Gjurma e De Biazit, dhe dilemat e Dukës!

558
Nga Agron KAJA
ISH-TRAJNERI/ Në Itali e quajnë trajner të skuadrës kineze Tianjin Teda, spanjolët e presin në La Liga
Tashmë jemi duke i numëruar me gishtat e njërës dorë ditët e largimit të Xhani De Biazit nga stoli i Kombëtares sonë të futbollit, dhe dje në ditën e katërt, nga Presidenti i FSHF-së është rideklaruar se, i kanë shkuar sinjale nga shumë emra të njohur të trajningut evropian. Duke qenë në preferencat e një italiani pasues të De Biazit, vetë Duka e ka pranuar se ka pasur kërkesa të shumta nga trajnerë e menaxherë, por ende nuk ka vendosur për pasuesin e tij, kjo tregon se tashmë “pjaca” e bankinës kuqezi është e lartë. Sepse De Biazi e ngjiti Kombëtaren shqiptare në majën e historisë së futbollit shqiptar, dhe këtu Presidenti i FSHF-së duhet të mendohet jo një, por dy herë. Së pari, për të gjetur emrin e përshtatshëm për një kombëtare dinjitoze, si ajo në Euro 2016, dhe së dyti, ky emër duhet të jetë sa më pak i kushtueshëm nga ana financiare. Ndoshta këto janë dritëhijet që po e lenë Presidentin e FSHF-së pa gjumë, sepse gjurma e lënë nga De Biazi tashmë është peshë e rëndë, ndërsa gjetja e zëvendësuesit kësisoj, rëndohet edhe më shumë. Gjithsesi, kjo është një lojë si “detyrim e përcaktim”, sepse, pavarësisht arsyeve të largimeve, apo të afrimeve, gjithkush nga këta emra të tregut në trajningun evropian, e ka të qartë: një ditë po vij, një ditë do largohem. Dhe, duke shkuar në tregun axur, ende në mediat e portalet e shumta italiane nuk ka dalë ndonjë emër, pasi në të tilla raste, më vështirë është që të mësohet këtu në Shqipëri, se sa aty në “sheshin” e betejës. Hamendësimet janë të shumta, dhe është normale, por për të mos shkuar gjatë, që të çon në abuzim, le të urojmë që Duka të zgjedhë njeriun e duhur, jo vetëm për katër ndeshjet eliminatore të Evropianit 2018, por edhe për Botërorin 2020. Sepse Evropiani na ka kushtëzuar vetëm vendin e tretë në grupin G eliminator, duke qenë se jemi dorëzuar për më shumë, që në ndeshjen e nëntorit 2016, kur Izraeli na bëri “dushin” e parë në Elbasan, pasi ishim kthyer nga Franca dhe nuk na kishin zënë “këmbët dhe”. Nuk e harruam dritëhijen e Armand Dukës në përzgjedhjen e re të Kombëtares, sepse ky “siklet” i tij na mundësoi këto radhë, ndërsa Mister De Biazi tashmë ka vënë në aktivitet intensiv edhe mediat italiane, të cilat dje jepnin vetëm dy alternativa: ose në Kinë, ose në Spanjë, këtë e zgjedh vetë Xhani. Për ne këtu në Shqipëri, kudo që ai të “ankorohet” do ti urojmë sukses, por pasi i kemi thënë më parë mirupafshim. Tashmë mbetet vetëm për të thënë: Shpejto President, se skuadrat e tjera i kanë trajnerët, dhe…mirë ardhsh ti, i panjohur! 
Presidenti i FSHF-së duhet të mendohet jo një, por dy herë. Së pari, për të gjetur emrin e përshtatshëm për një kombëtare dinjitoze, si ajo në Euro 2016, dhe së dyti, ky emër duhet të jetë sa më pak i kushtueshëm nga ana financiare. Ndoshta këto janë dritëhijet që po e lenë Presidentin e FSHF-së pa gjumë, sepse gjurma e lënë nga De Biazi tashmë është peshë e rëndë, ndërsa gjetja e zëvendësuesit kësisoj, rëndohet edhe më shumë
Dje, Xhani De Biazi kishte 61 vjetorin e lindjes: Edhe 100 Mister! 
Data 16 qershor, përkon edhe me ditëlindjen e ish-trajnerit të Kombëtares sonë Xhani De Biazi. Dje, italiani mbylli “fletë” e 61-të të kalendarit të tij jetësor, dhe duke pasur mundësinë në këto radhë, gazeta “Telegraf” e uron: Edhe 100 Mister! Vetëm një javë më parë nga kjo ditëlindje, De Biazi kaloi situatën e dorëheqjes nga bankina e Kombëtares shqiptare, dhe ndoshta pas 61 viteve, të tjerë më të mirë do të vijnë për të, në jetë dhe në profesion.
Ndeshjet e De Biazit
në Kombëtare
Në total: Nd 52, F 19, 
B 11, H 22, Golat 58:54
Ndeshja e parë
Miqësore
Datë 29.02.2012
Gjeorgji-Shqipëri 2-1
Ndeshja e fundit
Elim. Botërori 2018
Izrael-Shqipëri 0-3
LEGJIONARËT
Memushaj bën “besnikun”: Ndihem mirë te Peskara
Në këtë periudhë pas përfundimit të ndeshjeve të Serie A, vlonjati Ledian Memushaj që ka tri vite që luan me Peskarën, ka qenë në qendër të merkatos, të cilat e kanë zhvendosur atë sa te Bolonja, aq edhe te Sioni, ku trajner sapo u vendos Paolo Tramexani. Pas rënies në Serinë B, interesi nga skuadra të tjera, ka bërë që vlonjati të tregohet profesionist, duke mos zbardhur asgjë për lëvizjen e mundshme të tij. Në një prononcim për La Gazzetta Dello Sport, Memushaj i ka hedhur poshtë të gjithë zërat e merkatos. “Këtu ndihem mirë, dhe dua të qëndroj, por e ardhmja ime varet nga vlerësimet që do të bëjë klubi dhe trajneri. Nuk më intereson kategoria ku luajmë, sepse në tre vite me fanellën e Peskarës, e kam provuar si të mirën dhe të keqen. Tani duhet të shohim përpara, për të rigjetur besimin dhe të rikthehemi të fitojmë. Merkato? Nuk ka asgjë të vërtetë, nuk kam kontaktuar me askënd. Nëse vijnë oferta, do t’i vlerësojmë me agjentin tim”, është shprehur mesfushori Ledian Memushaj.
Seria A, “lumë” ofertash për Gjimshitin 
Pas paraqitjeve të mira te Avelino në Serie B, por edhe në Kombëtaren shqiptare, mbrojtësi Berat Gjimshiti është më i kërkuari në merkaton e kësaj vere. Një tjetër ofertë nga Seria A për mbrojtësin e Kombëtares sonë, ku Benevento, klubi që u ngjit këtë sezon në Serinë A, kërkon shërbimet e tij. Atalanta është klubi që zotëron kartonin e lojtarit të Kombëtares shqiptare, dhe drejtori sportiv i Beneventos, Di Soma, është takuar me drejtorin e Atalantës, Xhovani Sartori, pikërisht për Berat Gjimshitin.
Nisma e tifozëve kuqezi: Një milion firma, të rikthehet De Biazi!
Largimi i De Biazit nga Kombëtarja shqiptar, duket se nuk po kapërdihet lehtë nga tifozët kuqezi. Duke “kopjuar” “Fanatiks”-at e Tironës, ata kanë kërkuar largimin e Presidentit të FSHF-së, e rikthimin e italianit në stolin kuqezi. “Ne tifozët e kombëtares shqiptare, u bëjmë thirrje të qytetarëve, të gjithë atyre të cilët e ndjejnë vërtet dashurinë për atdheun, e kuptojnë se çfarë do të thotë respekt, dinjitet, të bëhen pjesë e nismës për të mbledhur një milionë firma për rikthimin e trajnerit tonë, Xhani De Biazi, në krye të ekipit tonë, si dhe dorëheqjen e Presidentit Armando Duka. Në gjashtë vite, ai tregoi se nuk bëhet pjesë e lojërave të FSHF-së për shitje ndeshjesh, përkundrazi, tregoi se është një trajner i madh, që injekton besim tek lojtarët e tij.

Ndonëse nuk kishte super yje, udhëtoi kudo për të mbledhur të gjithë bijtë e shqipes nën një qëllim, përfaqësimin dinjitoz të Flamurit tonë. Futbolli i njeh të gjitha rezultatet, por nën drejtimin e tij, ekipi ynë tregoi se fanella nuk shitet më si dikur. Për dikë ndoshta kjo nuk ka vlerë, e sheh vetëm në aspektin monetar. Por për ne si tifozë, fanella është gjithçka. Le të bëhemi një milion për të mos braktisur trajnerin tonë, dhe për të treguar se shqiptari e vlerëson punën”.
Sigal