Frikë nga Shqipëria, Portugalia që tani në Tiranë për 7 shtatorin

548
Frikë nga Shqipëria, ndërsa Portugalia ka mbërritur që tani në Tiranë për ndeshjen e 7 shtatorit. E vërteta është fakti se vendimi i Këshillit të Arbitrazhit sportiv i Lozanës për ndeshjen e 14 tetorit, Serbi – Shqipëri, duket se mban në ankth të gjithë grupin. Për më tepër pretendentët për të kaluar direkt në fazën finale të Kampionatit Europian, i cili më 2016-ën do të zhvillohet në Francë. Bëhet fjalë për Portugalinë dhe Danimarkën, të cilat në rast se Lozana do t’i japi të drejtë kombëtares sonë duke i kthyer trepikëshin që Disiplina dhe Apeli ia hoqi me pa të drejtë, atëherë i duhet të shtrëngojnë dhëmbët fort. Sepse tashmë Shqipëria do të mund të bëhet kandidate potenciale për të qenë në Europianin e Francës si i kualifikuar direkt. Në fakt më tepër se sa Danimarka, e cila e pret kombëtaren tonë më 4 shtator në Kopenhagen, duket se frikë ka Portugalia, që do të jetë udhëtuese më 7 shtator në “Elbasan Arena”. Portugezët ende nuk e kanë harruar “dushin” e ftohtë që kanë pësuar nga kuqezinjtë në Aveiro, atje ku goli i Bekim Balajt i dha trepikëshin e parë kuqezinjve të De Biazit. Ndaj që katër muaj para, portugezët kanë nisur të mendojnë për ndeshjen e 7 shtatorit në Elbasan. Madje kanë nisur të kujdesen dhe deri për detajet më të vogla që kanë të bëjnë për akomodimin e skuadrës, apo dhe stadiumin ku do të luhet ndeshja. Dhe si për “ironi të fatit”, si në asnjë rast tjetër, në Tiranë ka mbërritur trajneri i kombëtares së Portugalisë për t’u kujdesur për kushtet e kombëtares së tij. Pse jo dhe për të U-21, që më 8 shtator do të jetë përballë kombëtares sonë, e cila me shumë mundësi do të mund të zhvillohet në “Qemal Stafa”. Trajneri Fernando Santos, të cilin shqiptarët e njohin si teknikun e Greqisë në Botërorin “Brazil 2014”, teksa në 1/8 e finaleve u eliminuan me penallti nga Kosta Rika. 60-vjeçari që ka ardhur në fakt në krye të Portugalisë pas humbjes së luzitanëve ndaj kombëtares sonë më Aveiro, ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit në orët e vona të së mërkurës. E që andej është nisur menjëherë drejt hotel Sheraton, ku Portugalia do të akomodohet për ndeshjen me kuqezinjtë. Në programin e Santos ka qenë edhe një vizitë në “Elbasan Arena” për të parë gjendjen e terrenit të këtij impianti. Edhe pse është praktikë që kushtet e akomodimit dhe prenotimet të bëhen nga zyrtarët e Federatës, Santos ka preferuar që të merret vetë më këtë çështje duke parashikuar që Shqipëria mund të jetë një rival i drejtpërdrejtë i Portugalisë për një biletë në fazën finale të Francë 2016.
Çfarë pat thënë De Biazi?
Xhani De Biazi, trajner i ekipit shqiptar të futbollit, duke folur për “Zona Calcio” në radion italiane “Stereo 5″ ka deklaruar se ka zgjedhur Shqipërinë për faktin se është në gjendje për të vendosur vetë për lojtarët që do të marrë në skuadër. “Në Kombëtare e kam këtë mundësi, ndërsa në ekipet e fundit që unë kam menaxhuar ishte e pamundur”, tha fillimisht tekniku De Biazi. Ai ka shtuar gjatë intervistës se kampionati shqiptar i futbollit sot është më interesant, ka pasiguri mbi fituesit dhe ka rritur cilësinë teknike.
Për ndeshjen në Beograd, De Biazi deklaroi: “Ne varemi shumë në vendimin e KAS-it ndaj sfidës kundër Serbisë, nëse do të jetë i favorshëm mund të kemi një shans për kualifikim të drejtpërdrejtë”.
Tirana dhe Skënderbeu, sulm vetëm kampionatit
Tashmë është fakt i kryer që Tirana e Skënderbeu, pasi i kanë larë duart nga Kupa e Shqipërisë, teksa janë skualifikuar nga Kukësi e Laçi, tashmë do t’i vihen kampionatit. Skënderbeu kryesues me 66 pikë dhe Tirana 63 pikë, ndërsa do të kenë shansin për t’u ballafaquar dhe një herë me ato që i eliminuan. Që do të thotë se Tirana do të presë në “Qemal Stafa” Laçin, kurse Skënderbeu do të jetë udhëtues në “Zeqir Ymeri”të Kukësit. Kukësi – Skënderbeu është një sfidë që vlen sezonin e dy skuadrave, që gjatë viteve të fundit kanë qenë në duel në distancë, pasi Skënderbeu ka qenë tepër i madh për verilindorët, të cilët kanë investuar shumë në tregun e lëvizjeve të futbollistëve. Ndërkohë Tirana – Laçi, teksa kurbinasit do të jenë që tani me mendjen tek finalja e Kupës, nuk do të jetë aspak çudi nëse do të fitohet nga bardheblutë e Maganit. Kështu që kjo javë duket se ruan shumë enigma me idenë që Tirana e Skënderbeu do të luajnë gjithçka në kampionat duke kërkuar titullin. 
Java e 32-të (25-26 prill)
Flamurtari – Elbasani të shtunën ora 14:00
Teuta – Partizani të shtunën ora 17:00
Apolonia – Vllaznia të shtunën ora 17:00
Kukësi – Skënderbeu të dielën ora 16:00
Tirana – Laçi të dielën ora 19:00
Renditja
Skuadra N F B H G+/_ P
Skënderbeu 31 20 6 5 49-16 66
Kukësi 31 19 6 6 48-21 63
Tirana 31 19 6 6 42-21 63
Partizani 31 18 6 7 34-22 60
Laçi 31 16 9 6 37-16 57
Flamurtari 31 9 8 14 25-29 35
Vllaznia 31 11 4 16 26-34 34
Teuta 31 8 2 21 26-45 26
Apolonia 31 5 4 22 11-48 19
Elbasani 31 4 1 26 16-62 13
Xhudo për fëmijë në Elbasan
Federata Shqiptare e Xhudos nëpërmjet sekretarit të saj të përgjithshëm Labo Çapo ka lajmëruar se të mërkurën në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” të Elbasanit është zhvilluar aktiviteti i radhës që lidhet me projektin e zhvillimit të këtij sporti tek fëmijët. Në këtë aktivitet kanë folur për rëndësinë e projektit zëvendëspresidenti Alfons Babani, si dhe koordinatori i projektit, Florian Progni. Dhe shkollat 9-vjeçare “Luigj Gurakuqi”dhe “Abdyl Paralloi” kanë ofruar bashkëpunimin për zhvillimin e aktivitetit. Dhe gjithçka është zhvilluar në një atmosferë të mirë, teksa situata që krijoi trajneri i xhudos së Elbasanit, Miri Laze, ishte e kënaqshme për të gjithë. 
Kukësi, Partizani dhe Laçi në “gijotinën”e Disiplinorit
Kukësi, Partizani dhe Laçi kanë qenë në “gijotinën”e Komisionit të Disiplinës. Kukësi dhe Partizani përsëri janë gjobitur në masën 50.000 lekë të rinj për sjellje jo sportive të tifozerisë dhe dëmtim të ambienteve në ndeshjen e javës së kaluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Mirëpo nuk ka shpëtuar as Laçi, që një ndeshje do ta luajë pa spektatorë për hedhje të sendeve të forta, si dhe të futjeve të personave të paatorizuar në fushë. Ndërkohë që dy javë është pezulluar Emiljano Veliaj dhe Ndikumana i Tiranës për sjellje jo sportive ndaj lojtarit kundërshtar. Ka pasur dhe dënime në kategoritë e tjera, por Kukësi, Partizani e Laçi dje kanë qenë në “gijotinë”. 
Shqipëria U-19 e humb dhe ndeshjen e dytë me Bosnjen
Shqipëria U-19 e trajnerit Altin Lala e ka humbur dhe miqësoren e dytë me Bosnje-Hercegovinë, e cila përgatitet për të marrë pjesë në raundin e elitës të Kampionatit Europian të të rinjve. Nëse dy ditë më parë në Mostar tanët janë mundur 0-3, dje në “Podavala” të Gabelës janë mundur 0-5. Golat për boshnjakët janë shënuar nga Basiç në të 2’, Amer në të 17’, Qoroviç në të 25’, Lonçar në të 34’ dhe Buroviç në të 55’. Nëse Bosnja përgatitet për të luajtur dy ndeshje miqësore me U-19 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 28 dhe 30 prill, tanët nuk dihet se kur do të mblidhen, kurse leksioni i boshnjakëve shpresohet që t’i vlejë kuqezinjve të Lalës.
Flamurtari, kampion në futsallë
Dje pasdite në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” të Elbasanit është luajtur finalja e kampionatit të dymbëdhjetë kombëtar të futbollit të sallës. Përballja ka qenë mes Tiranës dhe Flamurtarit, ndërsa deri në të 26’gjithçka ka qenë e barabartë 1-1. Këtu ka nisur dhe diferenca e vlonjatëve të Mario Kalus, të cilët kanë nisur të shënojnë njëri pas tjetrit, aq sa në fund kanë fiksuar rezultatin 5-2. Flamurtari kampion për herë të tretë në futbollin e sallës, ndërsa e fiton trofeun dy herë radhazi duke u konfirmuar si fuqiplotë në këtë disiplinë sportive.
Sigal