Hasan Lika: Jemi me sy e veshë nga Kampionati, Kupa zyrtarisht e vlerësuar

674
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ Flet për “Telegraf” trajneri i Luftëtarit, sot në Ballsh skuadra synon rezultat pozitiv
Nga Kampionati në ndeshjet e Kupës, si po e përballoni këtë ngarkesë?
Ne e quajmë normale, sepse jemi të përgatitur për të gjitha ngarkesat që sjell një sezon me ndeshjet në Kategorinë Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë. Edhe programi stërvitor është ndërtuar mbi bazën e kalendarit që kanë këto dy kompeticione.

Në këtë periudhë, si është gjendja e skuadrës në përgjithësi?
Pjesa më e madhe e skuadrës është e gatshme, dhe për ndeshjen nesër (sot) në Ballsh, jemi përgatitur me vlerësimin maksimal për Bylisin. Pa e nënvleftësuar se luan një kategori më poshtë se ne, por ne shkojmë për një përballje të vështirë.

Cili është synimi juaj në këtë ndeshje të parë të këtij turi?
Është e natyrshme që të synojmë një rezultat pozitiv në Ballsh, për ta pasur më të lehtë kualifikimin në ndeshjen e dytë këtu në Gjirokastër. Kjo është formula e Kupës, ndaj edhe rezultati pozitiv mbetet i vetmi synim në këtë sfidë të parë të 1/8-ve.

Nga Kupa në Kampionat, këtë fundjavë prisni Flamurtarin, si e prisni këtë sfidë?
Ne jemi me sy e veshë te Kampionati, pa nënvleftësuar edhe këto ndeshje të Kupës së Shqipërisë. Natyrisht që, ajo me Flamurtarin të shtunën do të jetë një ndeshje e vështirë, por duke qenë se në këtë mesjavë luajmë në Kupë, do t’i lija kohë përgjigjes për ndeshjen e Kampionatit.

Luftëtari ndodhet në vendin e parafundit në renditje pas 12 javëve të luajtura, çfarë mendoni se i ka munguar skuadrës suaj për këtë gjendje?
Luftëtari ka një përbërje të mirë me futbollistë që kanë treguar vlera në Kategorinë Superiore, por në këto ndeshjet e fundit jemi ndëshkuar nga episode të veçuara. Njëherësh, duke mos i shfrytëzuar mirë situatat në lojë, jemi ndëshkuar në momente që nuk e prisnim.

Në këtë situatë që ndodhet Luftëtari, sa garanci ju jep skuadra për një vazhdimësi ndryshe?
Për këtë periudhë të shkurtër që unë po e drejtoj skuadrën e Luftëtarit, jam i kënaqur nga skuadra, si në aspektin stërvitor, ashtu edhe me lojën. Potencialet janë, por pres që ata të shprehen më mirë në fushë, jo vetëm në mbrojtje e organizimin e mirë të lojës, por edhe në finalizimin e aksioneve.

Ju besoni se synimet që ka Luftëtari në këtë sezon do të arrihen?
Ne i marrim të gjitha me radhë. Nëse flasim për Kampionatin, ai është në fokusin kryesor, dhe duke qenë se janë edhe 24 javë për t’u luajtur, do të bëjmë gjithçka që jo vetëm skuadra të mbijetojë në këtë kategori, por të ketë një renditje sa më të mirë, pa u rrezikuar. Kupa është objektivi i dytë për ne, ndaj në Ballsh shkojmë me synime serioze.
Nëse flasim për Kampionatin, ai është në fokusin kryesor, dhe duke qenë se janë edhe 24 javë për tu luajtur, do të bëjmë gjithçka që jo vetëm skuadra të mbijetojë në këtë kategori, por të ketë një renditje sa më të mirë, pa u rrezikuar. Kupa është objektivi i dytë për ne 
Ndeshjet, Turi i 1/8 
GRUPI A
Sot, 29 nëntor 2017 
Erzeni-Kukësi 14:00
Kamza-Teuta 14:00
Besëlidhja-Skënderbe.14:00
Tirana-Vllaznia 18:00
GRUPI B
Sot, 29 nëntor 2017 
Bylis-Luftëtari 14:00
Lushnja-Laçi 14:00
Turbina-Flamurtari 14:00
Nesër, 30 nëntor 2017 
Pogradeci-Partizani 14:00
LIBRI I ARTË
Skuadrat Fituese
KF Tirana 16 herë
FK Partizani 15 herë
KS Dinamo 13 herë
KF Vllaznia 6 herë
FK Flamurtari 4 herë
KS Teuta 3 herë
KS Besa 2 herë
KF Elbasani 2 herë
KF Laçi 2 herë
FK Kukësi 1 herë
KF Apolonia 1 herë
Sigal