FIFA nën akuzë, për shantazh dhe ryshfete

2092
Sigal

Parlamentari Europian”: “Presidenti i FIFA-s, Jozep Blater, duhet të japë llogari, për fshehjen e skandalit”

 Më në fund, FIFA vendosi të hapë çështjen e efektin domino të skandalit që ka përfshirë disa nga funksionarët e saj më të lartë, të cilët kanë përfituar miliona franga zvicerane. Çështja është shtruar tani në Parlamentin Europian, në Strasburg, dhe është parlamentari Fransua Roshëbluan, ai që ka hartuar një raport special, të aprovuar në muajin prill në Parlamentin Europan. Sipas tij, Presidenti i FIFA-s, Jozef Blater duhet të japë shpjegime, se përse ai e ka mbajtur të fshehur kur fenomeni i shëmtuar po ndodhte dhe nuk ka reaguar kundër personave të përfshirë në skandal. Pas shumë vitesh mohimesh, kërcënimesh dhe dredhive ligjore, Gjykata Federale e Zcicrës, vendosi të shpallë fajtor dy nga drejtuesit më të lartë të FIAF, të cilët kishin përfituar miliona dollarë gjatëve viteve 1990, nga agjencia tashmë e falimentuar e marketingut, “International Sport and Leisure”, apo e njohur shkurt si ISL. Emrat nuk janë surprizë, pasi gazetat dhe televizionet kanë folur gjatë për ta shumë vite me parë. Njëri është Zhoao Havelanzh, presidenti i përjetshëm i nderit i FIFA-s, sot 96 vjeç, dhe që ka qenë i përfshirë në lëvizjen olimpike që nga viti 1936. I dyti është ish dhëndri i tij, Rikardo Teiksera, i cili dha dorëheqjen si kreu i Federatës Braziliane të Futbollit, në muajin mars të këtij viti. Midis tyre, Havelanzh dhe Teiksera, e kanë drejtuar sportin kombëtar të Brazilit – të njohur edhe si “loja e bukur” – për më shumë se një gjysmë shekulli. Brazili ka fituar të organizuar Kampionatin Botëror të Futbollit 2014 dhe Lojërat Olimpike 2016. Mënyra e Havelanzhit për të bërë marketimin e sportit, përmes televizionit dhe sponsorizimeve, rezultoi edhe në pasurimin e futbollit dhe Lojërave Olimpike gjatë gjysmës së shekullit të shekullit të 20-të. Havelanzh dhe Teiksera kanë marrë miliona dollarë nga ISL, të cilët ishin partnerë zyrtarë për marketingun, si të FIFA-s ashtu dhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Havelanzh u akuzua gjatë një emisioni të përgatitur nga televizioni Britanik “BBC”, se ai kishte marrë miliona dollarë përmes transaksioneve bankare të kryera nga ISL-ja. Shumë gazeta, përfshirë “International Herald Tribune”, për dekada me radhë kanë raportuar për skandalet e zyrtarëve të lartë të futbollit, duke ndihmuar partnerët e tyre të biznesit, ndërkohë që pasuronin veten e tyre. Havelanzh, Teiksera, Xhek Uorner dhe Nikolas Leoz, janë vetëm disa nga ata që i kanë shpenzuar vitet duke i mohuar akuzat në gjykata, pas abuzimeve të tyre me pozicionet e tyre të privilegjuara. Deficiti që shkatërroi ISL-në në vitin 2001 ishte 300 milionë franga zvicerane, e që sot vlen 305 milionë dollarë. Gjykata Federale e Zvicrës publikoi një dokument prej 41 faqesh, ku u evidentua fakti se FIFA, Havelenzh dhe Teiksera kishin paguar 6 milionë dollarë për të mbyllur hetimet nga ana Tomes Hildebrandit, me kushtin që dy zyrtarët e futbollit të mosidentifikoheshin. Raporti i Hildbrandit tregoi se Havelanzh, presidenti i FIFA-s nga viti 1974 deri në vitin 1998, ka marrë 1 milionë dollarë nga llogari a e ISL-së në FIFA, ndërkohë që Teiksera ka marrë të paktën 13 milionë dollarë. Të dy e kishin mohuar sjelljen kriminale. Sep Blater, i cili e ndihmoi Havelanzhin si sekretar i përgjithshëm për 17 vjet dhe u pasoi atë si president nga viti 1998, nuk është i akuzuar për shantazh apo ryshfete. Gjithsesi, Blateri mendohet se është njeriu që Hildebrand e referon si “P1”, dhe që mund të dijë për lëvizjen e miliona frangave nga llogaria e FIFA-s në llogarinë personale përmes Lihtenshtejnit. Blater u shpreh i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Zvicrës, që e nxjerr atë të pastër. Ai u shpreh se, kishte kërkuar qysh nga tetori i vitit të kaluar që raporti të publikohej. Tani ai, pas 31 vjetësh në FIFA, si sekretar i përgjithshëm apo president, ka larë duart nga e kaluara dhe i është dedikuar pastrimit të administratës.

 Çelsi, 60 milionë euro nga Liga e Kampioneve

 Çelsi fitoi jo vetëm trofeun e Ligës së Kampioneve të edicionit 2012-2013 (në finale mundi Bajerni nga seria e penalltive), por arkëtoi edhe një shumë prej 60 milionë eurosh nga UEFA. Në total, qeveria e futbollit europian shpërndau 754.1 milionë euro për 32 skuadrat pjesëmarrëse në fazën e grupeve, ku “pjesën e luanit” e morën dy finalistet, Çelsi dhe Bajerni i Munihut. Çelsi përfitoi 30 milionë euro për pjesëmarrjen në aktivitet, duke filluar nga faza e grupeve dhe deri në finalen e Munihut, dhe 30 milionë të tjera nga e drejta televizive. Çelsi përfitoi 9 milionë Euro për suksesin në finale, ndërsa Bajerni përfitoi rreth 6 milionë si finalist. Bajerni i Mynihut përfitoi 42 milionë euro (27 milionë nga pjesëmarrja dhe 15 milionë nga të drejtat televizive). Klube të tjera që përfituan nga UEFA për pjesëmarrjen e tyre janë Barcelona me 41 milionë, Milani me 40 milionë, Reali i Madridit me 38 milionë, Mançester United e Interi me respektivisht 35 dhe 31 milionë Euro.

 Ulet dënimi për Erkand Qerimajn

 Peshëngritësi i njohur shqiptar, Erkand Qerimaj, i cili humbi disa javë më parë jo vetëm titullin e Kampionit të Europës në peshën 77 kg, por dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, për shkak se rezultoi pozitiv, si përdorues i substancave të ndaluara, mori dje një lajm disi ngushëllues nga Komisioni i Apelit në Federatën Botërore të Peshëngritjes. Dënimi i tij, nga 2 vjet që ishte më parë, tani është ulur në 11 muaj, mospjesëmarrje  në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Peshëngritësi 24-vjeçar rezultoi pozitiv në testin antidoping në Europianin e peshëngritjes së këtij viti në Antalia. Në këtë kompeticion në urinën e Qerimajt u gjet një substancë e familjes “Metyl Hexanamine”. Në fillim Qerimaj u përjashtua 4 vjet nga çdo aktivitet, por më pas Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes në faqen e saj publikoi dënimin e Erkandit me 2 vjet duke quajtur gabim njerëzor atë që ishte publikuar më parë. Qerimaj ishte një prej pesë shtangistëve shqiptarë për Lojërat Olimpike, por pas dënimit ai u zëvendësua nga Endri Karina. Shqipëria do të përfaqësohet në peshëngritje në “Londër 2012” edhe me Hysen Pulaku, Daniel Godellin dhe Briken Calja. Për femra është Romela Begaj, nënkampione e Europës, njëherësh edhe flamurmbajtësja e delegacionit shqiptar.