Egil Olsen: “Me Shqipërinë e kemi thikën në grykë!”

519
Sigal

 Trajneri i Norvegjisë flet për mediat e vendit të tij: “Nëse nuk fitojmë në Tiranë, rrezikojmë Botërorin”

Norvegjia është para një misioni tepër të vështirë në Tiranë, në një nga ndeshjet që konsiderohet figurativisht si për “jetë a vdekje”, kur ajo të përballet me Shqipërinë e De Biazit. Për këtë, më i vetëdijshëm se kushdo tjetër është trajneri i Kombëtares norvegjeze, Egil Olsen. “Me Shqipërinë e kemi thikën në grykë. Nëse nuk fitojmë në Tiranë, e rrezikojmë seriozisht pjesëmarrjen në finalet e Botërorit”, – tha “Drillo” gjatë një konference për shtyp për mediat e vendit të tij, ku bëri të ditur edhe listën e lojtarëve të grumbulluar, për ndeshjen zyrtare me Shqipërinë (7 qershor, në Tiranë) dhe miqësoren me Maqedoninë (11 qershor, në Oslo). Trajneri Egil Olse e konsideroi si tepër të rëndësishme ndeshjen me Shqipërinë, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, duke deklaruar për mediat se ai ka thirrur lojtarët më të mirë të momentit, përfshirë dhe dy kosovarët Valon Berisha dhe Adrian Gashi.

 JEMI NË FORMË

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në muajin mars në Oslo, në “Uleval”, Shqipëria fitoi 1-0 falë një eurogoli të realizuar nga Hamdi Salihi. “Ne do të jemi në një formë më të mirë kësaj radhe se ajo që ishim në muajin mars. Unë mendoj se do të jetë një  ndeshje shumë e fortë dhe e afërt për nga niveli. Ne do të preferonim të merrnim edhe një pikë, pavarësisht se do t’i doja të tria. Ne e njohim tani Shqipërinë më mirë, por kjo është reciproke. Ata kanë humbur disa lojtare për shkak të kartonëve të verdhë dhe të kuq në ndeshjen kundër nesh, ndërkohë që neve na janë rikthyer si Daniel Braten ashtu dhe Espen Rud”, – tha Olseni, i cili këmbënguli në se ndaj vendit tonë luanë shanset për të siguruar të paktën një vend në “play-off”, në rast të një fitoreje me Shqipërinë.

 ME THIKË NË GRYKË

 “Unë mendoj se realiteti është i tillë, sa nga pesë ndeshjet e mbetura neve na duhen 12 pikë për të shpresuar për të arritur një vend në “play-off”. Kjo do të thotë, që edhe në rast të humbjes me Shqipërinë jo të gjitha shpresat janë shuar, në rast se ne do t’i fitojmë katër ndeshjet e tjera. Por, atëherë ne do ta kemi thikën në grykë në çdo ndeshje në rast se do të dështojmë. Kështu, të marrim tri pikë kundër Shqipërisë do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Kështu që, unë e ndjej se jemi në atë shkallë kur mund të ndodhesh në një gjendje të dyfishtë. Kjo e bën atë ndeshje edhe më nxitëse”, – tha trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen.

SHUMË E RËNDËSISHME

Pas pesë ndeshjeve të para, Norvegjia ndodhet në vendin e katërt me shtatë pikë, dy më pak se Shqipëria e vendit të dytë, 9 pikë. “Ne kemi bërë disa ndryshime në linjën e mbrojtjes. As Vadim Demidov dhe as Vegard Forren nuk janë përfshirë, kryesisht për aktivizimin e pakët apo jo. Kjetil Vahler ka qenë solid ne kampionatin suedez (me IFK Goteborgun) dhe është rikthyer në skuadër. Ne kemi përfshirë lojtarë që kanë qenë në kampionatin norvegjez”, – tha Olsen. Në vend të Xhon Arne Risit, i cili pak kohë më parë vendosi të largohej nga Kombëtarja norvegjeze, Olseni ka thirrur dy lojtarë, Lars-Kristofer Vilvskin dhe Ruben Kristianse, si dy qendërmbrojtësit e rinj. Trajneri Olsen gjithashtu zëvendësoi portierin Petersen, i cili pësoi një dëmtim në këmbë javë e kaluar, me Sten Butebustin e Alesundit, një skuadër që eliminoi Tiranën sezonin e kaluar. Po në portë janë edhe Andre Hansen dhe Rune Almening Jarstein.

 MESFUSHË SOLIDE

Trajneri Olsen vlerësoi mesfushën e tij, duke e çmuar si repartin më të kompletuar të skuadrës. “Mesfusha është në nivel të lartë, është shumë krijuese dhe ne i kemi larguar ata që kanë luajtur shumë në të kaluarën. Vendosëm të thërrasim Per Ciljan Skjebredin (lojtar i Hamburgut), i cili ka luajtur në mënyrë solide në gjashtë muajt e fundit në një nga kampionatet më të fortë në botë. Ai më parë ka dhënë një kontribut të madh në ekipin kombëtar dhe ne e dimë se, ai është shumë i motivuar për të dhënë më shumë”, – shtoi Olseni. Sulmuesi Muhamed Abdealloue është në rikuperim e sipër dhe do të mungojë kundër Shqipërisë, ndërkohë që është rikthyer nga pezullimi Daniel Braten i Tuluzës, i cili mungoi kundër nesh për shkak të kartonëve. Por, për këtë arsye është rikthyer edhe Espen Rud i Odensës.

Kombëtarja e Norvegjisë

 Rune Almenning Jarstein    Viking

Andre Hansen               Odd

Sten Grytebust             Aalesund

Tom Høgli                  Club Brugge

Espen Ruud                 Odense

Brede Hangeland            Fulham

Tore Reginiussen                Rosenborg

Kjetil Vaehler             IFK Goteborg

Kim Andre Madsen                Stromsgodset

Ruben Kristiansen          Tromsø

Lars-Christopher Vilsvik   Strømsgodset

Markus Henriksen                AZ Alkmaar

Havard Nordtveit                B.Menchengladbach

Ruben Yttergard Jenssen    Tromso

Valon Berisha              Red Bull Salzburg

Christian Grindheim        Valerenga

Ardian Gashi               Helsingborg

Erik Huseklepp             Brann

Per Ciljan Skjelbred       Hamburg

Tarik Elyounoussi          Rosenborg

Daniel Braaten             Toulouse

Alexander Søderlund        Haugesund

Joshua King                Blackburn

Berisha-Gashi, dy kosovarë kundër Kuqezinjve

 Valon Berisha i Red Bull Zalcburgut në kampionatin zviceran dhe Ardian Gashi i Helsingborgut në kampionatin suedez janë dy lojtarët kosovarë, të cilët janë përfshirë në listën e Norvegjisë për ndeshjen kundër Shqipërisë. Në takimin e parë në Oslo i pranishëm ishte vetëm mesfushori Berisha, i cili luajti në njëzet minutat e fundit, ndërkohë që nuk ishte grumbulluar Gashi. Është interesant fakti se, si do te priten ata në “Qemal Stafa’. Nga ana tjetër, Valon Berisha është përfshirë edhe në listën e Kombëtares U-21 të Norvegjisë, që do të marrë pjesë në finalet e Kampionatit Europian që do të zhvillohet në Izrael. Në Kombëtaren U-21 të Norvegjisë bën pjesë edhe Flamur Kastrati i Erzgebirge Aue në Bundesligën 2.

Nils Johan Semb: “Na duhen tri pikët e Tiranës”

  Ish-trajneri i Norvegjisë (1998-2003), Nils Johan Semb, i cili e drejtoi në 68 ndeshje kombëtaren e vendit të tij, duke arritur ta çojë edhe në finalet e Euro 2000, shpreson te hapat falsë të Shqipërisë dhe Islandës, dy skuadra këto me pikë të barabarta, dhe që kanë dy pikë më shumë skuadra skandinave. Semb, i cili tashmë punon si komentator për televizionin norvegjez “TV 2”, tha për mediat: “Ndeshja kundër Shqipërisë është e një rëndësie gati të pabesueshme. Ne e kemi thikën në grykë dhe unë do ta dëshiroja shumë fort atë fitore”. Zvicra kryeson me grupin E me 11 pikë, dy më shumë se Shqipëria dhe Islanda. Norvegjia ka grumbulluar shtatë pikë në gjysmën e rrugës së eliminatoreve. “Me 12 pikë në pesë ndeshje ne mund të arrijmë mininumimi “play-offi”-in, ndoshta ne nuk do të kemi nevojë për pikë të tjera. Por, gjëja më e rëndësishme është të përqendrohemi për të marrë tri pikë në Tiranë”, – shtoi Semb. Në ndeshjet e muajit mars, Zvicra barazoi kundër Qipros, ndërkohë që Norvegjia humbi me Shqipërinë në “Uleval”. “Ne morëm një ndihmë surprizë nga Qiproja. Ajo tregoi sesa i paparashikueshëm është futbolli. Ishte diçka që të gjithë ne nuk e kishim parashikuar. Zvicra ka gjithashtu një ndeshje shumë të vështirë ndaj Shqipërisë, ku ajo mund të humbasë pikë. Islanda është gjithashtu e kaq e fortë, sa mund t’i vendosë shkopinj në rrota Zvicrës”, – tha ish-trajneri i Kombëtares norvegjeze, Nils Johan Semb.

 300 norvegjezë në “Qemal Stafa”

  Federata Norvegjeze ka konfirmuar udhëtimin e 300 tifozëve të saj, shumë pak për një skuadër që kërkon të fitojë ndeshjen më të rëndësishme të eliminatoreve. Shtypi norvegjez ka treguar qartë se humbja e Norvegjisë kundër Shqipërisë në mars i tejkalon përmasat e së zakonshmes. Më shumë se 16 mijë tifozë shqiptarë dhe një numër relativisht i vogël tifozësh norvegjezë. Numri prej  300 tifozësh do të jetë shumë i vogël për një skuadër që pretendon fitore. Ky po ashtu është një numër  shumë i vogël në krahasim me 5000 tifozët tanë që edhe pse në një natë të ftohtë të 22 marsit, mbajtën në këmbë stadiumin e Oslos. Norvegjezët  kanë për të qenë në një cep të D3-it. E pranojnë se në fushë dhe shkallët e stadiumit fituan shqiptarët dhe kjo do të ndodh edhe në Tiranë.

  Nga Abrashi te Basha, ja emrat e rinj të De Biazit

 Xhani De Basi e ka ftuar Vullnet Bashën në Kombëtaren Shqiptare, për ndeshjen kundër Norvegjisë. Para se të debutojë me ekipin kuqezi, 21-vjeçari duhet të pajiset me pasaportë shqiptare dhe të marrë lejë nga FIFA. Vullnet Basha do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare, për ndeshjen kundër Norvegjisë, e cila do të zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror ‘Brazil 2014’. Mesfushori kosovar, i cili luan me ekipin zviceran Sion, ka marrë ftesë nga Xhani De Basi, për ndeshjen e 7 qershorit. Këtë e ka konfirmuar vëllai i madh i Vullnetit, Migjen Basha. “Vullneti ka marrë ftesë nga De Biazi për ndeshjen kundër Norvegjisë. Ai do t’i bashkohet ekipit me 2 qershor, pasi ka ndeshje me Sionin, kurse unë do të grumbullohem me 29 maj”, ka deklaruar për Express, Basha. Edhe pse do t’i bashkohet ekipit kuqezi, Vullneti ende nuk është pajisur me pasaportë shqiptare.

“Vullneti pritet ta marrë pasaportën shqiptare pasi të grumbullohet me Kombëtaren. Ai e ka dorëzuar dokumentacionin më herët dhe besoj se pasaportën do ta ketë gati”, ka theksuar Migjen Basha. Përveç shtetësisë shqiptare, 22 vjeçari duhet ta marrë edhe dritën e gjelbër nga FIFA për ta veshur fanellën kuqezi, pasi më herët ka luajtur për përfaqësueset U-18, U-19 dhe U-20 të Zvicrës. De Basi për ndeshjen kundër Norvegjisë në ekipin kuqezi ka ftuar edhe kosovarin tjetër, Amir Abrashi, i cili luan me ekipin zviceran Grashoppers. Edhe Abrashit, sikurse Bashës, i duhet leja nga FIFA për të luajtur me Shqipërinë, pasi më herët ka luajtur me ekipin U-21 dhe U23 të Zvicrës. Përveç Bashës e Abrashit, në listën e De Biazit për ndeshjen e 7 qershorit do të jenë edhe katër emra të rinj: Jurgen Gjasula (Duisburg), Ergys Kaçe (PAOK), Azdren Llulaku (Gaz Metan) dhe Ilir Berisha (Orebro).