Fitues, por aspak i qetë Alegri: Pjaniçin isha gati ta rrihja

469
Nëse ky Juventus është i frikshëm duke parë lojën dhe numrat, atëherë bëjuni komplimentet lojtarëve të mi, jo mua”. Masimiliano Alegri nuk kërkon të marrë asnjë meritë përsipër, edhe pse edhe njëherë tjetër, me zgjedhjen për të ndryshuar modul taktik dhe me hedhjen e Barzaljit në fushë në vend të Kuadrados, e çorientoi Monakon. Gjithsesi, për trajnerin 49- vjeçar ka rëndësi suksesi, por finalja është ende larg për të, prandaj urdhëron që të gjithë të qëndrojnë me këmbë në tokë.
Kuadrado në pankinë, Barzalji titullar, një zgjedhje në pamje të parë mbrojtëse, por që rezultoi gjeniale…
Me Khedirën jashtë më nevojitej një lojtar më shumë për të mbrojtur kundërsulmet e Monakos, të cilët jam i bindur se kishin përgatitur një markim të veçantë edhe për Kuadradon, i cili është lojtari ynë më i shpejtë. Prandaj, vendosa që të heq dorë nga një driblues si Kuadrado, por Barzalji bëri një ndeshje thjesht fantastike, si të gjithë.
Ky Juventus të mahnit me forcën fizike që vazhdon të ofrojë, edhe pse jemi në fund të kampionatit. Si e shpjegoni?
Është meritë e atyre që i stërvisin, jo e imja. Stafi atletik ka bërë një punë të shkëlqyer. Mjafton të shohësh Manxukiçin, pastaj edhe rikuperimin e shpejtë të formës nga lojtarë si Alvesh e Dibala. Jam krenar për të gjithë.

Alegri, e paralajmëruat golin e Higuainit, por ai shënoi dy…
Kur ndeshjet bëhen serioze Gonzalo nuk fal, por akoma më shumë më mahnit Bufoni. Ai bëri 2-3 pritje spektakolare, 2-3 pritje që vlejtën po aq sa golat e Higuanit. Mos harrojmë se “Pipita” ka realizuar 31 herë sivjet, prandaj nuk kam pse habitem shumë prej tij.

Si e rilindët Alveshin? Ku ishte ai deri në këtë moment?
Jua kam nënvizuar që në fillim të sezonit shpeshherë. Ai ka qenë i dëmtuar dhe ka vuajtur disa shqetësime, por me të lënë pas problemet dhe rikuperoi formën, ai po bën thjesht atë që di, ato gjëra për të cilat ne e sollëm në Torino.

Me Pjaniçin ju pamë shumë të nervozuar. Pse?
Isha gati ta rrihja, sepse më nervozon pafund kur e shoh që nuk beson te cilësitë e tij. Ai vërtet është përmirësuar shumë që kur ka ardhur te ne, por unë e di se ai mund të jetë një mes tre fantazistëve më të mirë në botë, thjesht duhet të ketë guxim, të mos hezitojë për të bërë gjërat që di, që ka në këmbët e tij.
Finalja është fare pranë… Cili ishte çelësi i suksesit i kësaj fitoreje? 
Finalja nuk është pranë, thjesht kemi bërë një hap të rëndësishëm dhe unë jam krenar për këtë grup. Monakon e studiuam, por për të mundur një kundërshtar duhet të bësh më mirë gjërat që ata dinë të bëjnë. Pika e tyre më e fortë janë kundërsulmet, por ne përveçse ua frenuam atyre, i goditëm me armën e tyre, me kundërsulm.
Sigal