Gjoka paralajmëron Skënderbeun: “Kukësi, i gatshëm për trepikëshin, do ju mposhtim”!

417

Sigal

Ernest Gjoka pret fitoren ndaj Skënderbeut për të treguar edhe një herë tjetër se Kukësi i tij është i destinuar për të marrë titullin këtë sezon.

Në një intervistë për “Panorama Sport” pas stërvitjes së fundit në stadiumin “Zeqir Ymeri”, Gjoka foli për rëndësinë që ka takimi i sotëm, situatën në ekip, por jo vetëm. Trajneri theksoi se do të jetë një Kukës agresiv, që do të kërkojë tri pikët. Ai nuk është i shqetësuar pse Pero Pejiç ka mbi një muaj që nuk shënon, teksa është i bindur se kroati ka kontribuuar mjaftueshëm për skuadrën.

Si e prisni sfidën me Skënderbeun, është kjo më delikatja për ju?

Sigurisht, pasi është ndeshja me rivalin direkt. Kemi shumë javë që ndajmë vendin e parë dhe sigurisht presim të bëjmë diferencën.

Në fazën e parë morët një pikë në Korçë, duke menduar më shumë për mbrojtjen. Sot çfarë Kukësi do të shohim?

Çdo ndeshje ka specifikën e vet, kështu që në fushën tonë do ta interpretojmë ndryshe. Ky takim do të ketë shumë agresivitet dhe sigurisht që do të kërkojmë me çdo kusht që të arrijmë të marrim maksimumin e pikëve.

Kukësi ka fituar në 90% të ndeshjeve të luajtura në shtëpi ndaj Skënderbeut, teksa korçarët vetëm një herë ia kanë dalë të marrin tri pikë në “Zeqir Ymeri”. Këto statistika ju thonë gjë?

Për mua statistikat nuk kanë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se si ne do ta interpretojmë këtë ndeshje në të gjithë përbërësit e saj. Rol kryesor ka interpretimi nga ana psikologjike. Këto ndeshje kërkojnë shumë përgatitje psikologjike dhe nëse do të jemi të qetë e të qartë, atëherë çdo gjë do të shkojë ashtu siç e kemi parashikuar.

Kujt i druheni më tepër te kundërshtari?

Ne e vlerësojmë Skënderbeun për atë që ka dhënë ndër vite në kampionatin tonë. Kjo gjë na bën të jemi akoma dhe shumë vigjilentë dhe agresivë ndaj tyre.

Pas hapit fals me Korabin, zhvilluat një mbledhje me presidentin Gjici. A mund të na thoni se për çfarë shërbeu?

Mbledhjet i bëjmë për të motivuar ekipin në prag të ndeshjes së radhës. Ajo që unë dua të theksoj është se deri më tani skuadra ka qenë më shumë se e përgjegjshme. Këtë e ka treguar gjatë gjithë kohës.

Sa ndikon rezultati i ndeshjes së sotme në ecurinë e kampionatit?

Çdo ndeshje ka ndikimin e vet, por që vlen gjithnjë tri pikë. Sigurisht, duke fituar me korçarët, moralisht një rezultat i tillë do të na jepte shumë oksigjen për vazhdimësinë e sezonit.

Kukësi është i pathyeshëm deri më tani, mendoni se barometri për t’u rikonfirmuar është pikërisht një fitore me Skënderbeun?

Mendoj se të dyja skuadrat e kanë treguar forcën e tyre, duke qenë në krye për kaq kohë. Por, këto ndeshje janë të rëndësishme për t’u fituar, thjesht për të bërë diferencën e momentit në kampionat.

Duket se morët një mësim në kohën e duhur ndaj Korabit…

Çdo ndeshje që nuk merr tri pikët është mësim për të mos ndodhur më. Ne duhet të ishim treguar shumë më të qetë përpara portës, sepse askush nuk të fal aq raste për shënim. Pas kësaj ndeshjeje jemi ndalur gjatë për të korrigjuar shënjestrën.

Çfarë prisni nga sulmuesit?

Jam besimplotë që ekipi do të bëjë performancë pozitive, sepse këto janë ndeshje ku lojtarët do të tregojnë ambicien e tyre dhe sakrificën e gjithë këtyre javëve kampionat që kanë zhvilluar.

Pejiç ka mbi një muaj që nuk gjen golin. Ju shqetëson kjo situatë me sulmuesin kryesor?

Pejiç është në një moment që nuk ka realizuar, por ai ka punuar shumë për skuadrën, duke dhënë pasime të rëndësishme që janë kthyer në gola nga sulmuesit e tjerë. Nëse edhe nesër nuk shënon, por skuadra fiton dhe Pejiç ka dhënë pasimin për shënimin e golit, personalisht jam OK me Peron.

Keni ndonjë mesazh për tifozët në prag të takimit të fundit në “Zeqir Ymeri” për këtë vit?

Për ne, tifozët janë shumë të rëndësishëm. Ata janë burim frymëzimi dhe mobilizimi për të ecur përpara. Pa tifozëri s’ka skuadër, kështu që tifozët mbeten oksigjeni ynë në të mirë dhe në të keq. Pres të na mbështesin fuqimisht drejt objektivit madhor që i kemi vënë vetes.