Fundjavë pozitive për futbollistët e Kombëtares, ja kuqezinjtë që shkëlqyen në Europë

193
Sigal

Fundjava e parë e dhjetorit ishte në përgjithësi pozitive për disa nga lojtarët e Kombëtares shqiptare që luajnë në kampionatet europiane.

Duket sikur është momenti i Armando Brojës, sulmuesit kuqezi që luan në Premier League-n angleze, i cili ka shënuar golin e radhës për Southampton.

Ky ishte goli i tretë për djaloshin kuqezi që e nisi lojën si titullar në ndeshjen ndaj Brighton, teksa luajti për 81 minuta.

Sofascore, uebsajti i specializuar për statistika, e vlerësoi Brojën me notën 7.1, një vlerësim i mirë ky për talentin 20-vjeçar.

Ndërkaq, një tjetër sulmues shqiptar ka lënë gjurmë në Itali. Bëhet fjalë për Rey Manaj, i cili aktivizohet në radhët e Spezia-s në Serie A dhe ka arritur më në fund të zhbllokohet, duke shënuar golin e parë me skuadrën ku është huazuar nga Barcelona në fillim të këtij sezoni.

Manaj u vlerësua nga Sofascore si lojtari me notën më të lartë tek ekipi i tij, 7.5, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë.

Jo vetëm gola, por edhe asiste nga kuqezinjtë në Europë dhe paraqitje të mira.

Enis Çokaj, mesfushori kuqezi që luan në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit ishte gjithashtu protagonist me skuadrën e tij.

Çokaj ndihmoi Gorican në realizimin e golit, pas dha në mënyrë të saktë topin që përfundoi në rrjetën kundërshtare.

Sipas Sofascore, djaloshi kuqezi u vlerësua me notën më të lartë, 8.3, duke u shpallur edhe lojtari më i mirë në radhët e skuadrës së tij.

Nga ana tjetër, Armando Dobra, futbollisti i Kombëtares U-21 po kalon një formë mjaft të mirë me Colchester në Angli, teksa në ndeshjen ndaj Wigan Athletic kontribuoi duke dhënë asistin që ndihmoi shokun e tij të skuadrës, Sears të shënonte golin e barazimit.