Hulian Rubio: “Tirana ime meriton një dhjetë me yll”

544
Sigal

Bardheblutë me në krye trajnerin spanjoll mundën 2-1 Skënderbeun në finalen e Superkupës së Shqipërisë

 Një Tiranë, që e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë, fitoi për herë të dhjetë Superkupën e Shqipërisë, duke mposhtur 2-1 Skënderbeun kampion, në finalen e zhvilluar në “Qemal Stafa”, ndërkohë që për trajnerin spanjoll të bardhebluve kjo ishte hera e dytë që e fitonte trofeun e tretë për nga rëndësia në vend. Rubio, i cili ka fituar tre trofe në Shqipëri, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë, që të tria në finale me Skënderbeun, u shpreh tepër i lumtur për suksesin. Tirana kaloi e parë në avantazh me anë të riut Afrim Taku (39’), ndërsa Sebino Plaku barazoi përkohësisht për Skënderbeun në minutën e 51-të. Fitoren e Tiranës e vendosi autogoli i Marko Radasit të Skënderbeut, në minutën e 89-të.

 Zoti Hulian Rubio, së pari urime për fitimin e Superkupës së Shqipërisë, në një ndeshje që u vendos me autogolin e Skënderbeut në fund të ndeshjes. Si do ta vlerësonit këtë trofe?

Është e natyrshme, që jam shumë i lumtur. Edhe pse fati i ndeshjes u vendos në fund, ne kemi pasur shumë raste për gol, pra mund të zgjidhnim edhe më parë atë.

E dyta Superkupë me Tiranën, dhe që të dyja të fituara ndaj Skënderbeut. Një vit më parë e fituat në Korçë, kurse tani në kryeqytet. Çfarë do të thotë për ju?

Sigurisht, që është një bilanc i bukur. Për mua ishte shumë e rëndësishme. Dua ta ndaj atë me lojtarët, stafin teknik dhe të gjithë tifozët. Nuk dëshiroja që ky trofe t’i mungonte klubit.

E mundët Skënderbeun, duke luajtur minutat e fundit me nëntë lojtarë. Kaq e lehtë është për ju të mundni kampionët në fuqi?

Jo, jo. Nuk do ta konsideroj aspak të lehtë. Dua të falënderoj Skënderbeun. Ishte një rival shumë i fortë. Një nga ekipet më të mira në vend. Ishim të dy finalistë dhe kjo do të thotë shumë.

A është ky një ogur i mirë para fillimi të kampionatit, që nis javën e ardhshme?

Po, mund të jetë. Por, ju e dini kampionati nuk është një ndeshje.

A është më e lehtë të fitosh Kupën dhe Superkupën se kampionatin?

Është më e lehtë të fitosh një ndeshje. Në futboll shpesh thuhet: një ndeshje nuk luhet, por ajo fitohet.

Rubio, dy Superkupa dhe një Kupë, barazoheni për nga numri i trofeve me malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, që ka fituar po tre trofe me Vllazninë, një kampionat, një Kupë dhe një Superkupë. Çfarë kënaqësie ju jep kjo statistikë?

Nuk e kam ditur. Por, është diçka e bukur. Gjithsesi, jam një njeri që nuk u jap shumë rëndësi statistikave. Dua ta ndaj këtë trofe dhe me përgatitësin fizik, i cili ka punuar me ne.

E keni mundur në tri finale Skënderbeun, kundër tre trajnerëve të ndryshëm, Shpëtim Duros dhe Mirel Josës në Superkupë, si dhe çekun Stanislav Levi në Kupën e Shqipërisë. Cili është komenti juaj?

Dua të tregohem i sinqertë. Unë jam një person që vlerësoj punën e lojtarëve, dhe kurrë nuk e konsideroj një gjë si suksesin tim personal.

Pas fitimit të Superkupës, a mund të presim edhe firmën në kontratë?

Problemi im nuk është kontrata. Unë e kam dhënë fjalën time. Kërkoj seriozitet. Siç e kam dhënë fjalën time, dua të mbajnë edhe drejtuesit e klubit.

Rubio, ju jeni trajneri i vetëm i huaj në 14 skuadrat e Kategorisë Superiore. Sa ku intrigon kjo sfidë?

Kjo është një krenari për mua. E konsideroj dhe një sfidë. Mua më pëlqejnë ato, ndryshe do të kisha ikur sapo përfundoi sezoni i kaluar.

15 trajnerët fitues të Superkupës

 19 finalet e luajtura deri tani të Superkupës së Shqipërisë kanë parë 15 trajnerë fitues: Sulejman Mema (2), Edmond Liçaj (2), Sulejman Starova (2), Shkëlqim Muça (2), Hulian Rubio (2, Bejkush Birçe (1), Dashamir Stringa (1), Vasil Bici (1), Miklosh Temeshvari (1), Dervish Haxhiosmanoviç (1), Enver Haxhiabdiç (1), Mirel Josa (1), Zllatko Daliç (1), Ilija Lonçareviç (1) dhe Shpëtim Duro (1) dhe

Ilion Lika

Kapiteni i Tiranës, Ilion Lika: “Ishte merita e gjithë ekipit dhe stafit teknik, por dhe tifozëve të mrekullueshëm. Trofeu i parë me Tiranën, si kapiten? Nuk ka asnjë rëndësi, i rëndësishëm ishte trofeun. Fati ishte me ne. Gjej rastin të falënderoj të gjithë besimtarët myslimanë, pasi ishte festa e tyre sot (dje)”

Afrim Taku

Taku shënoi golin e parë për Tiranën: “Është një ndeshje speciale, pasi e fituam me nëntë lojtarë, pas daljes së Dushkut dhe Gilman Likës. Sa i kënaqur jam me golin? U bë një vit që nuk kisha shënuar, por e bëra atë në momentin më të bukur timin. Ia dedikoj trajnerët, lojtarëve dhe të gjithë tifozëve”

Klodian Duro

Mesfushori veteran i Tiranës: “Fitoren ia dedikoj të gjithë tifozëve bardheblu. Jam i lumtur që i shërbeva ekipit, edhe pse luajta pak minuta. Kur ekipi fiton, kjo është një gjë e bukur për mua. E mbyllëm sezonin e kaluar duke fituar Kupën dhe po e nisim edicionin e ri duke fituar Superkupën, tani duam kampionatin”.

FINALET E SUPERKUPËS DHE FITUESIT

1989: DINAMO-Tirana 2-0

1990: FLAMURTARI-Dinamo 3-3 (5-4 p)

1991: FLAMURTARI-Partizani 1-0

1992: ELBASANI-Vllaznia 3-2 (me shtesa)

1994: TIRANA-Teuta 1-0

1998: VLLAZNIA-Apolonia 1-1 (5-4 p)

2000: TIRANA-Teuta 1-0

2001: VLLAZNIA-Tirana 2-1

2002: TIRANA-Dinamo 6-0

2003: TIRANA-Dinamo 3-0

2004: PARTIZANI-Dinamo 1-0

2005: TIRANA-Teuta 0-0 (5-4 p)

2006: TIRANA-Elbasani 2-0

2007: TIRANA-Besa 4-2

2008: DINAMO-Vllaznia 2-0

2009: TIRANA-Flamurtari 1-0

2010: BESA-Dinamo 3-1

2011: TIRANA-Skënderbeu 1-0

2012: TIRANA-Skënderbeu 2-1

SHËNIM

1993: Nuk u dha trofeu

1995: Finalja nuk u luajt

1996: Nuk u dha trofeu

1997: Finalja nuk u luajt

1999: Nuk u dha trofeu

Finalja e Superkupës së Shqipërisë

Tirana, “mbretëresha” bardheblu fiton trofeun e 10-të

Kampionia e vendit ndëshkohet nga vetvetja, me një autogol në minutën e fundit të lojës, përballë fitueses së Kupës së Shqipërisë për edicionin që shkoi, në përballjen për trofeun e parë të një sezoni të ri. Fiton Tirana me rezultatin 2-1, falë golave të Takut në pjesën e parë dhe autogolit të Radasit, në limitin e kohës së rregullt të ndeshjes, duke superuar barazimin e përkohshëm të Plakut, për korçarët. Bardheblutë fitojnë Superkupën e Shqipërisë, ashtu si një vit më parë, po ndaj Skënderbeut. Vetëm se asokohe e bënte këtë brenda në Korcë, në ndeshjen e parë të Hulian Rubios në krye të Tiranës. Spanjolli bën bis në këtë trofe, duke përmbyllur një vit kalendarik të suksesshëm në krye të 24 herë kampionëve të vendit. Në drejtimin e kryeqytetasve, spanjolli ka fituar 3 trofe, dy herë Superkupën e Shqipërisë dhe një herë Kupën e Shqipërisë. Situatat nuk ishin të njëjta në këtë finale, si një vit më parë, dhe kjo vlente për të dyja kampet. Shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtim dhe përbërje, por nuk mund të thuhet se ishte zbutur rivaliteti, apo dëshira për ta fituar këtë trofe, çka u duk qartë edhe në fushën e “Qemal Stafës” të dielën në mbrëmje, pavarësisht se në aspektin financiar nuk vlen thuajse asgjë, përveçse marrjes se disa medaljeve.

SKENDERBEU – TIRANA  1-2

Golat: Plaku 51’ /Taku 39’, Radas 90’ (a)

 Skënderbeu: Shehi, Fagu (Bici 57’), Radas, Gvozdenovic, Arapi, S.Lilaj (Dimo 78’), Orelesi, Kuli (Kerciku 52’), Kuli, Plaku, Pejic. Trajner: Mirel Josa

 Tirana: I.Lika, Sina, Dushku, Pisha, Ahmataj, Karabeci (K.Duro 68’), Mucollari, G.Lika, Ferraj (Peposhi 10’ Kalari 83’), Taku, Cota. Trajner: Hulian Rubio

 Gjyqtar: Enea Jorgji (Elbasan)

 Kartonë të verdhë: Arapi 46’, S.Lilaj 63’, Orelesi 88’ / G.Lika  (2v) 46’, 90’, Dushku (2v)  65’, 83’

Kartonë të kuq: Dushku 83’, G.Lika 90’

GOLAT

Skënderbeu-Tirana 0-1: Taku 39’

Afrim Taku, pasi mori një top nga Erion Dushku, gjuan fort, në ecje e sipër, duke shënuar në portën e Shehit. Tirana e sheh veten në epërsi, kur kanë mbetur 6 minuta nga përfundimi i pjesës së parë.

Skënderbeu-Tirana 1-1: Plaku 51’

Në minutën e 51-të, duke përfituar edhe nga një vendosje e gabuar në mbrojtje e dyshes së qendrës së Tiranës, Pisha-Dushku, sulmuesi i Skënderbeut, Sebino Plaku barazon rezultatin dhe rihap ndeshjen.

Skënderbeu-Tirana 1-2: Radas 89’ (a)

 Klodian Duro ndërmerr një inkursion personal dhe pason për Likën. Shkodrani, nga a djathta, fut një pasim diagonal tokazi, i cili devijohet nga Radas, duke e dërguar në rrjetën e vet, duke shënuar autogol.

Gjashtë trajnerët e huaj që kanë fituar Superkupën

Trajnerët e huaj që kanë fituar Superkupën janë gjashtë. Miklosh Temeshvari është i pari i huaj që fitoi Kupën e Shqipërisë. Hungarezi e fitoi me Tiranën kundër Teutës (1-0, 2000). Malazezi Dervish Haxhiosmanoviç e fitoi me Vllazninë, në një finale të fituar 2-1 me Tiranën (2001). Boshnjaku Enver Haxhiabdiç e fitoi me Tiranën, në finalen kundër Dinamos (6-0, 2002). Kroati Zllatko Daliç e fitoi Superkupën (2008) me Dinamon, duke mundur në finale Vllazninë (2-0). Kroati Ilija Lonçareviç e fitoi (2009) me Tiranën, duke mundur 1-0 në finale Flamurtarin e Vlorës, me një gol të një vlonjatit Arbër Abilaliaj. Spanjolli Hulian Rubio e fitoi Superkupën në vitin 2011 dhe 2012, duke mundur 1-0 dhe 2-1 në finale Skënderbeun.

1999-2000  TIRANA-Teuta 1-0

MIKLOSH TEMESHVARI-Hasan Lika

2000-2001  VLLAZNIA-Tirana 2-1

D. HAXHIOSMANOVIÇ-Shkëlqim Muça

2001-2002  TIRANA-Dinamo 6-0

ENVER HAXHIABDIÇ-Faruk Sejdini

2007-2008  DINAMO-Vllaznia 2-0

ZLLATKO DALIÇ-Agim Canaj

2008-2009  TIRANA-Flamurtari 1-0

ILIJA LONÇAREVIÇ-Eqerem Memushi

2010-2011 Skënderbeu-TIRANA 0-1

Shpëtim Duro-HULIAN RUBIO

2011-2012  Skënderbeu-Tirana

Mirel Josa-HULIAN RUBIO 1-2