Erjon Bogdanit i “hanë” këmbët: “Luaj dhe shënoj kundër Islandës”

458
Sigal

Golashënuesi më i mirë i Kombëtares: “Konkurrenca me sulmuesit e tjerë më motivon më shumë”

Erjon Bogdani është autori i golit të fundit të Shqipërisë, në atë fitore 3-1 kundër Qipros, në ndeshjen hapëse të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, një gol i mrekullueshëm me një gjuajtje nga rreth 25 metra. Bogdani, me 17 golat e realizuar  është njëherësh edhe rekordmeni i Kombëtares, me tre rrjeta më shumë sesa Alban Bushi, por ky i fundit nuk është më në aktivitet. “unë dua që të jem titullar, por e përsëris që vendimet i merr trajneri dhe askush tjetër, ndaj dhe them që është e rëndësishme që të gjendemi gati për çdo gjë, pasi na presin vërtetë dy ndeshje të rëndësishme’, – tha “Er-Bomber” në konferencën për shtyp. “Bogu” foli edhe për situatën e tij te Siena, ku nuk ka gjetur shumë hapësirë. “Momentalisht kam probleme me trajnerin e Sienës, Kozmin, por jo personale, por sepse ai po luan me një skemë me një sulmues dhe duke qenë se jemi shumë të tillë në skuadër, atëherë bëhet edhe më e vështirë”, – tha Bogdani, i cili në Itali ka luajtur edhe me Rexhinën, Salernitanën, Veronën, Kievon, Livornon.

– Erjon Bogdani, pas dy ndeshjeve të para të eliminatoreve të Botërorit, ato ndaj Qipros, të fituar 3-1 dhe Zvicrës, të humbur 2-0, do të luajmë kundër dy kundërshtarëve të radhës, Islandës dhe Slloveniës katër ditë më pas. Si e shihni Kombëtaren?

– Kemi marrë tri pikë në dy ndeshje. Kemi fituar ndaj Qipros dhe humbur ndaj Zvicrës, por tani bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë, si Islanda.

– Në ndeshjen kundër Qipros shënuat një gol të mrekulluesëm, duke vulosur edhe fatin ndeshjes, ndërkohë që më parë kishin shënuar Armando Sadiku dhe Edgar Çani. Keni shënuar ju, Sadiku, Roshi, Çani Salihi, mesa duket, keni vendosur ta vini në vështirësi trajnerin De Biazi për zgjedhjet që duhet të bëjë?

– Të gjithë lojtarët janë thirrur për të për të luajtur, dhe sigurisht dhe për ta vënë në vështirësi trajnerin, pasi është më mirë që të ketë konkurrencë, edhe pse çdokush dëshiron të luajë.

– Për ju do të ishte problem për ty që të luajë titullar, apo të futeshe në pjesë të dytë, ashtu si ndaj Qipros?

– Sigurisht, asnjë nuk dëshiron që ta nisë nga stoli, ndaj dhe unë dua që të jem titullar, por e përsëris që vendimet i merr trajneri dhe askush tjetër, ndaj dhe them që është e rëndësishme që të gjendemi gati për çdo gjë, pasi na presin vërtetë dy ndeshje të rëndësishme.

– Bogdani, në Kombëtare jeni në top formë, ndërsa me Sienën nuk po u japin shumë hapësirë dhe nuk po luani prej disa javësh?

– Momentalisht kam probleme me trajnerin e Sienës, Kozmin, por jo personale, por sepse ai po luan me një skemë me një sulmues dhe duke qenë se jemi shumë të tillë në skuadër, atëherë bëhet edhe më e vështirë. Por, si profesionist që jam, më duhet që të stërvitem në maksimum dhe të pres momentin tim. Një situatë e tillë më kishte ndodhur edhe te Cezena, ku nuk luaja, por kur kalova te Siena erdhën golat dhe paraqitjet e mira. Sigurisht, duhet të stërvitem, pasi kur të vijë ai çast, duhet të jap më të mirën dhe, madje, të shënoj nëse është e mundur. Në kampionatin italian ka shumë situata të vështira, ndaj edhe them se duhet të gjendem gati, kur trajneri të vendosë.