Futbollisti gjakosi gjyqtarin dhe u arratis nga dritarja, reagon FSHF: Ngjarje e rëndë që njollos gjithë futbollin

65
Sigal

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes Sopoti-Mirdita, të zhvilluar në stadiumin e Cërrikut, ku në minutën e 44-t, një lojtar i Mirditës ka goditur gjyqtarin e takimit Klajdi Qëndraj, duke sjellë edhe ndërprerjen e takimit.

Agresori u fut fillimisht në dhomat e zhveshjes dhe nga dhomat e tualetit ka mundur të arratiset. Kur policia ka hyrë brenda në dhomat e zhveshjes futbollisti agresor ia kishte mbathur, duke u larguar fillimisht, teksa më pas u arrestua.

FSHF i ka bërë thirrje drejtuesve të klubeve dhe lojtarëve  të respektojnë rregullat “fair play”, të shmangin dhe të parandalojnë akte të tilla të dhunshme, që nuk duhet kurrsesi të kenë vend në futboll.

Gjithashtu në njoftim bëhet me dije se organet e drejtësisë sportive do të mblidhen me urgjencë për këtë ngjarje kaq të rëndë, e cila njollosh gjithë futbollin.

Reagimi i plotë i FSHF-së: 

Federata Shqiptare e Futbollit dënon incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes KF Sopoti-KF Mirdita, e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë së Dytë, Grupi A dhe që luhej në stadiumin e Cërrikut.

Në minutën e 44-t, një lojtar i Mirditës ka goditur gjyqtarin e takimit Klajdi Qëndraj, duke sjellë edhe ndërprerjen e takimit.

Organet e drejtësisë sportive do të mblidhen me urgjencë për këtë ngjarje kaq të rëndë, e cila njollos gjithë futbollin.

I bëjmë thirrje drejtuesve të klubeve dhe lojtarëve të respektojnë rregullat “fair play”, të shmangin dhe të parandalojnë akte të tilla të dhunshme, që nuk duhet kurrsesi të kenë vend në futboll.