Faruk Sejdini: “Skënderbeu nuk ka nevojë për tradhtarë”

553
Sigal

 Veterani i bankinave: “Futbolli është si një gur i madh, nuk mund ta shtysh përjetësisht i vetëm”

Trajneri i njohur shqiptar, Faruk Sejdini, është nga ata që dëshiron të vendosë pikat mbi “i” problemeve të shumta që ka futbolli shqiptar, edhe pse i përdor gjerësisht batutat. Ish-tekniku i Dinamos dhe një sërë klubesh të tjerë shqiptarë, tha për gazetën “Telegraf”: “Së vërtet ekipi i Skënderbeut është shumë i mirë, por kur dëgjoj se shumë klube ankohen se ndihmohet nga faktorë të tjerë, atëherë nuk më vjen mirë”, – tha Sejdini. “Xhaxhi” shtoi se, ai pret një luftë të madhe midis ekipeve që do të luftojnë për zonën Europiane, ashtu si për ato që do të dalin nga kategoria.  Sejdini, i cili ka fituar titullin kampion si trajner me Dinamon, në sezonin 2001-2002, preku dhe temën e nxehtë të shkarkimit të shpejtë dhe të shpeshtë të trajnerëve. “Drama e trajnerëve në Shqipëri i ngjan “legjendës së misrit””, – tha ai. Sejdini ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999. Si lojtar, ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977), por dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978).

 – Zoti Sejdini, ka mbetur vetëm një javë për t’u luajtur nga përfundimi i fazës së parë të Kategorisë Superiore. Skënderbeu kryeson qartësisht, me një diference prej plus nëntë pikësh nga Kukësi i vendit të dytë. Si i keni parë këto 12 javë të para të këtij edicioni?

– Mendoj se, ekipi i Skënderbeut është shumë i organizuar, një ekip më të vërtetë i mirë. Mirëpo, përpos kësaj gjykoj se, nuk ka nevojë për ndihmë apo patericat e të tjerëve. Këtë e them me rezervë, por fakti që përmendet shpesh nga drejtuesit e klubeve të tjera, nuk është një gjë e mirë. Në rast se, ti ndihmon më të fortin, atëherë nuk kë bërë gjë tjetër, veçse i ke hequr bukurinë dhe kuptimin kampionatit. Sipas meje, tani lufta do të jetë midis ekipeve të tjera, pra të gjithave të renditura pas Skënderbeut.  Pra, pres një luftë të madhe midis ekipeve që do të luftojnë për zonën Europiane, ashtu si për ato që do të dalin nga kategoria.  Në këtë kontekst, këto objektiva që kanë ekipet i japin dhe bukuri kampionatit.

– Në këtë fillimsezoni po mbizotëron dukuria “Kukësi”. Në harkun e tre viteve, Kukësi kaloi nga Kategoria e Dytë, në të Parën, ndërkohë që në sezonin e parë të tyre në Kategorinë Superiore, pozicionohet për momentin në vendin e dytë dhe është kualifikuar midis tetë ekipeve çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë. A janë paratë kaq thelbësore në ecurinë e një skuadre?

 – Nuk dua ta konsideroj Kukësin si një ekip surprizë, pasi është një klub që shpenzoi shumë në merkato, duke sjellë në skuadër 18 lojtarë të rinj, futbollistë me përvojë të madhe. Po tregon stabilitet në lojën e tij. Është një ekip për t’u lavdëruar. Dua të theksoj se, kush është i organizuar vetëm mbi bazën e parave, atëherë do ta konsideroja një problem jo të vogël. Sikur këto para të mos jenë sezonin e ardhshëm, atëherë nuk mund ta parashikoj se çfarë ecurie do të ketë një skuadër e Superligës.

 – Shumë skuadra bazohen mbi investimet e një individi, donator apo president që të quhet ai. A duket normale kjo?

 – Dëshiroj që, të gjitha qytetet të mos bazohen vetëm tek burimet e financiare të një individi, pasi në rastin që ky i fundit nuk do të hedhë më para, atëherë ato do të shpërfytyrohen. Shembujt, e Dinamos dhe Partizanit, janë të mjaftueshëm. Mendoj se, pa Partizanin, Dinamon, apo dhe ndonjë ekip që ka fituar trofe dhe është i traditës, kampionati nuk e ka atë bukuri. Prandaj, mendoj se, njerëzit që janë në krye të klubeve, pra administratorët e tyre, duhet ta kuptojë se nuk mund të bazohet kurrsesi një ekip vetëm në blerje, por duhet dhe prodhim vendas. Dhe unë i mëshoj shumë këtij fakti.

 – Ekipet plotësisht të financuara nga bashkitë nuk po shkëlqejnë aq sa pritet prej tyre. A është kjo formula më e mirë e administrimit të një klubi në Shqipëri?

 – Më duket se, klubet që janë në pronësi dhe administrim të bashkisë, janë të të gjithëve dhe janë të askujt. Eksperienca ka treguar se, nuk mund t’i administrosh ashtu si duhet, pasi futbolli kërkon impenjim, angazhim dhe punë të përditshme. Nuk mund të krijosh preokupacion te lojtarët, nëse ata nuk i ndjek disa herë në javë. Një kryebashkiak-president nuk mund ta kryejë dot këtë punë, pasi ka angazhime të shumta, sidomos në qytetet e mëdha. Mendoj se, kur një klub ka një president, që e financon atë, atëherë ky i fundit qëndron më afër skuadrës dhe di ta “shtrëngojë” atë.

 – Sipas jush, cila mund të jetë forma më e mirë?

 – Unë nuk jam që, bashkitë të mos jenë aksionare të klubeve të qyteteve, por është e domosdoshme dhe prania e biznesmenëve. Nuk jam dhe rastin tjetër, që një klub të financohet dhe të administrohet nga një individ i vetëm. Futbolli është si një gur i madh. Mund ta shtysh i vetëm një apo disa vjet, por më pas ti lodhesh dhe detyrimisht nuk mund ta shtysh dot atë. Pra, lodhesh, dëmton skuadrën. Kur janë dhjetë individë që financojnë arrijnë ta shtyjnë “gurin 10-tonësh” të futbollit, pasi dhe po mungoi një, për çfarë do lloj arsyesh janë nëntë të tjerët që do ta bëjnë punën.

  – Drama e madhe e trajnerëve vazhdon të ekzistojë. Dhjetë nga 14 skuadrat e Superligës i kanë ndryshuar trajnerët më të cilët nisin sezonin. Përse ndodh kaq shpesh te ne?

 – Drama e trajnerëve në Shqipëri i ngjan “legjendës së misrit”. Përse ndodh kjo? Në vendin tonë mund të jenë të paktë ata trajnerë që bënë merkaton, seleksionim, fazën e grumbullimit, ndërsa shkarkohen që javën e parë. Në Shqipëri nuk gjen një trajner, që të ketë paktën një kontratë dyvjeçare. Qe nga ai moment, trajneri është një rrogëtar, që do të shohë më shumë hallet e veta, sesa do të jetë i përkushtuar 100 për qind me ato të ekipit. Vërtetë bankinat janë të minuara, por tek ne janë si ato të kohës së Luftës së Dytë Botërore, që të plasin menjëherë sapo ulesh mbi to.

 

Mesi-Ronaldo-Iniesta,garë për “Topin e Artë”

 Lionel Mesi, Andres Iniesta dhe Kristiano Ronaldo janë tre kandidatët zyrtarë në garën për të fituar “Topin e Artë FIFA 2012”. Mesi e ndihmoi Barcelonën të fitonte Kupën e Mbretit vitin e kaluar dhe u udhëhoqi Agjentinën që të jetë në krye të kualifikueseve të Kupës së Botës së vitit 2014. Argjentinasi ka shënuar një numër të jashtëzakonshëm golash, 82, që nga janari i këtij viti dhe i nevojiten edhe tre të tjerë për në vitin 2012 për të barazuar rekordin e 85 rrjetave për një klub dhe vendin e tij në një vit kalendarik. Ronaldo luajti një rol qëndror në triumfin e Realit të Madridit në sezonin e kaluar të La Ligës, duke shënuar 46 gola dhe gjithashtu arriti në gjysmëfinalet e Euro 2012-s me Portugalinë. Iniesta triumfoi me Spanjën në Euro 2012 dhe fitoi Kupën e Mbretit përkrah shokut të tij të ekipit, Lionel Mesi. Fituesi do të shpallet gjatë një ceremonie “gala”, më 7 janar 2013, në Cyrih të Zvicrës. “Topi i Artë” është trofeu më prestigjioz që mund të marrë, individualisht, një lojtar futbolli. Çmimi u dha për herë të parë në vitin 1956, ndërsa vazhdon të ekzistojë tejet i lakmuar nga të gjithë deri më sot. Fillimisht, dhe për shumë vite, vetëm lojtarët evropianë mund ta aspironin atë. Kjo do të thotë se nuk mund të fitohej nga lojtarë të tjerë klasi, si Pele apo Maradona. Johan Krujf, Mishel Platini, Marko van Basten dhe Leo Mesi janë lojtarët, që e kanë ngritur më shumë herë çmimin e lakmuar (nga tri herë secili). Platini dhe Mesi janë të vetmit që e kanë fituar “Topin e Artë” në tri sezone të tij radhazi. Mesi mund t’i tejkalojë të gjitha të dhënat në këtë edicion, nëse e fiton sërish dhe kompleton “pokerin”, si askush më parë. Vetëm një portier, në historinë e këtij çmimi, ka fituar dy “Topa të Artë”. Bëhet fjalë për ish-gardianin e ish-Bashkimit Sovjetik, Lev Jashin, i njohur edhe si “macja e zezë”. Sa u përket mbrojtësve, vetëm katër kanë arritur ta bëjnë të vetin këtë trofe prestigjioz: Franc Beckenbauer (dy herë), Matias Zamer dhe Fabio Kanavaro (nga një herë). Lojtari më i ri që e ka fituar çmimin në fjalë ka qenë Ronaldo, vetëm 21-vjeç e 3 muajsh.

 TRAJNERI I VITIT

Në kategorinë e “Trajnerit të Vitit” janë tre kandidatë, pikërisht spanjollët Visente Del Boske, Pep Guardiola dhe portugezi Zhoze Murinjo.

 TROFEU “PUSHKASH”

Sulmuesit Radamel Falkao, Nejmar dhe Miroslav Stoh janë në garë për trofeun “Pushkash”, për golin më të bukur të sezonit.

 TRAJNERI i FEMRAVE

Bruno Bini, Norio Sasaki dhe Pia Sundhage janë treshja që do të luftojë për trofeun “Trajnerit të Vitit” në futbollin e femrave.

 FUTBOLLISTJA MË E MIRË

Marta, Ebi Uambah dhe Aleks Morgan janë në garë për të fituar çmimin prestigjoz “Futbollistja më e mirë e vitit”.