Galliani: Yjet po braktisin Serinë A

686
Sigal

Zv/presidenti i Milanit, ka pranuar se klubet e Seria A nuk janë më atraktive për futbollistët më të mirë në botë

“Do të provojmë sërish, por siç duket tashmë lojtarët e kalibrit të rëndë nuk dëshirojnë më që si destinacion të kenë Italinë”, kështu iu përgjigj Adriano Galliani, administratori i deleguar i Milanit, pyetjes së gazetarëve mbi lëvizjet e radhës në merkato, pas largimit të Thiago Silvas e Zlatan Ibrahimoviç. Drejtuesi i kuqezinjve duhet të bëjë tashmë lëvizjet e radhës për të zëvendësuar denjësisht këta dy futbollistë. Emrat që lakohen më së shumti janë ata të Tevez dhe të Dzekos, por vlera e lartë e tyre në merkato duket se e komplikon paksa idenë e këtij transferimi. Çfarë është duke menduar Galliani, duhet të jetë pikërisht kryerja e një sondazhi në tregun italian për të gjetur dy lojtarë që të kushtojnë më pak se sa “bomberat europianë”. Ndërkohë, me 65 milionë euro në arkat e tij dhe 170 milionë të kursyer nga pagat e Ibras dhe Silvës, Milani është duke punuar aktivisht në merkato për përforcime, ndonëse nuk do të ketë shuma të çmendura dhe sërish merkato me kosto të ulët.

Blerjet

Blerja e parë, nëse mund të quhet kështu, është ajo e Robinhos, qëndrimi, i të cilit në “Milanello” është konfirmuar prej klubit. Goditja e dytë, përballë kostos së lartë që kërkon afrimi i Tevez apo Dzeko, është përqendruar brenda vendit dhe mund të jetë sulmuesi i Juventusit, Alessandro Matri, ai që do të përforcojë radhët. Janë tre arsyet që e përforcojnë mundësinë e kalimit të Matrit në kuqezi. E para, ai i pëlqen Allegrit, me të cilin ka bashkëpunuar më parë, ka një pagë të ulët prej dy milionë eurosh dhe Juventusi është i gatshëm ta shesë, pasi nuk përfshihet më në planet e kampionëve të Italisë. Ndërkohë, vazhdohet të punohet për të siguruar njërin midis Tevez e Dzeko, por vetëm nëse Manchester City do të ulë pretendimet e tij. Braziliani Damiao, për shkak të kartonit të shtrenjtë, për momentin duket vetëm një ëndërr, ndërsa portugezi Rolando, vazhdon të mbetet i parapëlqyeri për një vend në qendërmbrojtje. Ndërsa Spanja mund të jetë e ardhmja e një prej futbollistëve që lanë Milanin këtë verë. Mediat iberikase bëjnë të ditur se familja Poco që ka në pronësi Udinesen, por dhe Granadën në Spanjë dhe Uotford në Angli, ka një ofertë për Filipo Inzagin. Sipas të përditshmes “Marka” destinacionet më të mundshme për sulmuesin janë formacioni andaluzian ose ai përtej oqeanit. Marka kujton se Granada sapo ka konfirmuar mbërritjen e një tjetër qendërsulmuesi për sezonin e ardhshëm, atë të Floro Flores nga Udineze, por duke shtuar se kjo nuk e përjashton angazhimin në skuadër të Super Pipos.

 Stadiumi i Realit do të quhet “Fly Emirates Bernabeu”

Real Madridi mendon t`i shesë të drejtat e emrit të stadiumit “Santiago Bernabeu”. Kampioni i Spanjës është në negociata me Emirates për t`ia dhënë të drejtat e emrit të stadiumit të famshëm. Emri i ri do të jetë “Fly-Emirates-Bernabeu”. Kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe do ta marrë sponsorizimin e fanellave të Realit që nga viti 2013. Ndërkohë këto janë ditë deçizive për transferimin e Luka Modric tek Real Madridi. Siç raporton e përditshmja spanjolle “AS”, lojtari dëshiron ta mbyllë marrëveshjen brenda kësaj jave, për më saktë ditën e sotme, ditë në të cilën është parashikuar edhe nisja e Tottenhamit për turne në USA. Mesfushori kroat kërkon të evitojë nisjen për në turne me ekipin, pasi dëshira e tij është që niset direkt për në destinacionin e ri, Madrid. Gjithsesi, mbetet që mes klubeve të gjendet akordi ekonomik, pasi Spursat kërkojnë 45 milionë euro për Modric ndërkohë që Reali deri më tani ofron vetëm 30 milionë.

 “Londër 2012”, parashikimi i medaljeve

Duket se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rimarrin lavdinë olimpike. Vetëm katër vjet pasi Kina u bë vendi i parë që prej vitit 1992 që fitonte më shumë medalje të arta se SHBA-ja, “The Wall Street Journal” ka publikuar një parashikim për tabelën e medaljeve që tregon se amerikanët do të kthehen dominues në evenimentin më të rëndësishëm sportiv. Për të pestin edicion të Lojërave Olimpike, skuadra amerikane pritet të kryesojë tabelën e përgjithshme të medaljeve të fituara. Sipas “The Wall Street Journal” skuadra amerikane që ka në përbërje 530 sportistë pritet të fitojë 40 medalje ari në “Londër 2012”, ndërsa në total numri i medaljeve parashikohet të jetë 108. Në anën tjetër, Kina mund të fitojë 38 medalje ari, në një total prej 92 medaljesh gjithsej. Rusia pritet të jetë në shkallën më të ulët të podiumit me 83 medalje në total, nga të cilat 29 të arta. “Top 10” parashikohet të plotësohet nga Britania e Madhe me 66 medalje të përgjithshme, Gjermania 49, Australia 42, Japonia 39, Franca 31, Italia 30 dhe Korea 24. Jashtë parashikimit të “The Wall Street Journal” nuk ka mbetur as Shqipëria. Sipas gazetës, delegacioni kuqezi ka shanse të mira të kthehet me një medalje nga Lojërat Olimpike, ndërsa ajo mund të jetë argjend ose bronz. Sipas përllogaritjes nuk specifikohet fituesi apo sporti, por të gjithë e kanë të qartë se shanset më të mëdha janë në peshëngritje dhe në xhudo.

 Napoli, De Laurentiis paralajmëron Cavanin

Presidenti i Napolit i del përpara një kërkese të mundshme të Cavanit për rritje page. Uruguajani është një ndër lojtarët më të kërkuar të momentit dhe në veçanti Juventusi synon ta marrë në Torino. Nëse e ndan mendjen për të qëndruar te Napoli, përflitet se Edinson Cavani mund të kërkojë më shumë para. Duke marrë parasysh atë që mund të ndodhë, Aurelio De Laurentiis i ashpër në deklaratën e tij tha se Cavani do të përfundojë në stol, nëse kërkon pagë të ekzagjeruar që sipas tij mund të jetë 7-8 milionë euro në vit. Bosi i napoletanëve foli edhe për Hamsik, për të cilin theksoi se nuk do të largohet, edhe pse agjenti i tij Raiola është përpjekur ta largojë nga Napoli.

Inter, orë vendimtare për Julio Cesar

Sipas “Il Corriere dello Sport”, këto janë ore deçizive për të ardhmen e portierit të Interit, Julio Cesar. Marco Branca dhe Piero Ausilio, po punojnë për të gjetur një zgjidhje dhe një sistemin të ri për brazilianin. Palmeiras e kërkon me ngulm, por 20 milionë euro, që kërkohen për Julio-n në 2 vitet e ardhshme, është një pengesë jo e vogël. Tratativa duhet të mbyllet brenda ditës së martë, ditë që mbyllet edhe merkato, por nëse kjo marrëveshje dështon, mbetet hipoteza e klubit të Tottenham.

 Itali, Tommasi replikon me Ibrahimovic

Damiano Tommasi, Presidenti i AIC ( Shoqatës Italiane të Futbollit), replikoi me Ibrahimovic, i cili sapo shkoi te PSG-ja u shpreh se futbolli italian nuk ka të ardhme. “Këto janë deklarata të dikujt që sapo ka lënë Italinë dhe që sigurisht është më optimist për aventurën e re krahasuar me atë që la. Por të kaltrit në Evropian treguan se nga pikëpamja sportive kanë ende për të dhënë. Ndoshta nuk është koha për blerje të mëdha, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të marrin rezultate”, deklaroi Tommasi.

Subotic, nuk i trembemi Bayernit

Mbrojtësi i Borusia Dortmund, Neven Subotic ka pranuar se sezoni 2012-2013 do të jetë më i vështiri për skuadrën e tij kur të mundohen të mbrojnë sërish titullin kampion, por siguron të gjithë se ata nuk e kanë aspak frikë Bayern Munich. Dortmundi arriti të fitojë Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë sezonin e kaluar pikërisht ndaj bavarezëve, por trajneri Jurgen Klopp ka zbuluar se objektivi i skuadrës së tij nuk është fitimi i kampionatit për të tretin vit radhazi, por një ecuri sa më e gjatë në Champions League. 23-vjeçari Subotic beson në rritjen e skuadrës së tij dhe insisiton se Dortmund nuk i frikësohet skuadrës së shpenzimeve të mëdha Bayern Munich.