FSHF nuk u siguroi bileta, reagojnë “Plisat”: Ndërhyrjet politike nuk do të na ndalin!

35
Sigal

Një nga tifo-grupet më besnike që ka ndjekur me rregullsi Kombëtaren kuqezi në rrugëtimin e saj në vite, ka qenë ai “Plisat”. Por grupimi nga Prishtina, si rrallëherë do të mungojë sot në stadiumin “Air Albania” për ndeshjen ndaj Ishujve Faroe.

Mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit nuk i ka akorduar biletat për grupin, kjo siç ndodh në çdo duel për ultrasit e kuqezinjve.

Banderola e shpalosur nga ‘Plisat’ në ndeshjen kundër Çekisë duket se ka sjellë ‘krisjen’ mes palëve. ‘Mallkue qoftë kush s’na do bashkë’, kjo duket se është fraza që ka bërë FSHF-në t’i përjashtojë ata.

Për këtë, tifogrupi ka reaguar për herë të parë duke lënë të kuptohet se për shkaqe të ndërhyrjeve politike ata janë përjashtuar. Gjithashtu ata tregojnë se nuk do e braktisin Kombëtaren.

POSTIMI

Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta.

Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë përfunduar misionin e tyre, ME SUKSES.

Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njëjtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.

Nuk ka bileta – nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve.

Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa – edhe në ditë të vështira.

Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT’ SHQIPNI.

Shihemi në Gjermani!