Eliminatoret e Botërorit 2022/ Reja: Andorra e rrezikshme, nuk bëj eksperimente!

326
Sigal

Shqipëria përballet me Andorrën nesër prej orës 20:45 dhe para mediave ka dalë trajneri Edy Reja, i cili ka folur për këtë përballje dhe tema të tjera. “Nuk është se kemi pasur shumë ditë për ta përgatitur këtë ndeshje. Ekipin e kam parë mirë, ka pasur pak lodhje për shkak të ndeshjeve të shumta.

Isha i shqetësuar, pasi në dy muajt e fundit ka pasur dëmtime dhe lojtarë që nuk luanin. Pak javë më parë situata u përmirësua dhe ata po luajnë titullarë. Jemi në formë të mirë dhe përqendrim i madh. Takohemi pas katër muajsh dhe nuk është shumë e lehtë. Do donim ta nisnim ku e lamë në Nations League. Andorrën nuk duhet ta nënvlerësojmë në asnjë lloj mënyre”.

“Mendoj se rendimenti i Nations League do na japë stimuj më shumë, përgjegjësia është rritur dhe do kemi skuadra më të vështira përballë. Jemi ekip më i mirë dhe ka pritshmëri për t’u rritur. Kemi mundësi ta tregojmë ndaj rivalëve të fortë në kualifikueset e Botërorit”.

“Formacionin e kam zgjedhur, por do të duhet ta shihni nesër. Nuk do të bëjmë eksperimente, e kemi provuar në stërvitje. Do të shohim si do të shkojë sot. Do mbështetem te lojtarët që kam besim, plus kemi edhe lojtarë të tjerë për të bërë ndryshime. Më vjen keq që nuk janë Abrashi e Balaj. Kemi 38 lojtarë, jo të gjithë grumbullohen. Vetëm dje kemi punuar me skuadrën të plotë. Do mundohemi të gjejmë zgjidhjet më të mira”.

“Nuk mund të bëj parashikime për objektivin në grup. Duhet ndryshim mentaliteti, më shumë siguri, kurajo dhe aspak frikë. Normalisht duhet ekuilibër dhe të jemi të fortë psikologjikisht. Me klubet edhe gabon, me kombëtaren kushtojnë shumë. Duhet mbajtur skuadra në tonus gjithë kohës, pavarësisht kundërshtarit”.

“Nedim Bajrami? Po presim FIFA-n për një përgjigje për ta aktivizuar. Ka lindur në Maqedoni dhe është rritur në Zvicër, presim lejen që mund ta dërgojnë sot ose nesër. Është një lojtar interesant, është ende i ri dhe me siguri mund të na ndihmojë shumë, pasi është një nga ata elementë që mund të rritet në vazhdim”.

“Kemi pasur probleme me Andorrën edhe në fushën tonë, e njoh si skuadër. E kam parë në disa ndeshje, është një ekip që të vë në vështirësi, bën presing lart, lë pak hapësira dhe ka lojtarë të shpejtë në krah. Duhet kujdes dhe të mos lëmë hapësira për ta”.