Finalja e Kupës, Daja merr lajme të mira për Soue, Mezani gjithçka ia lë fushës

612
Sigal

Nga Agron KAJA

KUPA E SHQIPËRISË/ Sot në ora 19:00 në “Elbasan Arena” me sfidën Skënderbeu-Laçi mbyllet sezoni 2017-2018, flasin për “Telegraf” dy trajnerët e skuadrave

Ky sezon, 2017-2018, mbyllet nesër me ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Korçarët, pas festës së titullit, synojnë të fitojnë edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, duke e konsideruar këtë sezon si më të përshtatshmin për të bërë bis trofesh. Në fushë, sigurisht që do të zbresin lojtarët titullarë, që janë trajnuar nga trajneri Ilir Daja posaçërisht për këtë ndeshje, por lajmi i mirë është se të dielën do të jetë gati edhe sulmuesi kryesor Ali Soue. Sulmuesi ka dalë që dje në stërvitje dhe shanset janë maksimale që ai të jetë në fushë nga minuta e parë ndaj Laçit. Gambiani Soue u shpall golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore me 21 gola, dhe vetë ai nuk dëshiron të mungojë në finalen e Kupës, dhe do të jetë në fushë për të kërkuar trofeun e tretë me ekipin korçar, pas titullit dhe “Këpucës së Artë”. Ndërkohë, te Skënderbeu probleme të tjera nuk ka pasur para kësaj ndeshjeje, ndërsa trajneri Ilir Daja kërkon që skuadra të tregojë vlerat e saj më të mira në këtë 90-minutësh të fundit të sezonit. “Skuadra është e gatshme për të dielën, edhe pse kemi kaluar ditë më parë një atmosferë të shkëlqyer të Titullit Kampion. Edhe Kupa e Shqipërisë është një nga objektivat tanë të këtij sezoni, dhe në Elbasan ne do të shkojmë vetëm për fitore. Në respekt të finalistit tjetër, Laçit, në këtë sfidë Skënderbeu do të marrë trofeun e tretë të sezonit që po mbyllim, dhe të parin në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë”, kështu deklaroi dje trajneri Daja i Skënderbeut, ndërsa Gentian Mezani i Laçit, është “kundërpërgjigjur” se, gjithçka do të vendoset në 90 minutat e lojës. “Ne jemi finalistë, dhe këtu kemi ardhur se e meritojmë. Përballë Skënderbeut nuk do të jemi inferiorë në 90 minutat në Elbasan, dhe gjithçka do të vendoset në fushë. Laçi nuk e ka për herë të parë një finale të tillë në Kupë, ndaj ne mendojmë se jemi më afër trofeut”, kështu theksoi dje trajneri i Laçit. Skënderbeu nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Shqipërisë, ndërsa Laçi është dy herë fitues i saj. Kjo finale luhet nesër në “Elbasan Arena” në ora 19:00.

Për korçarët, lajmi i mirë është se të dielën do të jetë gati edhe sulmuesi kryesor, Ali Soue, dhe shanset janë maksimale që ai të jetë në fushë nga minuta e parë, ndërsa Gentian Mezani i Laçit, është “kundërpërgjigjur” se, gjithçka do të vendoset në 90 minutat e lojës

Portieri i Laçit, Selmani: Shanset janë 50 me 50

Për kapitenin e skuadrës së Laçit, finalja e Kupës nesër, ka shanse të barabarta për të dyja skuadrat. “Do të jetë një takim shumë i fortë, dhe do të fitojë më i miri. Presioni fut gabime në lojë, por ne duhet ta fitojmë Kupën, sepse është objektivi që kemi vendosur nga fillimi i sezonit. Si për Laçin, ashtu edhe për Skënderbeun, shanset janë 50 me 50, sikundër edhe në Kampionat, ku ne fituam në dy takime, ndërsa dy të tjera i ka fituar Skënderbeu. Kam punuar fortë për të arritur deri këtu, pasi pa punë nuk arrin asgjë”, kështu ka deklaruar dje portieri e kapiteni i Laçit, Selmani.

Biletat janë drejt fundit, finalja e Kupës së Shqipërisë rikthen tifozët

Finalja e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Laçi, tashmë është në orët e fundit të saj. Nesër më 27 maj, ora 19:00 në “Elbasan Arena”, korçarët dhe laçianët presim “bum” tifozësh për finalen e Kupës së Shqipërisë. Vetë FSHF në faqen zyrtare të saj e ka bërë me dije se biletat janë në shtije edhe online, ndërsa në shitje fizike pranë dyqanit të FSHF-së në qytetin e Tiranës, ndërsa nga data 24 maj, shitja e tyre ka nisur në qytetin e Korçës tek kancelaria përballë kinemasë, ndërsa dje më datë 25 maj, kanë dalë në në shitje në qytetin e Elbasanit, në biletarinë pranë stadiumin. Tifozët e Skënderbeut do të jenë të pozicionuar në sektorët C1, C2 dhe C3, ndërsa ata të Laçit në sektorë, G1, G2, G3.

Kjo është finalja e gjashtë, për Skënderbeun kanë qenë “mallkim”

Për Skënderbeu, pesë finalet e luajtura në Kupën e Shqipërisë, nuk kanë qenë pozitive, pasi në asnjë rast nuk e ka prekur trofeun. Edhe pse në kampionatin shqiptar Skënderbeu dominon prej disa sezonesh, për të, Kupa mbetet ende një “mallkim”. Kështu, për korçarët do të jetë e hera e 6-të që prekin finalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa për herë të parë është mundur nga Partizani në vitin 1958. Tirana ia ka mohuar korçarëve në sezonet 1964-1965, 1975-1976 dhe 2011-2012, ndërsa Vllaznia në sezonin 1964-1965. Tashmë korçarët do të kërkojnë të thyejnë këtë “mallkim” dhe të tentojnë të ngrenë dy trofe në këtë sezon, pasi Kmpionatin e fituan në fundjavën e shkuar. Kjo finale e gjashtë do të thyejë “mallkimin”.