Emanuel Egbo: Pa ndeshje kampionati, nuk është periudhë pasive

Emanuel Egbo

SUPERIORE/ Specialisti i futbollit Emanuel Egbo skanon ndeshjet e luajtura në  rrugëtimin 13 javor

 

Agron KAJA

NOA

Futbolli shqiptar ka ndalur zyrtarisht që nga e diela e 10 nëntorit, pasi Kombëtarja jonë është grumbulluar që këtë fillim javë, pasi do të luajë dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombëve, Liga B, grupi B1. Por për trajnerët, kjo periudhë është shfrytëzuar në forma të ndryshme, dhe sipas specialistit të futbollit Emanuel Egbo, kjo është një periudhë e mirë për skuadrat dhe secila shfrytëzon këtë hapësirë në shumë aspekte. “Unë mendoj se kjo periudhë nuk është pasive, sepse brenda saj do luhen ndeshje miqësore, por edhe ato të Kupës së Shqipërisë. Gjithsesi, kjo periudhë shërben kryesisht për ekipet që kanë lojtarë të dëmtuar, të cilëve u nevojitet kjo kohë për tu rikuperuar. Por edhe për ata futbollistë që nuk janë në formë, kjo është kohë e mirë. Unë do të shtoja se kjo hapësirë shërben për mirë edhe për ata trajnerë të rinj që ende nuk kanë gjetur përshtatjen në skuadrat që drejtojnë”, kështu e nisi dje bisedën Egbo me gazetën “Telegraf”, dhe më pas u ndal edhe tek detajet që mund të përdorin trajnerët. “Në fakt, gjatë kësaj periudhe rreth 13 ditore pa kampionat, trajnerët kanë mundësinë që të gjejnë kohën e të punojnë më shumë për taktika e stërvitshëmri më special. Por ka edhe disavantazhe kjo hapësirë pa kampionat, kryesisht për ato skuadra që ishin më në formë. Sepse atyre ia ul itensitetin. Të gjithë trajnerët duhet të jenë të përgatitur për këto ndërprerje të kampionatit, pasi edhe në kalendar janë të përcaktuara”. Për Egbo, në 13 javët e luajtura të Superiores, skuadrat kanë shkuar deri diku mirë, dhe renditja e tyre është e merituar. “Nisur nga renditja, unë mendoj se skuadrat janë në pozicione përsa kanë dhënë në fushën e lojës në këto 13 javë. Ngjeshja në renditje me pikë të përafërta, tregon se diferencat mes skuadrave nuk janë shumë të mëdha. Të gjitha kanë shkuar deri diku mirë, por për mua, Vllaznia është skuadra që luan taktikisht më mirë nga gjitha skuadrat e tjera, sepse luan mirë si grup. Por edhe Partizani, Dinamo dhe Egnatia janë në një formë të mirë, edhe pse mundet që seicila të kishte grumbulluar më shumë pikë. Deri në këtë javë të 13-të, nuk mund të thuash se cila skuadër ka dalë nga pritshmëritë, ka zhgënjyer apo edhe është shumë mirë. Tashmë ka edhe 23 ndeshje në dispozicion e janë shumë pikë në lojë. Kanë të dyja ekstremet e renditjes shumë mundësi që të rikuperojnë dhe të marrin më shumë pikë. Është edhe merkato e janarit, e kështu që do ketë më shumë rivalitet nga të gjitha skuadrat”. Ndërsa një parashikim për skuadrat që do jenë në zonën “Final 4”, dhe ato për mbijetesë specialisti Egbo u shpreh se mund të jetë e njëjta situatë me katër skuadrat e para që janë aty-aty, pasi diferenca mes skuadrave nuk është e madhe.

KATEGORIA E PARË

Ardian Mema për “Telegraf”:  Shpresoj ta nisim mbarë

Në këtë fillimjavë, ish-futbolllisti i Tiranës, Ardian Mema, është ulur në stolin e skuadrës së Pogradecit, pas dorëheqies së shkodranit Samuel Nikaj. Mema bëhet kështu trajneri i dytë i liqenorëve, e njëherësh edhe trajneri i gjashtë në Kategorinë e Parë që hyn si zëvendësues brënda një sezoni në këtë kategori. Dje për gazetën “Telegraf”, Mema u shpreh se do ta nisin mbarë. “Ambienti ishte mjaft mikpritës. Kemi zhvilluar seancat e para stërvitore dhe në ditët në vazhdim, në bazë të një programi, futbollistët do të marrin ngarkesën e zakonshme stërvitore. Ndërprerja e kampionatit më ndihmon për të parë nga afër gjendjen e skuadrës. Koha kur do kemi takimin e parë zyrtar, është e mjaftueshme për të krijuar një ide për skuadrën. Shpresoj që ta nisë mbarë dhe si ekip të realizojmë objektivat që ka klubi. Këtë vit liqenorët synojnë zonën “play off”. Në fundjavë do luajmë një miqësore përballë Skënderbeut në transfertë, do shoh reagimet e para te skuadra”, ishte kjo deklarata e Ardian Memës dy ditë pas marrjes së drejtimit të skuadrës pogradecare. Në fundjavë Pogradeci do të luajë një miqësore përballë Skënderbeut në transfertë, ndërkohë që në 20 nëntor do luajë në Kukës ndeshjen e Kupës.

LËVIZJET NË BANKINA

Te Erzeni, Justin Bespalla u zëvendësua nga Endri Luga; Sedat Pajaziti zëvendësoi Artan Mergjyshin te Apolonia; Stavri Nica morri drejtimin e Kastriotit pas largimit të Dorian Bubeqit; Erion Xhafa zëvendësoi Gash Maganin në stolin e Lushnjës;  Ardian Mema e merr drejtimin e Pogradecit pasi zëvendësoi Samuel Nikaj.

 

FSHF-ja përcakton kalendarin deri në fund të vitit

FSHF-ja ka përcaktuar kalendarin e Superiores, nga java e 14-të e deri në javën e 19-të. Java e 14-të do luhet më 23 e 24 nëntor, ndërsa java e 15-të e ndarë në tre ditë, mbyllet më 1 dhjetor me “derbin” e kryeqytetit, Tirana-Partizani. Java e 16-të do të luhet në mesjavë 4-5 dhjetor, ndërsa java e 17-të do të luhet të dielën dhe të hënën. Faza e dytë e kampionatit mbyllet me ndeshjet e javës së 18-të më 14 e 15 dhjetor, ndërsa faza e tretë nis me javën e 19-të më 21 e 22 dhjetor, e fundit për këtë vit.

65 NDESHJE

 

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 14

Datë 23 nëntor 2024

Vllaznia-Teuta             17:00

Skënderbe-Dinamo      17:00

Datë 24 nëntor 2024

Bylis-Egnatia               13:30

Partizani-Laçi              17:00

Elbasani-Tirana            17:00

RENDITJA                   

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Partizani       13        24

2.Vllaznia        13        22

3.Dinamo C    13        20

4.Egnatia         13        20

5.Elbasani        13        17

6.Teuta            13        17

7.Tirana           13        14

8.Skënderbe    13        12

9.Laçi              13        12

10.Bylis           13        10

 

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 13

Datë 24 nëntor 2024

Kukësi-Vora                14:00

Pogradeci-Lushnja      14:00

Korabi-Besa                14:00

Valbona-Burreli          14:00

Flamurtari-Erzeni        14:00

Kastrioti-Apolonia      14:00

RENDITJA   

Skuadrat        Nd       Pikë    

1.Flamurtari     12        29

2.Besa             12        28

3.Vora             12        28

4.Kastrioti       12        20

5.Burreli          12        17

6.Apolonia      12        15

7.Lushnja        12        15

8.Pogradeci     12        15

9.Kukësi          12        13

10.Korabi        12        11

11.Valbona      12        9

12.Erzeni         12        2