Sigal

Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes së parë të Ligës së Kombeve mes Shqipërisë dhe Izraelit. Christian Panucci ka konfirmuar shumë surpriza në 11-shen e parë.

Në portë do të aktivizohet nga minuta e parë Thomas Strakosha, i cili duket se ka fituar balotazhin me Etrit Berishën dhe është gati të mbrojë katërkëndëshin e Shqipërisë në “Elbasan Arena”. Në mbrojtje, Hysaj në të djathtë dhe Gjimshiti në qendër, ndërsa Frederik Veseli do ta nis nga minuta e parë.

Në të majtë të mbrojtjes është rikthyer Ansi Agolli, por kapiteni do ta nisë takimin nga stoli, pasi Panucci është bindur nga talenti 23-vjeçar i Malmos në Suedi, Egzon Binaku. Në mesfushë tekniku italian i beson eksperiencës së Xhakës, Bashës dhe Memushajt, të cilët dinë të ruajnë balancat, duke mbyllur hapësirat në prapavijë dhe duke ndihmuar në organizimin e sulmeve. Sa i përket sulmit, surpriza e vetme është ish sulmuesi i Skënderbeut, Enis Gavazaj, i cili do ta nisë takimin si titullar në të majtë të sulmit.

Në të djathtë të këtij reparti do të luajë Jahmir Hyka, i cili gëzon një formë mjaft të mirë dhe ka bindur Panuccin se mund të jetë i vlefshëm me depërtimet e tij, ndërsa duelin shkodran për majën e sulmit e ka fituar  sulmuesi i Oostendes në Belgjikë, Sindrit Guri.