Ernest Gjoka: “Ndaj Skënderbeut, e vështirë, por jo e pamundur”

562
Sigal

Trajneri i Flamurtarit flet për “Telegraf”, pas shortit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë

Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, tha për gazetën “Telegraf” se, skuadra e tij do të luftojë për të arritur në finalen e Kupës, pavarësisht se kundërshtari i gjysmëfinaleve quhet Skënderbeu, aktualisht lideri absolut i Kategorisë Superiore. “Është një ndeshje shumë e vështirë, por jo e pamundur për të arritur kualifikimin. Duhet të tregojmë shumë forcë karakteri dhe skuadra e ka atë. Nuk ka nevojë për karikim në të tilla ndeshje”, – tha Gjoka. Në dy përballjet gjatë kampionatit, secila nga skuadrat ka fituar ndeshjet e saj në shtëpi: Flamurtari në Vlorë, ndërsa Skënderbeu në Korçë. Flamurtari është tri herë fitues i Kupës, ndërkohë që, korçarët nuk e kanë fituar asnjëherë. Sfidat midis dy ekipeve kanë qenë shumë të nxehta vitet e fundit, ndërkohë që, në takimin e fundit në Vlorë ka pasur edhe incidente.

 – Gjoka, shorti në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë e vendosi Flamurtarin tuaj përballë Skënderbeut, kryesuesit të kampionatit. Si e shikoni përballjen me korçarët?

– Ndeshjet në gjysmëfinale janë të gjitha të vështira, pasi te gjitha skuadrat e kanë merituar arritjen në këtë fazë. Sigurisht, është një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për të arritur kualifikimin.

– Takimi i parë do të luhet në Vlorë. A konsideroni këtë si një avantazh?

– Patjetër. Duhet të tregojmë shumë forcë karakteri dhe skuadra e ka atë. Nuk ka nevojë për karrikim në të tilla ndeshje.

Flamurtari e ka fituar tri herë Kupën, teksa ajo e fundit daton në vitin 2010, në një në finale kundër Tiranës. A besoni se është koha për një trofe tjetër?

– Ne do të bëjmë të pamundurën që, të ecim përpara. Gjithsesi, ka ende kohë për të menduar për trofeun, pasi më parë duhet të zhvillojmë ndeshje të mira me kundërshtarin e radhës dhe ta eliminojmë atë.

– Ndeshjen e kaluar, fituar 4-2 me Lushnjën, e para për këtë vit. Të mërkurën do të luani në Kavajë kundër Besës. Si e parashikoni sfidën?

– Është një ndeshje e vështirë për ne, por do të shkojmë në Kavajë për të marrë një rezultat pozitiv.

KUPA E SHQIPËRISË

GJYSMËFINALET

 NDESHJET E PARA

26.03.2014

Kukësi-Teuta

Flamurtari-Skënderbeu

NDESHJET E KTHIMIT

09.04.2014

Teuta-Kukësi

Skënderbeu-Flamurtari

BALLË PËR BALLË NË KUPË

FLAMURTARI

Në gjysmëfinale: 24 herë

(1949, 1951, 1960,  1963/64, 1964/65, 1980/81, 1981/82, 1982/83 1983/84, 1984/85, 1986/87, 1998/99, 1989/90, 1990/91, 1991/92,  1995/96, 1996/97, 1998/99, 2008/09, 2011/12, 2013/14)

Në finale:

(1960, 1982/83, 1983/84, 1984/85, 1986/87, 1987/88, 1989/90, 1990/91, 1995/96, 1996/97, 2008/09)

Fitues: 3 herë

(1984/85, 1987/88, 2008/09)

SKËNDERBEU

Në gjysmëfinale: 9 herë

(1958, 1960, 1962/63, 1964/65, 1965/66, 1975/76, 1979/80, 2012/13, 2013/2014)

Në finale: 4 herë

(1958, 1964/65, 1975/76, 2011/12)

Fitues: asnjëherë

 Armando Cungu: “Vendos sot për Vllazninë!”

 Armando Cungu, është një nga alternativat më të mundshme për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Shkodrani mësohet se ka marrë një ftesë nga drejtuesit e Vllaznisë, pas largimit të Canajt, por ende nuk ka vendosur asgjë për të ardhmen e tij. “Më kanë telefonuar që të dielën në mbrëmje për të marrë drejtimin e Vllaznisë, por nuk jam nxituar të marr një vendim në lidhje me faktin nëse do të jem apo jo në krye të skuadrës së Vllaznisë, në pjesën e mbetur të kampionatit. Kam kërkuar pak kohë të mendohem, pasi është një vendim shumë i rëndësishëm”, është shprehur Cungu. Ndërkohë, tekniku ka dhënë edhe afatin e tij se kur do të japë një përgjigje për ofertën që i është bërë nga drejtuesit shkodranë. “Gjatë këtyre ditëve do të mendohem dhe përgjigjja ime përfundimtare do të jetë të mërkurën në mbrëmje. Nëse më shtyn diçka që ta pranoj ftesën, është ndjenja dhe detyra si shkodran dhe ish-futbollist i skuadrës, pasi situata në të cilën ndodhet ekipit është një aventurë profesionale”, ka përfunduar trajneri, i cili për momentin është shumë i kërkuar në kampin shkodran.

Tirana është klubi më i ndëshkuar me gjobë nga Komisioni i Disiplinë pranë FSHF-së

 Gjobë për Teutën dhe Vllazninë

  Komisioni i Disiplinë dënoi me gjobë klubet e Teutës dhe të Vllaznisë, përkatësisht me nga 50 mijë dhe 25 mijë lelë, për sjelljet e gabuara të tifozerive dhe lojtarëve gjatë ndeshjeve të javës së 22-të të Kategorisë Superiore. Koret ofenduese në “Niko Dovana” të Durrësit mes mbështetësve të Teutës dhe Partizanit ishin ana e errët e një sfide emocionuese mes dy rivaleve për një vend në Kupat e Europës. Për fat të keq ofendimet me fjalor vulgar degjeneruan edhe në përplasje fizike apo hedhje të sendeve të forta ndaj kundërshtarit, që fatkeqësisht rrezikoi edhe jetën e një të riu – tifoz i Partizanit – i cili u shtura në spital me fraktura në kokë. Pikërisht këto ngjarje nuk i kanë shpëtuar komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që dënoi me 50 mijë lekë gjobë klubin e Teutës për sjellje të gabuar të spektatorëve. Për senegalezin Samp mbetet në fuqi kartoni i kuq i marrë në ndeshjen me Partizanin, pra do të mungojë vetën në takimin e radhës me Tiranën. Në vendimet e shumta kryesisht për kategoritë e ulëta, bie në sy edhe dënimi i Vllaznisë me 25 mijë lekë gjobë për mospërmbushje  të përgjegjësinë në përballjen me Besën, ndërsa Laci paralajmërohet se do të jetë objekt i dënimeve nëse tifozët kurbinas do të kenë sërish sjellje të gabuar. Deri tani janë dënuar me gjobë 11 nga 12 klubet e Superligës, me përkushtim të Besës së Kavajë, cilat në total kapin shumën e 1,3 milionë lekëve:  Tirana (450 mijë lekë/pesë gjoba në total, përfshirë edhe 200 mijë leke dëme në stadiumin e Korçës); Kukësi (200 mijë, katër herë nga 50 mijë lekë); Vllaznia (125 mijë lekë,), Laçi (50 mijë lekë); Skënderbeu (150 mijë lekë, tri herë nga 50 mijë lekë) dhe Teuta (150 mijë lekë, tri herë nga 50 mijë lekë), Partizani (100 mijë lekë, dy herë nga 50 mijë lekë); Flamurtari (50 mijë lekë), Kastrioti (50 mijë lekë), Lushnja (30 mijë lekë). Nga Kategoria e Parë janë gjobitur tri skuadra: Luftëtari (50 mijë lekë), Burreli (50 mijë lekë) dhe Iliria (20 mijë lekë) si dhe një nga Kategoria e Dytë: Përmeti (50 mijë lekë). Kryesisht gjobat janë me nga 50 mijë dhe 20 mijë lekë të rinj. Motivet janë për mospërmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësisë për organizimin e një ndeshje futbolli, kore fyese të tifozëve ndaj gjyqtarëve, por dhe për hedhje të hedhje të sendeve të forta, duke goditur zyrtarin e ndeshjes.

Gjobat ndaj klubeve

Tirana   450 000 lekë

Skënderbeu 150 000 lekë

Kukësi 200 mijë lekë

Teuta            150 000 lekë

Vllaznia 125 000 lekë

Laçi              100 000 lekë

Partizani       100 mijë lekë

Bylis     100 mijë lekë

Flamurtari 50 000 lekë

Kastrioti       50 mijë lekë

Lushnja 30 mije lekë

Burreli   75 000 lekë

Mamurrasi 50 000 lekë

Luftëtari       50 000 lekë

Butrinti 25 000 lekë

Iliria      20 000 lekë

Përmeti  20 000 lekë

 Memushaj shënon sërish me Karpin

 Ledian Memushaj i jep një tjetër sinjal pozitiv trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi. Mesfushori i Karpit në Serinë B realizoi golin e parë të sfidës së prapambetur me Padovën në kuadër të javës së 28-të, e cila përfundoi në barazim 1-1. Futbollisti vlonjat zhbllokoi rezultatin në minutën e parë shtesë të pjesë së parë, por miqtë nga Padova vunë baraspeshën në minutën e 60. Ky rezultat nuk i vlejti shumë Karpit, që humbi një mundësi të mirë për t’iu afruar edhe më shumë vendit të gjashtë, që luan në fazën “play-off” për ngjitjen në Serinë A. Gjithsesi, Memushaj tregoi edhe një herë se po kalon një formë të shkëlqyer gjatë këtij sezoni, ku ka arritur të realizojë 7 gola me fanellën e Karpit. Memushaj pritet të jetë në planet e De Biazit edhe në eliminatorët e Europianit. Gjatë këtyre viteve ai ka veshur 5 herë fanellën kuqezi, në takimet miqësore.

 Serbi Petkoviç: “Rrezik kundër Shqipërisë

 Ilija Petkoviç ka deklaruar se dy ndeshjet e Kombëtares së Serbisë ndaj Shqipërisë – në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2016 – do të jenë të rrezikut të lartë. Këtë deklaratë koordinatori i skuadrës serbe e ka bërë duke u bazuar në raportet jo normale ndërmjet dy kombeve. Sipas tij, përballjet mes Shqipërisë dhe Serbisë do të jenë më shumë sesa lojëra të futbollit, transmeton “Tribuna”. “Konsideroj se të dyja ndeshjet tona ndaj Shqipërisë do të jenë me shkallë të lartë të rrezikshmërisë”, ka theksuar ai. “Të gjitha skuadrat e grupit tonë do të mundohen të kualifikohen. Kualifikimin normalisht se do ta kërkojnë edhe shqiptarët. Gjithmonë del një ekip që kualifikohet papritur. Andaj, nuk ka favorit në grupin tonë”, ka shtuar Petkoviç.