur stërvitesh çdo ditë me lojtarë si Mertens, Insinje ose Higuain, bëhet gjithçka më e thjeshtë kundër lojtarëve të tjerë. Por akoma nuk kam arritur në maksimumin tim, shpresoj të vazhdoj kështu e të mos ndalem”, u shpreh ai.
Sipas Hysajt, kjo eksperiencë e ndihmon të mësojë aspekte të tjera të “profesionit” të një mbrojtësi, pasi mes kombëtares dhe Napolit, ai luan dy mënyra të ndryshme loje. “Te Napoli mbajmë topin dhe luajmë me mbrojtje zonale, ndërsa në kombëtare duhet të mbulojmë secili lojtarin e tij. Janë mendime të ndryshme, që kanë sjellë shumë përmirësime si te Napoli ashtu edhe në kombëtare. Në përfaqësuese jemi lojtarë që vrapojmë e kemi zemër të madhe. Kjo është loja jonë prej tre vjetësh dhe nuk mund ta ndryshojmë”, deklaroi Hysaj, i cili është zgjedhur në formacionin ideal të Serisë A për pjesën e parë të sezonit.