Faruk Sejdini: “Skënderbeu e ka potencialin për t’u kualifikuar”

508
Sigal

Veterani i bankinave: “Korçarët kanë një lojtar më shumë kundër BATE Borisovit, tifozët”

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga supersfida midis Skënderbeut e BATE Borisovit, e vlefshme për ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, trajneri i njohur Faruk Sejdini, tha për “Telegraf” se, ai beson se skuadra korçare e potencialin dhe kapacitetin për të eliminuar një skuadër me traditë të respektuar në Europë si ajo bjelloruse.  “Xhaxhi”, i cili ka një eksperiencë 14 vjeçare si lojtar dhe 30 vjeçare si trajner, duke drejtuar gjatë këtyre viteve me mijëra lojtarë dhe qindra ndeshje me skuadrat që ai ka drejtuar. Sejdini si lojtar ka fituar pesë tituj kampionë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977) si dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978). Si trajner ka fituar titullin në sezonin 2001-2002. Sejdini ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999.

  – Zoti Sejdini, na ndajnë vetëm pak orë nga Skënderbeu-BATE Borisov, një ndeshje e shumëpritur jo vetëm në Korçë, por dhe për sportdashësit shqiptarë. Ndeshja e parë në Bjellorusi u mbyll në barazim pa gola. Çfarë mund të presim nga ballafaqimi në Shqipëri?

– Sigurisht që, është një ndeshje shumë e vështirë, por kualifikimi nuk është i pamundur. Unë mendoj se, duhet të tregojmë se jemi të aftë për ta kaluar turin, sidomos në ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Në takime të tilla duhet edhe fati. Në rast se, do t’i vinim në peshore të dyja skuadrat, ekipi që do të kualifikohej do të ishte BATE Borisovi, për shumë faktorë, përfshirë dhe ata financiarë. Por, në takimin e parë nuk ndodhi kështu. Madje barazimi i Skënderbeut u arrit në transfertë.

– Sa do të ndikojë ai barazim, kur dihet se morali dhe gjendja psikologjike e Skënderbeut është e lartë?

– Futbolli ka të papritura. Edhe Gjermania që, tani është Kampione e Botës mund ta humbasë ndeshjen e parë të saj. Gjithsesi, ajo që është e rëndësishme tani është ai rezultat pozitiv që do ta kualifikonte për në turin e tretë Skënderbeun. Tashmë skuadra korçare e ka krijuar një traditë, pasi dhe edicionin e kaluar e kaloi turin e parë. Mendoj se, faktori fushë do të ndikojë jo pak.

– Nga Liga e Europës është eliminuar qysh në turin e parë Kukësi, ndërkohë që në ndeshjet e parë të turit të dytë, Flamurtari humbi 2-0 në Rumani, ndërsa Laçi humbi 3-0 në Shqipëri. A besoni te mrekullitë, për një kualifikim të mundshëm?

– Te Flamurtari edhe besoj se, mund të gjejë forcat për ta barazpeshuar fillimisht rezultatin me Petroul Ploishtin e më pas të arrijë kualifikimin, por për Laçin, fakti që humbi 3-0 në fushën e tij me ukrainasit e Zorja Luhanskin do ta konsideroja një mision thuajse të pamundur.

– Futbolli ndodhet në fazën më intensive të merkatos, dhe kjo jo vetëm për futbollistët, por dhe për trajnerët…

– Për mendimin tim është krijuar një traditë e keqe në futbollin tonë, pasi një lojtar e sheh fillimisht te një skuadër e më pas e te një tjetër vetëm pas disa javësh. E njëjta gjë që, po ndodh edhe me trajnerët, njëri bën fazën përgatitore, ndërsa një tjetër e drejton ekipin gjatë ndeshjeve të kampionatit. Janë një kompleksitet gjërash që janë jashtë futbollit. Futbolli ka ligjet e veta.

– Në ç’kuptim?

– Nëse ti si president, drejtues klubi, trajner apo lojtar nuk zbaton ligjet e tij, atëherë nuk mund të marrë kurrë rezultatet që pretendon apo i ke objektiv. Nëse do të analizonit sado pak Kampionatin Botëror “Brazil 2014”, titulli e fitoi skuadra që respektoi pikëtisht ligjet e pashkruara të futbollit, Gjermania. Gjermanët u treguan si “gjermanë në luftë”, siç thuhet në gjuhën popullore.

– Duke i bërë një analizë të shpejtë Kampionatit Botëror, cili është opinioni juaj?

– Gjermania e meritoi titullin pasi, tregoi se ishte skuadra më e mirë. Nuk kishin yje, por u treguan në perfeksion në dytyrën që duhet të bënin. Brazili pati yje, ashtu si dhe Argjentina, por disa gjera nuk arritën t’i shprehinin si duhet, pasi mund të vraposh e të lodhesh në fushë, por duhet t’i kanalizosh energjitë dhe të bësh atë detyrë që të kërkohet. Futbolli është si ushtria: do të flesh kur nuk të flihet; do të hash kur nuk të hahet dhe do të vraposh kur s’të vrapohet.

– Sejdini, si një ish-lojtari i Kombëtares ti ke luajtur kundër Gjermanisë në vitet ‘70. Çfarë kujtimesh ruan nga ato ballafaqime?

– Duhet të pranojmë se në ato vite hendeku ishte shumë i madh. Gjithsesi, kujdesi është shumë i madh, jo se kishte të bënte me anën financiare, por në prag të ndeshjeve, sidomos kundër Gjermanisë, preokupohej një shtet i tërë, pasi fuste dhe politikën brenda. Megjithatë, ne nuk mund të përballonim dot kampionë Euope apo bote si Bekenbauer, Overat, Myler, Netzer, etj. Ne i zbatonim ligjet e futbollit. Ne ishim si “gjermanë” të vërtetë në përgatitjet që i bënim ndeshjeve tona.

– Pas dy muajsh, Kombëtarja jonë do të nisë kualifikueset e Euro 2016 me ndeshjen kundër Portugalisë. Çfarë mund të presim nga ajo?

– Ka sbumë vite që, investojmë jo pak tek ekipi përfaqësues, por shumë pak rezultate të dukshme kemi marrë. Më tepër kemi parë propagandë, sesa kemi marrë rezultate. Gjithmonë i kemi lënë në gjysmë të rrugës të gjitha punët. Nuk po shofim dritë jeshilin në tunelin ku ndodhet Kombëtarja. Ecim si somnambul.

  

“Receta” e Sejdinit: “Revolucioni fillon me organizimin e klubeve dhe investimet në infrastrukturë”

  “Duhet ndryshuar mentaliteti”

 Cilësia e futbollit tonë është një çështje financimesh, tradite apo lojtarësh? Sejdini ka “recetën” e tij: “Ajo që duhet ndryshuar është mentaliteti. Fusha mund të ndërtohet, ndriçimi do të vendoset, por ajo që ka rëndësi në futbollin tonë modest, është ndërtimi i terreneve të futbollit të bazës, dhe atyre stërvitore. Trajnerët e moshave duhet të ndjejnë përgjegjësinë e furnizimit të ekipit të parë me lojtarë. Këtë e theksoj me forcë. Problemi nuk duhet të shohim një optikë shumë të ngushtë, u kualifikuam, apo u eliminuam shpejt. Mund të kalosh dhe ndonjë tur, dhe ta konsiderosh atë një sukses të madh. Por, për mua kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi është një sinjal fals. Për mua, dështimin në Europë duhet ta shohim që nga rrënjët. Pra, nga organizimi jo vetëm i klubeve tona, por dhe nga mungesa e theksuar e infrastrukturës sportive. Nuk mund të gjesh kurrë një ekip në Europë, që të vuajë nga probleme të tilla, duke përfshirë edhe skuadrat modeste nga Luksemburgu, San Marino apo Andorra. Si mund të pretendojmë ne, për të pasur rezultate të mira në Europa, kur vetë futbolli ynë vuan nga mungesa e kushteve elementare”.

  Kur Sejdini kualifikonte Dinamon

  Faruk Sejdini e ka shijuar kënaqësinë e kualifikimit në Europë në rolin e trajnerit. Por, si i kujtoni ai ato? “Jam kualifikuar si para viteve 1990 ashtu dhe në kohën e demokracisë. Dinamo është kualifikuar në edicionin 1985-1986 në Kupën UEFA me maltezët e Hamrun Spartans, por më pas u eliminua na Sportingu i Lisbonës: barazuam 0-0 në Tiranë dhe humbëm 1-0 në Portugali. Kam qenë trajner, së bashku me Fatmir Frashërin. Për herë të dytë, eliminuam në sezoni 2002-2003 lituanezët e Kaunasit (3-2, 0-0), por në raundin e dytë na eliminoi Brondbi i Danimarkës (0-4, 0-1). Duhet të theksoj se, në rast se kualifikimi para viteve 1990 kishte një bazë, pasi e dinim ku ishim, tani është shumë e paqartë”

 Kur Faruku luante kundër Gjermanisë

 Faruk Sejdini është një njohës i mirë i futbollit gjerman. Ai ka qenë pjesë e Kombëtares në eliminatoret e Euro 1972. Pikërisht, mbrojtësi Sejdini ka luajtur kundër Gjermanisë Perëndimore, në atë humbje 2-0, më 12 qershor 1971, me golat e realizuar nga Gunter Netzer (17’) dhe Jurgen Grabovksi (45’) në “Vildparkshtation” të Karlsruhes. Gjermania drejtohej nga Helmut Shëni, i cili më pas do të fitonte Kampionatin Europian 1972 dhe atë Botëror 1974, ndërsa lojtarët ishin emra të tillë si Bekenbauer, Hejnknes, Shvarcenbek, Myler, etj. Faruku ka luajtur edhe dy ndeshje kundër Gjermanisë Lindore, të humbura që të dyja: 2-0 në Magdeburg (8 prill 1973) dhe 4-1 në Tiranë (3 nëntor 1973).