Hap gjigant pas fitores me Francën, Shqipëria për herë të parë në vazon e tretë

415
Shqipëria ka bërë dje një hap gjigant. Fitorja ndaj Francës ka bërë që në shortin e Kupës së Botës të vitit 2018, të jenë në vazon e tretë, si asnjëherë më parë. Kjo do të thotë se kuqezinjtë nuk do të kenë në grup vetëm një skuadër të cilësuar si jo pretendente, por dy të tilla, pikërisht nga vazot 4 dhe 5.
Deri më tani, kuqezinjtë kanë qenë pjesë e vazos 4 dhe shorti shpesh u ka rezervuar skuadra të forta, ashtu si dhe në grupin aktual për eliminatoret e EURO 2016. Tashmë shanset rriten edhe më shumë për ëndrrën e Kombëtares, që të marrë pjesë në Botërorin e 2018-ës, i cili është parashikuar të zhvillohet në Rusi.
I pyetur dje pas triumfit historik me Francën për ngjitjen një vazo më lart De Biazi shkurtimisht deklaroi: “Kur të shoh grupin që do të na bjerë, atëherë do të dalim në konkluzione, ndërsa tani nuk e dimë ende sa vlerë ka vazoja e tretë”. Gjithsesi, përtej modestisë së trajnerit, ky është një hap gjigant i Shqipërisë, që falë rezultateve pozitive në tre vitet e fundit, ka arritur të jetë në vazon e skuadrave që pretendojnë kualifikimin. Tashmë në shortin që do të hidhet vitin e ardhshëm për Botërorin 2018, Shqipëria është e sigurt që do të ketë në grup dy skuadra më të lehta në letër, në ndryshim nga e kaluara, kur kishte vetëm një.
Ngjitja – Në bazë të të dhënave të UEFA-s para ndeshjes me Francën, Shqipërisë i duhej fitorja për të siguruar ngjitjen në vazon e tretë. Nga ana tjetër, nëse dje kuqezinjtë do të barazonin ndaj “gjelave”, do të kishin 68.9% të shanseve për vazon 3. Këtu do të vareshin rezultatet e skuadrave të tjera Kombëtare, që kanë të njëjtin koeficient me Shqipërinë. Ndërkohë, humbja me Francën do t’i zvogëlonte në 19.2% shanset për vazon e tretë. Në këto kushte, triumfi i djeshëm merr shumë vlera për Kombëtaren.
Sigal