Ergys Alushi: Gjimnastët e Vlorës, kampionë të Shqipërisë ndër vite

1550
Sigal

Gjimnastët e Vlorës, Kampionë të Shqipërisë

Nga Gani Mezini e Ilir Tafili deri te Yllka Çela e Albana Dhima

Ergys Alushi

60 vjet më parë dhe pikërisht në kampionatin kombëtar të kategorisë së dytë, 1958-1959, do të jenë fillimet e sportit të gjimnastikës vlonjate që me kalimin e viteve do të arrijë në majat e gjimnastikës shqiptare. “Flamurtari” renditet në vendin e parë në këtë kampionat, duke fituar të drejtën për të garuar në kategorinë e parë. Hito Jaze shpallet kampion në gjimnastikën në vegla.
Po atë viti, shtator 1959, në Spartakiadën e rretheve të kategorisë së dytë të zhvilluar në Tiranë, në palestrën e Universitetit Shtetëror të Tiranës, rrethi i Vlorës u përfaqësua me ekipe femrash dhe meshkujsh. Gjimnastët zhvilluan ushtrimet e kategorisë së tretë sportive. Në ditën e parë treguan aftësitë e tyre gjimnastet femra. Më mirë u paraqit e reja vlonjate, Rexhina Luari. Në ushtrimet me trup të lirë ajo mori 7.5 pikë, në unazë 7.8, në tra ekuilibri 8, paralele 9.2 dhe në kërcimin e kaluçit 8.2 duke grumbulluar gjithsej 40.7 pikë. Ditën e dytë, më 19 shtator, zhvilluan ushtrimet e tyre gjimnastët meshkuj. Ashtu si për femrat, edhe në ushtrimet e meshkujve vendin e parë e zuri i riu vlonjate, Hito Jaze me 52 pikë. Ai në të gjitha ushtrimet me trup të lirë, unazë, hekur, paralele, kalë me doreza dhe kërcim u paraqit mirë. Në vend të dytë u klasifikua Mjegullash Toto. Si për femra dhe për meshkuj vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm e fitoi rrethi i Vlorës. Në fillimet e para të gjimnastikës në Vlorë janë edhe emrat e Hito Jazaj, Qeverim Kushta, Liro Kreshpa, Gani Mezini, Adriatik Troqe, Harallamb Babe.

Hera e parë në vendin e parë!

Kjo ka ndodhur në Garat Kombëtare të gjimnastikës për ushtrimet e kategorisë së parë, të zhvilluar në vitin 1967, datat 17 e 18 maj në Tiranë. Që në veglat e para lufta sportive midis 9 ekipeve, mori karakter të zjarrtë, por kryesisht ajo u përqendrua tek vlonjatët dhe vojokushasit e tiranasit. Pas kërcimeve “Flamurtari” zhvilloi ushtrimet e lira. Vlonjatët i kryen ato me elegancë dhe fituan avantazh mbi ekipet e tjera. Këtë avantazh ata e rritën më tepër në kalin me doreza dhe praktikisht zunë vendin e parë me 329.8 pikë. Vendi i parë ishte një sukses i madh për gjimnastikën vlonjate. Ishte hera e parë që një ekip gjimnastike jo nga kryeqyteti, zinte vendin e parë në një garë kombëtare. Nga vlonjatët do të dallohej gjimnasti, Andrea Pavli dhe Gani Mezini, i cili në 17 maj do të nderohej me titullin “Mjeshtër Sporti”.

Epoka e Gani Mezinit

Lindur dhe banues në qytetin e Vlorës, më 10 dhjetor 1945.

“Mjeshtër i Merituar Sporti”.

“Nder i Sportit Shqiptar”.

“Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë”.

“Qytetar Nderi i Vlorës”.

“10 sportistët më të mirë të shekullit në Vlorë”

“100 sportistët më të mirë të shekullit në Shqipëri”

E ka filluar karrierën sportive në Spartakiadën Kombëtare të Pionerëve, të zhvilluar në Durrës në vitin 1959, ku zë vendin e parë në kërcimet e kalit dhe në not 50 m stil i lirë. Në Spartakiadë shkoi për të garuar në sportin e notit, por duke qenë i aktivizuar si akrobat në shtëpinë e kulturës, garoi edhe në disa sporte të gjimnastikës, dhe u shpall kampion si në traun e ekuilibrit, kërcimin e kalit dhe ushtrime të lira. Trajneri i tij i parë, në Spartakiadën e Pionierëve ka qenë Faruk Mezini, ndërsa trajneri i tij, kur ka kaluar në ekipin e të rinjve ka qenë, Eqerem Kushta. Shpallet Kampion Kombëtar, në Kampionatin e kategorisë së parë për të rinj në vitin 1962. Në Korrik të vitit 1963, në Spartakiadën e shtatë kombëtare të shkollave të mesme, shpallet Kampion në gjashtëgarëshin gjimnastikor me 58,2 pikë nga 60 të mundshmet. Në Nëntor 1963, në Lojërat e Para Studentore, shpallet Kampion në Gjimnastikë. Në Nëntor 1965, shpallet Kampion Kombëtar, në Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës për Kategorinë e Parë. Në vitin 1965 fiton titullin “Mjeshtër Sporti”. E fiton titullin me normat e mjeshtrave të Bashkimit Sovjetik, që për kohën ishin nga më të lartat në botë. Më vonë do të kapte edhe normat e vendosura në Olimpiadën e Meksikës. Nga viti 1965-1978, ka qenë anëtar i ekipit Kombëtar të Gjimnastikës. Në vitin 1971, ishte anëtar i ekipit kombëtar, pjesëmarrës në turneun e R.P. të Kinës. Ka qenë i vetmi sportist pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet e zhvilluara gjatë turneut. Në vitin 1972 në Kampionatin Kombëtar të Mjeshtrave të Sportit, shpallet Kampion në Unaza dhe Kërcim Kali. Në Tetor 1974, në Spartakiadën e Tretë Kombëtare, shpallet Kampion me Medaljen e Artë në Gjashtëgarëshin Gjimnastikor dhe fitues i pesë medaljeve (dy të Arta dhe tre Argjendi). Garat në Spartakiadën e Tretë Kombëtare, i kujton si më të bukurat sepse njëkohësisht edhe konkurronte në gara si gjimnast edhe ishte trajner i ekipit të gjimnastikës “Flamurtari”. Ekipi përbëhej nga Ilir Çela e Ilir Tafili, Fotaq Leka, Anastas Xhoxhi e Vasil Ruci. Në atë Spartakiadë, do të renditej në vendin e parë si individ e në vendin e dytë si ekip. Ka patur konkurrentë të fortë Bujar Bujarin e “17 Nëntorit”, Arqile Markon të “ILKF”, Xhavit Xhanin e “Partizanit”. Në vitin 1975-1976 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar, pjesëmarrës në takimet miqësore të zhvilluara në Shqipëri dhe R.P. të Kinës. Nga viti 1969-1980 ka qenë trajner i ekipit të “Flamurtarit” për kategorinë e parë dhe Mjeshtrat e Sportit në Gjimnastikë. Në vitet 1969, 1970, 1972, 1975 ka zënë vende të dyta në Kampionatet Kombëtare. Në vitin 1977 me ekipin e Mjeshtrave të Sportit shpallet “Kampion i Republikës”.
Në datën 5 maj të vitit 1978, në ceremoninë e fillimit të Garave të Mjeshtrave dhe të kandidatmjeshtrave të Gjimnastikës në ushtrimet fakultative, Gani Mezini do të largohet nga sporti i bukur i gjimnastikës. Në vitin 1999 shpallet një nga “10 sportistët më të mirë të shekullit” për Vlorën. Në 14 maj 2015 i jepet titulli “Qytetar Nderi i Vlorës”.

Vlora me ekip “Mjeshtrash sporti’

Deri në vitin 1973 Vlora nuk e kishte një ekip mjeshtrash sporti në gjimnastikë për meshkuj. Kishte vetëm një ekip të kategorisë së parë që stërvitej nga mjeshtri i parë i sportit në gjimnastikë, Gani Mezini. Pas tij vjen në Vlorë si mjeshtër sporti, Andrea Pavli. Mjeshtri i tretë që ka ardhur në Vlorë ka qenë Ilir Çela, i cili e kishte fituar titullin në muajin maj të vitit 1973 në kampionatin kombëtar. Pas Ilir Çelës vjen si mjeshtër në Vlorë, Fotaq Leka e Vasil Ruci e pas tij vjen nga Kukësi, Ilir Tafili i cili e kishte fituar titullin mjeshtër sporti në dhjetor të vitit 1973 në garat për kupën e Republikës. Trajneri i ekipit të mjeshtrave të sportit “Flamurtari’ ishte Gani Mezini, i cili e kishte lënë sportin pasi pësoi një traumë të rëndë në një garë. Një vit pasi ishte kthyer nga Kukësi, trajner i ekipit të mjeshtrave do të zgjidhej Ilir Tafili, ndërkohë që Gani Mezini emërohet kryetar i Komitetit të fikulturës në rreth. “Flamurtari” ishte ekipi me më shumë mjeshtra sporti në vend dhe fitues i disa garave kombëtare.

“Flamurtari” kampion në gjimnastikë

Vitet 70-të e 80-të kanë qenë të sukseshme për gjimnastikën vlonjate në rang kombëtar. Gjimnastët e rinj të Vlorës vazhdojnë traditën e suksesit që kishin merituar gjimnastët kampion para tyre. Spikasi Gjikoka, Dervishi, Osmani, Muço. Për dy dekada deri në fundin e vitit 1990, ekipi I vlorës është në majat e shumicës së garave kombëtare në sportin e gjimnastikës.
Në spartakiadën kombëtare të vitit 1979, Ilir Tafili i “Flamurtarit” fitoi medaljen e artë në unazë.

Vitet e arta të femrave gjimnaste të Vlorës

Ishte viti 1980, kur në Klubin e Sportit “Flamurtari”, mësuesja e apasionuar e klasës sportive, Paquze Bojaxhiu, do të përzgjidhte një grup vajzash të klasës së tretë, duke iu ushqyer dashurinë për sportin e bukur të gjimnastikës. Në vitin 1981, ekipi i gjimnastikës mori pjesë për herë të parë në kampionatin e kategorisë së dytë, ku zuri vendin e tretë. Në vitin 1982, ekipi pësoi një rritje cilësore, kur mori pjesë në garat e kategorisë së parë, duke u renditur në vendin e tretë. Por synimet ishin më të mëdha. Vajzat po rriteshin bashkë dhe sukseset nuk do të vononin. Në vitet 1983 – 1984, ekipi u rendit në vendin e parë. Në gjimnastikë kishte ardhur një brez që do të dominonte në konkurrencë të fortë me ekipe si “Partizani” dhe “Studenti”. Vitet 1987 – 1988 janë vitet e arritjeve edhe më të mëdha. Albana Dhima, Yllka Çela, Enkelejda Dumani, Adriatike Ago, do të jenë kampionet absolute dhe “Mjeshtret e Sportit”. Vajzat e Vlorës ishin kampione të Shqipërisë.

1980 – nëntor

U akordohet titulli “Mjeshtër i Sportit” në gjimnastikë – Ilir Tafili, Fotaq Leka, Vasil Ruci dhe Ilir Çela.

1981
“Flamurtari” kampion kombëtar për mjeshtrat (meshkuj).

23 – 26 mars në Shkodër

Kupa “Adem Reka” për të reja

“Flamurtari” në vendin e parë me 226 pikë. Enkelejda Dumani zë vendin e parë si individ.

1983 – 30 mars – 2 prill – Vlorë

Kampionati Kombëtar për fëmijë

“Flamurtari” fitues për vajza dhe djem.Për vajza si individ, u rendit në vendin e parë, E. Likona. Në vend të dytë, Albana Dhima. Për djem si individ në vendin e parë u rendit A. Rexhiti. Në vedin e dytë, A. Puraveli.

1983 – 25 – 26 tetor – Shkodër

Kupa e Republikës për kategorinë e parë femra

“Flamurtari” shpallet fitues i Kupës së Republikës..

1984 – tetor

Spartakiada e 5 kombëtare

Yllka Çela zë vendin e parë në kërcim.

1985
“Flamurtari” për femra, është fitues i Kupës së Republikës dhe fitues i Kupës “Vojo Kushi”.

1987 – 8 – 12 qershor – Vlorë

Kampionati Kombëtar i Gjimnastikës për meshkuj kategoria e parë

“Flamurtari” renditet në vendin e dytë.Piro Kongjoni në vendin e dytë në renditjen individuale.

Katër vjet kampione absolute

Që nga viti 1987 deri në vitin 1990, katër vjet radhazi, “Flamurtari” për femra i meritoi të gjitha trofetë si me mjeshtret ashtu dhe me Kategorinë e Parë. Në përbërje të ekipit ishin Albana Dhima, Yllka Çela, Enkelejda Dumani, Adriatike Ago, Rudina Zeneli, Alketa Beshiri e Rezarta Sejko, Vjollca e Mbarime Belaj, që kishin meritë në grumbullimin e pikëve për ekipin kampion të “Flamurtarit”. Trajner me të rriturat ka qenë Kostaq Gerveni. Trajner me të rinjtë – Çuman Muço.

Spartakiada kombëtare e vitit 1989

– Vlora – medalje ari për meshkuj – 248.75 pikë me Gëzim Zekën, Elmaz Hashon, Viron Çaçin, Adrian Sakon dhe Auron Rexhipin. Trajner – Vasil Ruci, “Mjeshtër i Sportit”.

– Vlora medalje ari për femra – 178.30 pikë me Adriatike Agon, Enkeleida Dumanin, Albana Dhimën, Yllka Çelën, Rudina Zenelin dhe Rezarta Sejkon.

Yllka Çela –p– 71.05 pikë.

Yllka Çela – në tra ekuilibri – 16.95 pikë.

Albana Dhima – kërcim – 18.15.

Trajner: Kostaq Gerveni.

Yllka Çela

Yllka Çela është një kampione e madhe e gjimnastikes shqiptare. Një “Mjeshtre Sporti” që e ka nderuar emrin e Vlorës. Vetëm 12 vjeçe, në vitin 1982, ajo do të kapë normën e “Mjeshtre Sporti”. Një vit më vonë, 1983, do të jetë pjesë e ekipit kombëtar të gjimnastikës, duke marrë pjesë në këto vite në aktivitete ndërkombëtare, në Turqi e Rumani. Në vitin 1984, u cilësua gjimnastja më e mirë në Spartakiadën Kombëtare të zhvilluar në Tiranë. Fiton Medaljen e Artë, në kërcimin e kalit. Në garat për Kupën “Vojo Kushi”, në Shkodër, ajo fiton titullin “Kampione Kombëtare”, duke grumbulluar pikët më të larta, 9.80. Vendet e para ishin të shumta, duke e kthyer gjimnastikën në art. “Fillimi im me sportin e gjimnastikës ka qenë diku aty nga klasa e 3-të fillore. Hyn në klasë mësuese Doloreza Zguro dhe përzgjedh fëmijët që kishin prirje për gjimnastikë. Nga klasa e saj përzgjedh vetëm mua”. Si ngjarjet më të bukura, kujton titullin “Mjeshtre Sporti” në 1989 dhe Medaljen “Naim Frashëri” po në 1989 me motivacionin: “Është dalluar për ekzekutim të elementeve të vështirësisë së lartë në sportin e gjimnastikës në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare”. Si kujtimin më të hidhur, rendit një kampionat kombëtar, vitin e të cilit nuk e mban mend. “Ishim në veglën e tretë dhe ishim në akrobaci në ushtrimet e lira. Gjatë ekzekutimit, në fund të ushtrimit, dëmtohem rëndë në këmbë (frakturë). Kishte mbetur edhe një vegel për ekzekutim: kërcimi i kalit. N.q.s do të hiqja dorë nga gara do të penalizohej ekipi, pasi pikët e mia që ishin të larta në tre veglat e para nuk do të quheshin”. Kujton se e ka kërcyer kaluçin me këmbë të thyer duke vrapuar pothuaj me një këmbë. Këtë episod e mban gjithmonë para syve në momente të vështira të jetës. “Mund t’ia dalësh”. Këtë ta mëson vetëm sporti.

Albana Dhima


“Mjeshtre Sporti” që në moshën 10 vjeçe. Gjimnaste, “Mjeshtre Sporti” në vitin 1990, anëtare e ekipit kombëtar që nga viti 1984. Në kampionatin e mjeshtreve në vitin 1990 ajo doli kampione në të gjitha disiplinat. Kategorinë e parë sportive Albana e ka fituar që në moshën 8 vjeçare. Ka marrë pjesë në tri ballkaniada. Në atë të vitit 1987, u rendit në vendin e 5 midis dhjetëra gjimnasteve.