Alonso rikthehet në Formulën 1, zyrtarizimi pritet ditët e ardhshme

361
Sigal

I larguar që në fund të vitit 2018 për të garuar në IndyCar Series, por ndonëse në moshën 39-vjeçare, Fernando Alonso është i bindur për një tjetër rikthim në Formulën 1, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Kjo sepse sipas prestigjozes BBC, piloti spanjoll ka arritur marrëveshjen me skuadrën franceze Renault, që të garojë aty duke nisur nga sezoni i vitit 2021, për të formuar dyshen së bashku me Esteban Ocon. Te Renault piloti spanjoll pritet të marrë vendin e australianit Daniel Ricciardo, i cili pas dy sezonesh në skuadrën franceze, nuk duket aspak i lumtur dhe do të largohet në dhjetor për t’iu bashkuar skuadrës McLaren. Fernando Alonso ka qenë pjesë e Renault edhe në periudhën 2002-2006, ku ka kaluar kohë të arta, duke fituar edhe dy tituj kampionë në Formula 1, konkretisht në vitet 2005 dhe 2006, ndërsa tani do të provojë të përsërisë suksesin. Përveç Renault, në Formula 1 Alonso ka qenë pjesë edhe e McLaren e Ferrari, ndërsa këtë verë do të garojë me McLaren në Indianapolis 500, ku do të synojë titullin kampion para se të rikthehet në drejtojë njëvendëshen në sportin më popullor të shpejtësisë.