Foto Strakosha: “Strategjia e re e ekipeve kombëtare të futbollit!

527
Sigal

Trajneri i ekipit Kombëtar U-19 flet për “Telegraf”: “Po vëzhgojmë lojtarë të rinj në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj”

Foto Strakosha, trajneri i ekipit Kombëtar U-19, tha gjatë një interviste ekskluzive për “Telegraf”, bëri një analizë të gjatë jo vetëm për ekipin që ai drejton, Kombëtaren A, seleksionimet që ai ka zhvilluar me lojtarë, por dhe të eksperiencës së tij si lojtar i përfaqësueses dhe tani si teknik. Ish-kapiteni i Kombëtares (73 ndeshje) dhe një nga portierët më të mirë që ka nxjerrë Shqipëria foli edhe për tryezën e rrumbullakët midis trajnerëve të ekipeve kombëtare dhe strategjinë e re të FSHF-së, për pasjen e një moduli loje në të gjitha nivelet e ekipeve kombëtare, nga U-17, U-19, U-21 dhe atij A. 

– Zoti Strakosha, para pak ditësh u zhvillua në Federatën Shqiptare të Futbollit një tryezë të rrumbullakët pune midis trajnerëve të ekipeve kombëtare, Xhani De Biazit (A), Skënder Gegës (U-21), Xhemal Mustedanagiç (U-17) dhe ju, për të pasur një modul loje të unifikuar. A është kjo një strategji e re e FSHF-së?

– Ishte një takim shumë i frytshëm, të cilin e konsideroj mjaft të dobishëm. Ne diskutuam ne detaje dhe në një frymë mirëkuptimi me të gjithë, për të pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë midis ekipeve, çka për mendimin tim na bën mirë të gjithëve. Gjërat spontane ne i kemi paguar në jetën tonë futbollistike. Kemi pasur ndeshje të mira, që na kanë gëzuar të gjithëve, por dhe jo të tilla që na kanë hidhëruar. Jam i mendimit se, sado ritmi i avashtë që të jetë, shkallë-shkallë, është më e shëndetshme se ajo shkëndija që mund të bëjmë mirë në disa ndeshje.

– Duke u rikthyer te Kombëtarja A, si e keni parë atë?

– Ka një përkushtim shumë të madh. Shpresojmë që të kemi një vit të mbarë dhe të suksesshëm, jo vetëm për rezultatet e shumëpritura nga të gjithë, por ajo që është më e rëndësishme, unë jam për të vendosur atë bazamentin e fortë, për të pasur një jetëgjatësi në rezultate të mira me ekipin Kombëtar.

– Duke e parë, gjendjen e lojtarëve të sotëm, disa prej tyre edhe pse janë kontingjente të Kombëtares, luajnë shumë pak me ekipet e tyre…

– Me keqardhje më duhet të them për rastin e Egdar Çanit, një sulmuesi shumë të mirë, por që nuk po luan tani, pra nuk ka minuta në këmbë në këmbë. Janë të pakët ata lojtarë të Kombëtares që kanë ndeshje të plota me ekipet e tyre. Fakti tregon se, pjesa më e madhe e futbollistëve tanë, për arsye të ndryshme, kanë mbetur jashtë aktivizimit, apo ka futbollistë të tjerë që luajnë vetëm njëzet minuta. Dua të përmend rastin e ndeshjes me Slloveninë, ku ne luajtëm shumë mirë, por nuk e patëm atë lojtarin “vrasës”, që kur i jepet rasti i duhur shënon. Ne nuk e bëmë këtë; humbëm ndeshjen dhe një shans të mirë për të shpresuar më shumë me Kombëtaren.

– A kemi pasur Kombëtare me të fortë, në kohën kur ju ishit kapiten i saj?

– Janë kohë të ndryshme, nuk do të doja ta krahasoja. Mendoj se, niveli i futbollit sa vjen e bëhet më i mirë, më i vështirë dhe më kompetitiv. Jam i ndërgjegjshëm se, nuk mund të krahasime të drejtpërdrejta kohësh. Më pëlqen që, në ekipin Kombëtar aktual ka një frymë të mirë, ka një grup të mirë. Nëse më parë, kishim frikë kur hidhej shorti se s’kishim lojtarë, tani nuk e kemi më, pasi kemi një grup më të madh lojtarësh. Mbaj mend se, kur ishim në ekipin Kombëtar ne kishim lojtarë që luanin në ekipe të mira dhe në kampionate të forta. Dua të përmend, Besnik Hasin te Anderlehti në Belgjikë; në Gjermani luanin Igli Tare, Ervin Skela, Altin Lala, Rudi Vata, Geri Çipi, Altin Rrakllin e ndonjë tjetër; Edvin Murati ka luajtur me Paris Sën Zhermenin në Francë, apo Iraklisin e Selanikut në Greqi, Altin Haxhin, Bledar Kolën, Alban Bushin. Kanë qenë lojtarë me shumë eksperiencë.

– A mund të themi se do te kemi një futboll më të mirë?

– Patjetër, veçse, duhet të më mirëkuptoni, se duhet pak durim, pasi me gjithë mend do të vinë ditë më të mira. Kemi elementë të mirë. Futbolli i moshave ka më shumë ndeshje ndërkombëtare në dispozicion, merr pjesë në turne zyrtarë apo miqësore. Fiton më shumë eksperiencë. Tani ka një vëmendje shumë më të madhe ndaj ekipeve të moshave, jo si më parë që i kushtohej vëmendje vetëm ekipit të parë. Gjithsesi, duhet ta themi se të gjitha ekipet e moshave, duke filluar nga ai U-17 e deri tek A janë në funksionon të njëri-tjetrit. Edhe U-19 edhe U-21 është në funksion të Kombëtares A. Futbollistët i marrin të gjitha ngacmimet që në moshë të re, pasi kështu i kultivojmë me egon dhe ndjenjën e përfaqësimit të ekipit Kombëtar.

– Për dy ditë më radhë, 7 e 8 janar, në ambientet stërvitore të Apolonisë, në Fier, u organizua përzgjedhja e futbollisteve te datëlindjes 1996, kandidatë për ekipin Kombëtar U-19. Çfarë mesazhe morët prej tyre?

– Absolutisht, mora disa sinjale shumë pozitive. Pati disa lojtarë që premtojnë për të ardhmen dhe më krijuan një përshtypje shumë të mirë, për të treguar vëmendjen dhe për t’i ndjekur në vazhdimësi. Në këtë seleksionim morën pjesë 55 futbollistë nga tre zyrat rajonale të FSHF-së: Fier, Korçë, Elbasan, të cilët përfaqësonin mbi 15 ekipe. Më parë kishim bërë edhe seleksionime në pjesën e Shqipërisë së Veriut. Duhet ta theksoj, se ato nuk janë seleksionime formale. Sigurisht, që në dy ditë nuk mund të marrësh 100% të parametrave prej tyre, por disa shkëndija unë i kam marrë. Pasi, një lojtar i talentuar dallohet edhe në pak gjëra. Ata më dhanë ngacmime, që më detyrojnë mua t’i ndjek në ekipet ku ata luajnë.

– Duke u ndalur te puna që bëjnë Zyrat Rajonale të krijuara prej vitesh nga FSHF-ja, a mendoni se ato po e luajnë rolin e tyre?

– Pa dyshim që, po. Shikoni, kjo është një praktikë botërore shumëvjeçare, dhe në Shqipëria ato janë shumë të domosdoshme. Federata na ndihmon dhe na e lehtëson goxha punën me përfaqësuesit, të cilët merren me menaxhimin e zyrave rajonale, kjo sidomos me zyrat e zbulimit të talenteve që ndodhen jashtë, në Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani. Përfaqësuesit e Federatës në ato vende na ndihmojnë me informacionet që na përcjellin dhe personalisht, jam në kontakt të vazhdueshëm më ta. Na informon për klubet ku luajnë, paraqitjet e tyre, etj..

– Pas pak ditësh do të organizohet në Greqi një seleksionim…

– Po, është e vërtetë, do të jetë javën tjetër, ndërkohë që në datat 21-22 janar 2014 dhe do të zhvillohet ne kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Do të marrin pjesë lojtarë të datëlindjes 1996, që luajnë jashtë, si Itali e gjetkë dhe që janë të interesuar për të qenë kandidatë të ekipit Kombëtar U-19. Futbollistët, që do të marrin pjesë në grumbullimin që do të zhvillohet në Greqi janë Athina, Selaniku, e qytete të tjera. Unë do të veçoja një prej lojtarëve të rinj të Olimpiakosit, mesfushori Qazim Laçi, i cili ka luajtur edhe në Ligën e Kampioneve për të rinj kundër Paris Sën Zhermenit. Në ekipin Kombëtar do të vijnë, vetëm ata që kanë dëshirë ta përfaqësojnë ekipin tonë.

– Zoti Strakosha, Shqipëria U-19 bën pjesë në një grup me Portugalinë, Danimarkën dhe Uellsin, në eliminatoret e Kampionatit Europian, që do të zhvillohen në Portugali në nëntorin e këtij viti. Cili është mendimi juaj për kundërshtarët?

– Edhe kur kemi pasur kundërshtarë në grup, Italinë e Belgjikën, e që kanë një nivel të lartë europian, gjënë e parë që bëj, tej grumbullimit të informacionit për ta, është ndërtimi i grupit të lojtarëve që do të kem në dispozicion. Për momentin, nuk dëshiroj ta gjykoj kundërshtarin, ai mund të jetë shumë i fortë, i mirë. Në qoftë se unë do të jem i kënaqur nga elementët dhe nga grupi i lojtarëve që do të krijojmë, them se mund të përballojmë çdo kundërshtar. Personalisht, i vë rëndësi mënyrës sesi luajmë dhe bashkëpunojnë në grup lojtarët, të cilët aktivizoj. Për momentin, unë gjykoj se kemi disa futbollistë të mirë dhe në të ardhmen do të kalojnë në sitë dhe shumë të tjerë.

– A ka lojtarë të Kombëtares U-17, të cilët arritën të kualifikoheshin për në turin e dytë të Kampionatit Europian, “Elite Round”, që mund t’i shërbenin Kombëtares U-19?

– Po, janë disa lojtarë. Për ata do të gjykojmë në vazhdimësinë e këtij viti, nëse ata do të jenë më të mirë se ata të vitlindjes 1996 që unë kam, atëherë do të jenë në Kombëtaren U-19.

Keni qenë trajneri i Kombëtares U-19, në dy fushata kualifikuese, 2011 në Vlorë dhe 2013 në Bullgari. Cilat janë pengjet tuaja nga këto eliminatore?

– Kualifikimi. Nuk ia dolëm dot, edhe pse e kishim shumë pranë. Në ndeshjet e zhvilluara në Vlorë, humbëm me Italinë; fituam me Belgjikën, e cila doli e para në grupin tonë, dhe humbëm me një penallti të shkaktuar në mënyrë të panevojshme ndaj Bjellorusisë. Megjithatë, ishim shumë pranë. Them se, duke korrigjuar disa gjëra edhe mund t’ia dalim.

– Foto, ju jeni nga lojtarët që kanë fituar titullin kampion me Olimpiakosin dhe Kupën e Greqisë me Panionosin, teksa keni punuar si trajner portierësh në Greqi te Panionosi dhe në Qipro te Olimpiakosi. Sa besoni se do t’iu ndihmojë kjo përvojë tani që jeni trajneri i Kombëtares U-19?

– Shumë, shumë. Nëse i vë qëllim vetes për të përfituar nga eksperiencat tek ekipet e mëdha, për të marrë njohuri nga ky profesion, them sesa më shumë të kesh marrëdhënie me kolegë aq më shumë eksperiencë merr.

– Ju jeni portieri me më shumë ndeshje me Kombëtaren, 73 të tilla, duke qenë edhe një legjendë e Përfaqësueses, madje një ndër kapitenët e suksesshëm të saj. Si e shikoni veten tani, që jeni në rolin e trajnerit?

– Më lejoni që, ta ndaj pjesën e futbollit të luajtur, me punën që bëj tani. Mendoj se, kam folur gjatë në fushën e lojës. Atë do ta gjykojnë të tjerët nëse isha i suksesshëm apo jo. Unë që nga momenti që lashë futbollin, e kujtoj ndonjëherë më shokët për ato momente që kemi kaluar, por nëse do të dua që të jem i suksesshëm, do të marr vetëm atë që ka qenë pozitive. Gjithsesi, për mua mbetet një eksperiencë shumë e bukur. A duhet të vazhdoj të jetoj me suksesin që kam pasur? Mendoj se, jo. Unë kam ambicie profesionale në punën që po bëj, atë të trajnerit.

Strakosha, ju jeni trajneri i Kombëtares U-19. Patët një grup shumë të mirë lojtarësh në eliminatoret e fundit të Kampionatit Europian, zhvilluar në Bullgari, në të cilin Shqipëria barazoi 0-0 me Bullgarin, 1-1 me Sllovakinë dhe humbi 1-0 me Greqinë, me një gol të pësuar në minutën e 86-të…

– Më duhet t’i falënderoj ende djemtë që luajtën në Bullgari, pasi prisnim të kishim një rrugë të gjatë. Na ndëshkuan disa gjëra shumë të vogla. Ajo moshë ka futbollistë shumë të mirë, dhe besoj se shumë prej tyre mund të jenë edhe pjesë të Kombëtares A.

 “Skaner 3D” ndaj të rinjve

 Për dy ditë më radhë, 7 e 8 janar, në ambientet stërvitore të Apolonisë, në Fier, u organizua përzgjedhja e futbollisteve te datëlindjes 1996, kandidatë për ekipin Kombëtar U-19, të drejtuar nga trajneri Foto Strakosha. Në këtë seleksionim morën pjesë 55 futbolliste nga tre zyrat rajonale të FSHF-së: Fier, Korçë, Elbasan, nga ekipet e  Skënderbeut, Pogradecit., Elbasanit, Skampinit, Gramshit; Peqinit; Divjakës; Lushnjës; Naftëtarit; Tomorit, Apolonisë; Bylisit; Flamurtarit; Vlorës; Orikut; Luftëtarit; Butrintit. Futbollistet shprehën aftësitë e tyre me të mira, për të merituar një vend në këtë ekip. Në datë 21-22 janar 2014, FSHF-ja do të zhvillojë seleksionimet me lojtarë të datëlindjes 1996, në funksion të ekipit kombëtar U-19, që drejtohet nga Foto Strakosha. Seleksionimi do të zhvillohet ne kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz dhe fillon në orën 10:00, më 21 janar 2014. Në këtë seleksionim do të marrin pjesë të gjithë ata lojtarë të datëlindjes 1996, që luajnë jashtë dhe që janë të interesuar. Qëllimi final është përzgjedhja e lojtarëve më të mirë dhe krijimi i ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në turin kualifikues 2014, në nëntor, në Portugali.

 Portugalia, kundërshtarja e Shqipërisë U-19

 Danimarka, Portugalia dhe Uellsi do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë U-19 në eliminatoret e Europianit te ardhshëm. Ky grup eliminator do ti zhvilloje ndeshjet ne Portugali ne datat 12,14 dhe 17 nëntor të vitit 2014 në Portugali. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria U-19, e cila drejtohet nga Foto Strakosha, nuk ia doli të kualifikohej në “Elite Raund”, ashtu siç bëri ajo U-17 e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç. Në përballjen e parë ndaj Greqisë, kuqezinjtë e rinj u ndëshkuan katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt, 1-0. Shqipëria U-19 barazoi “in ekstremis” ndaj Sllovakisë (1-1) në ndeshjen e dytë në tokën bullgare. Në ndeshjen e tretë nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Bullgarinë, duke zënë kështu vendi e fundit.

Portugezi Março Sanpaulo në stafin e kuq. Sot, ndeshja kundër gjermanëve të Darmshtadit

 Firmos boshnjaku Almir Pliska, ndërkombëtarizohet Partizani

 Lojtari nga Bosnja Almir Pliska është përforcimi me i ri i Partizanit. Pas disa ditësh stërvitje prove me ekipin, sot paradite ai nënshkroi kontratën profesionale qe e lidh atë për dy sezone me Partizanin. Dje, Pliska u bashkua me ekipin. Klubi planifikon që gjatë ditëve të qëndrimit në Antalia, skuadrës t’i bashkohen dhe lojtarë të tjerë duke përfshirë dhe të rinj që do të merren ne provë.

Sot, kundër Darmshtadtit

Partizani do të luajë katër ndeshje në tokën turke, përkatësisht me: Darmstadt (Gjermani); Neftçi-Baku (Azerbajxhan); Shandong Luneng (Kinë). Midis datave 17 dhe 18 Janar Partizani mund te luaje kundër Karlsruhes (Gjermani), por kjo nuk është ende vendosur në mënyrë përfundimtare.

Dje skuadra dy seanca stërvitore në resortin “Limak Acardia, Beleg”. Grupi i lojtareve ishte në një gjendje të mirë fizike dhe po i përgjigjet ngarkesës së trajnerit Lika dhe stafit te tij.

“Limak Acardia” ofron të gjitha kushtet optimale për të zhvilluar një minifazë të mirëfilltë përpara rifillimit të kampionatit.

Sa i përket, merkatos janë duke u vëzhguar nga stafi teknik kroatet e sapomberritur, Martin Saba dhe Mario Sacer.

Sot, skuadra do të zhvillojë miqësoren e parë, ndaj gjermaneve te Darmshtat. Ndeshja do te luhet ne oren 17:00

Trajneri portugez

Portugezi Marcio de Jesus Sampaio Vencesla, i njohur shkurt me emrin Marcio Sanpaio, është ndihmësi i ri i trajnerit Hasan Lika. Ai ka kualifikime bashkëkohore si specialist i përgatitjes fizike dhe rikuperimit të futbollistëve. Eksperiencat e tij të mëparshme përfshijnë klube të rëndesishme si Sporting, Braga, Benfika, Servete, etj. Me këtë veprim, klubi i kuq dëshmon vendosmërinë e tij për të luftuar deri në fund për objektivat që  ka vënë vetes për këtë sezon. Aktuaslisht, stafi i kuq përbëhet nga trajneri Lika dhe zëvendëstrajneret Musta dhe Dalipi

Ndeshjet miqësore

11 janar

Partizani-Darmstadt (Gjermani)

15 janar

Neftçi-Baku (Azerbajxhan)

22 janar

Shandong Luneng (Kinë)

FIFA jep të hënën vendimi për Kosovën

 Përfundoi takimi në Curih ndërmjet përfaqësuesve të futbollit kosovar dhe atij serb me ndërmjetësimin e presidentit të FIFA-së, Sepp Blatter. Takimi i paraparë për 10 janar në selinë e FIFA-së në Zurich të Zvicrës me iniciativën e presidentit të saj, Sep Blatter dhe pjesëmarrjen e delegacionit të Federatës së futbollit të Kosovës të prirë nga presidenti, Fadil Vokrri dhe ai serb nga presidenti i federatës serbe të futbollit, Tomislav Karaxhiç ka përfunduar pa një vendim të prerë. Për dallim na hera e kaluar këtë herë ka marr pjesë edhe sekretari i përgjithshëm, Zherom Valcke, si ekzekutiv i funksionit të FIFA-së dhe përgjegjësit e tjerë. Zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha në një bisedë për sporti1.com tregoi detaje të takimit të zhvilluar. “Takimi është mbajtur me prezencën e plotë të dy delegacioneve sikur në takimin e fundit. Të dy palët kanë parashtruar kërkesat e tyre”, tha Berisha. “Pala serbe ka insistuar të mos ketë simbole të shtetësisë së Kosovës në zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare miqësore të përfaqësueseve të saj, kurse delegacioni i Kosovës kërkoi zhvillimin e ndeshjeve pa asnjë kusht sikur prej fillimit, dhe sidomos të mos pyetet Serbia për zhvillimin e tyre”, tha ai.

Megjithatë një vendim nuk është marr për këtë çështje, duke lënë që çdo gjë të vendoset në fillim të javës së ardhshme.

“Vendimi do të merret të hënën nga komisioni për çështje urgjente”, tha Berisha.