Erkand Qerimaj: Në Botërorin e Kalifornisë, po përgatitem të shkoj për medalje

555
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” peshëngritësi shqiptar “Mjeshtër i Madh”, ja përgatitjet e tij për Kampionatin Botëror të Kalifornisë
Sa punë ju “prishim” në këtë minuta bashkëbisedimi së bashku?
(Qesh) Absolutisht që nuk më prishni punë, përkundrazi, ndjehem unë i respektuar prej gazetës “Telegraf”, sepse jeni ndër të paktët gazetarë që kërkoni të zbuloni emocionet tona përgatitore në prag të një eventi Botëror të peshëngritjes, Kampionatit Botëror.

Konkretisht, ju dhe trajneri juaj Zef Kovaçi, dukeni shumë të preokupuar, për Botërorin që keni në fokus?
Konkretisht, së bashku me trajnerin tim Zef Kovaçi, kemi kohë që stërvitemi me objekt pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, i cili do të zhvillohet në Kaliforni të SHBA-ve, duke nisur nga data 25 nëntor 2017. Unë do të garoj në datën 2 dhjetor në peshën 77 kg.

Si ka qenë përgatitja juaj në këtë periudhë?
E gjithë Kombëtarja e Peshëngritjes, grupi që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, është grumbulluar në Durrës, në kushte komode të resortit “Albania Star”. Përgatitja jonë është fokusuar në të gjithë treguesit, dhe ditë pas dite unë shoh se forma ime është normale.

Ju tradicionalisht keni konkurruar në peshën 77 kg, edhe në këtë Botëror kjo është pesha konkurruese?
Po, unë tashmë e kam krijuar profilin tim në peshëngritje, kryesisht në peshën 77 kg. Edhe në këtë Kampionat Botëror në këtë peshë do të garoj, në të cilën do të kem rivalë disa peshëngritës të niveleve të larta, natyrisht, përderisa janë pjesëmarrës në këtë event botëror. 

Në këtë peshë je shqiptari i vetëm, ndikon kjo në performacën gjatë garës?
Absolutisht jo, sepse kjo nuk është gara e parë që unë konkurroj, njëherësh nuk është edhe Kampionati i parë Botëror që unë do të marr pjesë. Në CV-në time sportive, tashmë janë disa botërorë, evropianë e mesdhetarë, nga të cilët unë kam dalë edhe me medalje. 

Cili është rezultati që ju jeni duke punuar për ta arritur në këtë Kampionat Botëror?
Unë nuk po ju them një rezultat fiks, por do të synoj që të jap maksimumin tim, me pretendimin që të arrij në zonën e medaljeve. Kjo do të varet shumë se si do të më shkojë gara, por unë jam optimist se do t’ia dal me sukses, natyrisht, me një mbështetje shumë të fuqishme të trajnerit tim Zef Kovaçi.

Në këtë peshë që ju do të garoni në Botërorin e Kalifornisë, cili është rezultati më i mirë që keni arritur deri më sot?
Në viti, në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Antalia të Turqisë, unë zura vendin e 6-të me 196 kg në dygarësh. Por, ky nuk është “postbllok” për më mirë, ndaj edhe jam duke u përgatitur që jo vetëm të marr medalje në Botëror, por të arrij edhe rezultat më të lartë nga deri më sot.

Sa emocion do t’u krijojë prania e peshëngritësve të tjerë nga e gjithë Bota, të cilët kanë rezultate edhe më të mira se ju?
Edhe Kampionati Botëror në vetvete është garë, dhe aty të gjithë hyjnë si të barabartë. Gara është garë, dhe brenda saj janë të gjitha, e mes tyre edhe surprizat. Për mua nuk do të ishte surprizë që unë të arrij zonën e medaljeve në këtë Kampionat Botëror, për këtë jam duke u përgatitur seriozisht.

Ky Kampionat Botëror, është eventi i fundit ndërkombëtar për vitin 2017?
Natyrisht që po, sepse jemi në muajin nëntor dhe Botërori përfundon në ditët e para të muajit dhjetor. Unë garoj në datën 2 dhjetor, dhe është e kuptueshme se ky vit mbyllet me Kampionatin Botëror, me shpresën e mirë për medalje.
Kjo nuk është gara e parë që unë konkurroj, njëherësh nuk është as edhe Kampionati i parë Botëror që unë do të marr pjesë. Në CV-në time sportive, tashmë janë disa botërorë, evropianë e mesdhetarë, nga të cilët unë kam dalë edhe me medalje
Karriera Sportive 
Viti 2017: Kampionati Evropian Split Kroaci : 2 medalje . 1 argjend , 1 bronzi
Nënkampion Evrope në peshën 77 kg; viti 2015: Vendi i 10-të në Kampionatin Botëror; viti 2014: Kampionati Evropian në Tel Aviv: Kampion, i pari për peshën 77 kg, në dy garësh (349 kg); viti 2014: Kampionati Evropian në Tel Aviv: Kampion, duke u renditur i pari për peshën 77 kg (194 kg në stilin e shtytjes); viti 2012: Kampionati Evropian në Antalia (Turqi): Kampion duke u renditur i pari për peshën 77 kg (158 kg me shkëputje-190 kg me shtytje-348 kg në dygarësh); viti 2011: Kampionati Botëror në Pekin: Renditja i 11-ti në klasifikim; viti 2010: Kampionati Botëror (Antalia) i 6-ti në renditje; viti 2009: Kampion i Mesdheut; viti 2008: Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”; viti 2007: Kampion Bote; viti 2006: Kampion Bote në stilin e shtytjes dhe nën kampion në dy garësh; viti 2005: Nënkampion Evrope në peshën 69 kg për U-17 dhe për të rinj; viti 2004: Medalje bronzi në peshën 62 kg; viti 2003: Kampion i trefishtë Evrope në peshën 56 kg; viti 2002: Kampion i trefishtë Evrope në peshën 50 kg për U-17.
REKORDET: 2 Rekorde Botërorë për të Rinj; 2 Rekorde Evropiane; 2 Rekorde Mesdhetarë
Në vitin 2012: Urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës; Mirënjohja e qytetit nga “Bashkia Shkodër”
Aktualisht: Pedagog i Peshëngritjes në Universitetin “Marin Barleti”
AFTËSI PERSONALE 
Viti 2015, bashkautor për temën “Historiku i Peshëngritjes” Shqiptare, punuar për “Universitetin “Marin Barleti”; Dy Seminare për peshëngritjen zhvilluar në Amerikë, për zhvillimin e stërvitjes dhe ngarkesat, Polemistis Crossfit Gonzales, Dallas Texas; Master Profesional: Mësues Fizkulture/Trajner Universiteti i Sporteve, Tiranë; Licencë Avokatie; periudha 2006-2010, Bachelor në Drejtësi Universiteti “Marin Barleti”, Fakulteti Juridik, dega Drejtësi’ periudha 2002- 2006, Gjimnazi “28 Nëntori” Shkodër, Studimet e Shkollës së Mesme;
Shkurt 2015-Qershor 2016 Mësues Fizkulture Shkolla e Mesme “Ibrahim Rugova”, Kamëz, Tiranë.
Sigal