Flet Thomas Strakosha: Krenar që mbroj portën e Lazio dhe të Shqipërisë

752
Sigal

Thomas Strakosha është gjithnjë e më shumë protagonist në mediat italiane. Portieri i Kombëtares sonë po spikat te Lazio, teksa këtë sezon është portieri që ka pësuar më pak gola në kampionat. Në një intervistë të dhënë për “Lazio Style Radio”, 25-vjeçari flet për tema të ndryshme.

“Kam një dëmtim të vogël, por po kthehem. Situata është përmirësuar shumë gjatë javëve të fundit, tani thjesht po presim datën e rinisjes, në mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur dhe të fillojmë t’i bëjmë gjërat më mirë. Futbolli është dashuria jonë, gjithashtu edhe një punë, por nuk mund ta largojmë nga koka këtë gjë. Objektivi ynë mbetet Champions League, por tani kemi edhe kampionatin. Askush nuk priste që të mund të luftonim për kampionatin, madje as ne. Më pas u përmirësuam shumë dhe filluam ta besojmë, është normale, dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur këtë qëllim”.

Forma fizike – “Gjithçka ka qenë një gjë e re, madje edhe për trajnerët, ndeshjet e para dhe forma fizike do të jetë të rëndësishme pas tri muajve ndalim. Nuk do të luftojmë vetëm ne, por edhe të gjithë ekipet. Nxehtësia do të jetë problem, nuk kemi luajtur kurrë në qershor dhe korrik. Por gjëja e rëndësishme është të qëndrojmë të shëndetshëm, stafi do na bëj që të jemi në formën më të mirë”.

Në fushë – “Gjithmonë jam i qetë në karakter, preferoj të flas pak, pa i dhënë panik skuadrës, preferoj t’i lë të qetë, kështu argëtohen edhe ata. Frytet e punës shihen me kalimin e kohës, kemi pasur durim, tani shihen rezultatet. Nëse nuk do të rrezikonim, të gjithë ndeshjet do të mbylleshin në barazim pa gola. Më pëlqen që të luaj me këmbë, që të jem në ndeshje”.

Statistikat –  “Nuk e dija se isha i pari për pasimet e gjata në skuadër. Nuk më interesohem shumë për të dhënat, më intereson nëse skuadra fiton. E di kur gaboj, mund ta kritikoj veten time dhe më pas janë trajnerët e mi që mund të thonë se çfarë duhet të bëj dhe çfarë jo”.

Mbrojtja më e mirë – “Asgjë nuk ka përfunduar ende, shpresoj që të jemi mbrojtja më e mirë në fund të kampionatit. Merita u takon lojtarëve dhe trajnerit sepse mbrojtja jonë fillon nga sulmi”.

Kombëtarja – “Ndihem mirë për fjalët e mira. Tani po rinovojmë ekipin kombëtar, gjithmonë jam krenar që jam pjesë e saj. Do të dëshiroja të jepja një kontribut edhe më të madh si për vendin tim, ashtu edhe për Lazion dhe për këtë arsye dua të përmirësohem gjithnjë e më shumë”.

Lazio – “Të jesh portier i Lazios të jep një ndjenjë krenarie që nuk e prisja kurrë. Të luash titullar në një moshë kaq të re, është një privilegj në ditët e sotme. Po e shijoj çdo ditë dhe në çdo ndeshje. Shpresoj që t’i kthehemi sa më parë jetës normale”.