Francë-Shqipëri, ndeshja e prestigjit pa pikë

541
Sigal

“Ndeshjet miqësore me Francën dhe Italinë do të luhen vetëm për fitore”. Kështu u shpreh kapiteni Cana, që në konferencën për shtyp tha se, Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë për rezultate pozitive ndaj kundërshtarëve të radhës. E kështu duket në fakt, pasi skuadra ka bërë përgatitje të mëdha për këto dy ndeshje, e duke i marrë me radhë, për ndeshjen ndaj Francës, sonte në “Stade de la Route”, ora 20:45. Ky është takimi i pestë që do të luajmë ndaj Francës, por duhet theksuar se është takimi i parë si ndeshje miqësore, pasi të katër takimet e tjera janë luajtur në kuadër të kualifikueseve për Europian. Ndeshja e sotme ka rëndësi për kuqezinjtë, pasi është një mundësi shumë e mirë për De Biazin që të eksperimentojë me grupin e lojtarëve që ka, duke i paraprirë ndeshjeve zyrtare mjaft delikate, që e presin Shqipërinë për kualifikueset në Euro 2016. Dje, me mbërritjen në Francë, skuadra pas një pushimi ka zhvilluar një seancë stërvitore në stadiumin ku sonte do të luhet ndeshja, stërvitje kjo që i mundëson skuadrës ambientimin me fushën dhe me terrenin e panjohur, për të kapërcyer vështirësitë gjatë ndeshjes. Sa i përket formacionit, nuk pritet që De Biazi të bëjë ndryshime drastike, pasi siç u shpreh edhe vetë ai, luajnë për të testuar skuadrën në këto dy ndeshje ndaj dy skuadrave shumë të forta. Pavarësisht se është vetëm miqësore, ndeshje që luhen me kundërshtarë të një niveli të tillë kanë gjithmonë rëndësi, sidomos për forcimin e pozitave tona si skuadër në nivel ndërkombëtar. Edhe trajneri francez Deshamps e ka vlerësuar ndjeshëm skuadrën tonë, duke thënë se kohët e fundit ka ndryshuar situata edhe për skuadrën e Shqipërisë, që është shumë më mirë se ç’ ishte më përpara.

Takimet kokë me kokë

Shqipëria është ndeshur katër herë me Francën dhe vetëm në ndeshje zyrtare për kualifikuese në dy turne të Kampionatit Europian. Deri më tani, kuqezinjtë nuk regjistrojnë asnjë fitore, duke i humbur të gjitha ndeshjet, si brenda ashtu edhe jashtë. Takimi i parë regjistrohet në vitin tashmë të largët 1990, për t’u ndjekur në ndeshjen e kthimit të vitit 1991 dhe dy ndeshjet më të freskëta janë takimet për kualifikueset e “EURO 2012”, në vitin 2011.

“EURO Cup 1992”

17.11.1990    Shqipëri-Francë    0-1

30.03.1991    Shqipëri-Francë    5-0

“EURO Cup 2012”

02.09.2011      Shqipëri-Francë   1-2

07.10.2011     Francë-Shqipëri    3-0

Rezultatet e ndeshjeve të fundit të të dy skuadrave

Shqipëria ka vendosur një rekord personal duke mos humbur tre ndeshje rresht, që nga takimi miqësor me Armeninë në Qershor, fitorja me Portugalinë për kualifikuese dhe barazimi me Danimarkën në Elbasan. Në fakt, si humbje cilësohet ndeshja ndaj Serbisë, pavarësisht se akoma nuk është thënë fjala e fundit, por nga statistikat merret e mirëqenë humbja në tavolinë 3-0. Ndërkohë që Franca ka 5 ndeshje pa humbur, dhe humbjen e fundit e ka pikërisht ndaj Kampionëve të Botës në fuqi, Gjermanisë, në ndeshjen e zhvilluar në fazën çerekfinale në “Brazil 2014”. Deri më tani, Franca gëzon një formë të mirë dhe ka arritur të mundë skuadra si Spanja apo Portugalia, duke shënuar madje edhe shumë gola. Kombëtarja shqiptare, në 3 ndeshjet e fundit (duke përjashtuar Serbinë) ka arritur të shënojë 5 gola, ndërkohë që ka pësuar vetëm 1, goli ndaj Danimarkës në “Elbasan Arena”

Edi Rama vizitoi dje kampin stërvitor të Kombëtares

Kryeministri Edi Rama ka vizituar dje Kombëtaren Shqiptare në kampin stërvitor në Durrës, pak para nisjes për në Francë. Kryeministri Rama u takua me trajnerin De Biazi dhe me të gjithë lojtarët e tjerë. Ky takim u bë i njohur përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”, ku Rama ka konfirmuar praninë e tij në kampin stërvitor:
“Kafe në Durrës me De Biazin dhe Çunat e Kombëtares që sa u nisën për në Francë – u priftë e mbara nesër, në një miqësore, ku ka shumë për të mësuar!”

Lorik Cana, futbollisti me më shumë paraqitje me Kombëtaren

Në ndeshjen e sotme, kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana luan ndeshjen e tij të 80-të duke u bërë kështu futbollisti me më shumë paraqitje me fanellën kuqezi. Cana i barazoi rekordin Lalës në ndeshjen ndaj Serbisë, me 79 takime, por ndeshja e sotme ndaj Francës, vulos edhe rekordin e ri për futbollin shqiptar, rekord që do të jetë tashmë në ndjekje për t’u thyer nga të tjerë futbollistë.