Futbolli shqiptar, i pastër nga dopingu

680
Sigal

Mel Ostreni, shefi i Agjencisë Anti-Doping: “Kontrolluan 12 futbollistë gjatë tri ndeshjeve”

 Futbolli shqiptar e kaloi me sukses testin e parë anti-doping, pasi të 12 sportistët që iu nënshtruan kontrollit rezultuan negativ, pra të pastër. Lajmin e bëri të ditur për “Telegraf”, shefi i Qendrës Kombëtare të Antidopingut, pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, mjeku Mel Ostreni. Qendra Kombëtare e Anti-dopingut është në një investigim të vazhdueshëm, pasi ka strukturat e saj.

KONTROLLI

Pas kontrollove periodike për testet anti-doping në federatat e ndryshme të shumësportëshit, atletikë, basketboll, volejboll, etj., ishte radha e futbollit t’i nënshtrohej ekzaminimeve. “Qendra Kombëtare e Anti-dopingut ka kryer kontrolle për 12 futbollistë, gjatë periudhës shtator-tetor, përkatësisht në ndeshjet Tirana-Besa, të zhvilluar në “Qemal Stafa” (29 shtator 2012); Kastrioti-Teuta, të luajtur në Krujë (7 tetor 2012) dhe Besa-Flamurtari, në Kavajë (20 tetor 2012)”, – tha Ostreni, i cili është diplomuar edhe nga UEFA për kryerjen e kontrolleve anti-doping në futboll. “Kemi përzgjedhur me short nga katër lojtarë për çdo ndeshje, pra nga dy për çdo skuadër. Pra, në total janë 12 sportistë”, – shtoi mjeku i njohur.

ANALIZAT

“Pas marrjes së analizave dhe mbylljes së kampioneve, në praninë dhe të interesuarve, sipas të gjitha procedurave ndërkombëtare të kontrollit anti-doping, ata u nisën drejt laboratorit të Athinës, i akredituar nga ËADA, Agjencia Botërore e Anti-Dopingut”, – tha Ostreni. “Vetëm një agjenci e akredituar ka të drejtën të kryejë analizat e kampionëve të marrë dhe të japë rezultatet e tyre. Dua t’iu konfirmoj se analizat e të 12 sportistëve dolën negative, pra të gjithë janë të pastër dhe ky është një lajm i gëzueshëm”. Sipas Ostrenit, në fazën e dytë të Kategorisë Superiore do të ketë të tjera kontrolle. Shpenzimet për marrjen e 12 analizave të para u mbështetën financiarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërkohë që shuma arriti rreth 2500 euro.

SUBSTANCAT

Nga viti 2010, Qendra Kombëtar Anti-doping, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Sporteve në MTKRIS, u dërgon federatave përkatëse listën e substancave të ndaluara, edhe kur shtohen të reja, dhe që është e njëjta me atë që publikon ËADA. Nga ana tjetër, ato mund të gjenden të publikuara në faqen zyrtare të ËADA-s dhe janë lehtësisht të gjindshme dhe të verifikueshme. Qendra Kombëtare e Anti-dopingut ka nisur zyrtarisht ushtrimin e detyrës së saj më 11 shtator të vitit të 2011, me rastin e Kampionatin Botëror të vrapimit në mal, ku të autorizuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) kontrolloi 10 sportistë. Në janar e vitit të kaluar u kontrolluan 10 atletë, përkatësisht vendet e para në kampionatin kombëtar individual dimëror dhe, nga të cilat, një rast doli pozitiv.

Marrja e analizave

 Inspektorët e licencuar u bëjnë analiza anti-dopingu sporteve ekipore dhe atyre individuale. Në ndeshjet e basketbollit, volejbollit, hendbollit, etj., analizat u kryen katër sportistëve të zgjedhur me short, nga dy për çdo ekip.

 Kush kontrollohet

 Kur zhvillohet një ndeshje, minimumi i sportistëve është katër sportistë nga dy për çdo ekip, por ky numër mund të shkojë dhe gjashtë, apo tetë. Përsa u përket lojërave individuale, fituesit apo rekordmenët janë të detyruara të kryejnë kontrollin anti-doping.

  Është anglez, por Fenik nuk vjen për turizëm në Gjirokastër

 Luftëtari i Gjirokastrës pritet të ketë për herë të parë një futbollist anglez në radhët e tij, ndërkohë që maqedonasit, serbët apo malazezët tashmë janë një gjë e zakonshme në “qytetin e gurtë”. Bëhet fjalë për anglezin Fenik, të cilit tashmë i është prerë bileta e ardhjes. Ai pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit Edi Martini ditën e mërkurë, ndërkohë që nëse do të kalojë provën do të bisedojë me presidentin e Luftëtarit, kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Luftëtari, që nuk bëri një sezon të mirë në fazën e parë, u rendit në vendin e 12-të, pra në zonën e rënies direkt nga Superliga, bëri të ditur afrimin e Rustem Hoxhës (i huazuar nga Teuta) dhe Visar Brahës (i aktivizuar në Rumani dhe Gjermani, në skuadra të nivelit të dytë). Aleksandër Titorovic dhe portieri Petar Basnjakov janë në bisedime për termat e kontratës. Luftëtari ka planifikuar dy ndeshje miqësore me Bylisin dhe me Lushnjën.

 Një grek analizon me “lupë” gafat e arbitrave shqiptarë

 Arbitrat e futbollit shqiptar kanë nisur në Tiranë një seminar treditor. Gjatë kësaj periudhe ata do të analizojne punën e vitit 2012, do të vlerësojnë arritjet dhe do të ndalojnë me seriozitet tek gabimet për të përmirësuar punën e tyre për të ardhmen. Lektoret e këtij seminari kryesisht do të jenë nga vetë Shoqata e Arbitrave të Futbollit Shqiptar, ish-gjyqtarë të njohur në vendin tonë, etj. Nga organizmat ndërkombëtare FIFA dhe UEFA, i pranishëm në këtë aktivitet do të jetë ish-gjyqtari nga Greqia, Kyros Vasaras. Në përfundim të pjesës teorike gjyqtaret do t’i nënshtrohen testeve fizike shumë të rëndësishme për veprimtarinë e tyre në futboll. Gjatë fazës së parë, ndaj arbitrave pati jo pak ankesa nga shumë klube, çka provokoi në disa raste dhe dhunë ndaj tyre.

 Slloveni Handanoviç dhe shqiptari Ujkani priten të formojnë murin mbrojtës të zikaltërve

 Interi, dopio “Samir” për portën

 “Samirët në portë nuk janë kurrë të mjaftueshëm në anët e Milanos”. Kështu shkruan Mediagol.it, një portal i afërt me klubin sicilian të Palermos. Interi ka në portë aktualisht Samir Handanoviçin, titullarin e Kombëtares sllovene, por sipas asaj që raportoi gazeta sportive italiane “Tuttosport”, mund ta çiftëzojë me portierin e Kombëtares shqiptare, Samir Ujkanin. Pra, dy Samirë te Interi, që të dy të njohur për një cilësi të veçantë: janë pritës të lindur të penalltive. Samir Ujkani nuk po një sezon bindës te Palermo, dhe fakti që presidenti Zamparini këmbëngul për të blerë gardianin e Kievos, Stefano Sorrentino, ky i fundit kërkohej nga Interi javën e kaluar. Sipas “Corriere dello Sport”, Palermo i ka ofruar si ofertë të fundit Kievos, 3 milionë euro kesh për të blerë Sorrentinon, ndërkohë që Ujkani mund të përfundojë zëvendësues.

PISTAT

Pas zërave për një transferim të mundshëm të Napoli, gjithmonë si zgjedhje e dytë, është Interi që tani duket i interesuar për mbrojtësin ekstrem shqiptar, të vlerësuar shumë pak nga tifozët e Palermos. Ujkani. Mediat e vendit fqinjë kanë raportuar në vazhdimësi për tratativat e mundshme të portierit të Kombëtares shqiptare, i cili pak bindi edhe në ndeshjen e fundit të Palermos, në atë humbje 3-0 në Napoli. Kështu, lista pasurohet me me emrat e Lacios (ku drejtor sportiv është Igli Tare) dhe Fiorentinës (të cilës ia ka rekomanduar vetë trajneri i Kombëtares shqiptare Xhani De Biazi). Në fakt, Ujkani bëri tre sezone të shkëlqyera te Novara (duke e rikthyer atë pas 51 vjetësh në Serinë A, në sezonin 2011-2012), por ka bërë shumë gafa me Palermon, pavarësisht disa ndërhyrjeve vendimtare.

SKENARËT

Janë disa të tillë dhe tepër të brishtë, pasi situata ndryshon shumë shpejt. Zanafilla e transferimit të mundshëm të Ujkanit në Milano nis nga Kievo që synon t’i shesë Palermos portierin e parë, Stefano Sorrentino për ta zëvendësuar me Albano Bizarrin e Lazios. Kështu, numri 1 kuqezi e ka të lirë rrugën për në “San Siro”. Momentalisht bëhet fjalë vetëm për zëra merkatoje, pasi Napoli, sipas “Rai Sport”, vazhdon ta konsiderojë Ujkanin si pasuesin e De Sanktisit dhe aksi që e lidh shqiptarin me qytetin bregdetar nuk është plotësisht i bllokuar. Kontrata aktuale e Ujkanit me Palermon skadon në Qershor të vitit 2014 dhe gjatë këtij sezoni ai është aktivizuar vetëm 8 ndeshje si titullar, pavarësisht besimit të plotë që mori nga presidenti Zamparini. “Rai Sport” shkruan se, Ujkani shihet qartësisht se zëvendësuesi i Handanoviçit, kjo për shkak të dëmtimit të gjatë të Luka Kastelacit.

 Viçenca dhe Vareze, në garë për Erjon Bogdanin

 Viçenca dhe Vareze, dy skuadra të Serisë B italianë janë duke monitoruar dhe punuar për të bërë të tyre sulmuesin veteran shqiptar, Erjon Bogdanin, aktualisht në forcë te Siena. Edhe Peskara e ka vënë në shënjestër golashënuesin më të mirë të Shqipërisë me synim për të perforcuar sulmin. Lajmin është dhënë nga mediat italiane. Qendërsulmuesi shqiptar duket se është në largim e sipër nga Siena, pavarësisht se trajneri Bebe Jakini i dha pak më shumë hapësirë Bogdanit, se ish-tekniku Serse Kozmi.

Në fakt, “Bogu” nuk ishte i grumbulluar në ndeshjen e Sienës kundër Torinos, çka nxiti interesimin e një numri skuadrash, kryesisht të Serisë B. Janë disa media të rëndësishme italiane ato që po i japin hapësirë “skenarëve” të mundshëm të destinacionit të ri të Bogdanit. Kështu, “La Gazzetta dello Sport”, e cila raporton se Viçenca është e interesuar për Erjon Bogdanin, ndërkohë “Corriere dello Sport” shton në listë Varezen.

Viçenca është duke luftuar për të mos rënë nga kategoria dhe Bogdani shihet nga drejtuesit e këtij klubi si përforcimi i duhur për ta realizuar me sukses këtë objektiv. U mendua se pas largimit të kapitenit Kalaio te Napoli, shtatlarti i Kombëtares sonë mund të kishte më tepër mundësi për t’u aktivizuar te Siena, por në vendin e tij është preferuar Paoluçi. Ndoshta një gjendje e tillë, mund ta detyrojë Bogdanin të pranojë edhe një largim të mundshëm drejt Serisë B, ndërsa Viçenca është duke monitoruar me kujdes situatën mes sulmuesit dhe klubit të tij aktual. Vareze ndodhet në vendin e 9-të të Serisë B, pas 20 ndeshjeve (dy më pak se kundërshtarët), ndërsa ka grumbulluar 23 pikë, dhe synon të futet minimalisht në fazën “play-off”. Vicenca nuk është duke bërë një kampionat të mirë dhe pozicionohet në “zonën e kuqe”,  (vendi i 20-të nga 22 skuadra), pra në atë rënies direkt nga kategoria. Kështu që, shërbimet e një sulmuesi me eksperiencë si Bogdani do t’i vlenin shumë.