Edvin Murati: “De Biazi është trajner i detajeve”

679
Sigal

Ish-mesfushori i shquar i Kombëtares: “Ëndërroj ta shoh Shqipërinë në Europianin e Francës”

Edvin Murati, sh-futbollisti i shquar i Kombëtares shqiptare, tha se trajneri italian Xhani De Biazi po bën një punë të mirë, dhe se me afrimet e lojtarëve të rinj ai po krijon një skuadër dinamike, të cilin “Lusha” shpreson ta shohë në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”. “Lusha” jeton në Paris qysh nga viti 1991, kur mbërriti në kryeqytetin francez pas një aventure thriller, duke udhëtuar me një emër të rremë, kur ishte vetëm 16 vjeç. “E konsideroj shumë pozitive punën e De Biazit,, pasi është duke krijuar ndeshje pas ndeshje një ekip me djem të rinj, të cilët kanë mundësinë të luajnë katër-pesë vjet së bashku. Kjo është shumë thelbësore për një skuadër përfaqësuese”, – tha Murati gjatë një interviste për “Telegraf”. “Lusha” është rritur si futbollist në akademinë e Paris Sën Zhermenit, fanellën e së cilës e veshi gjatë tri periudhave të ndryshme. U huazua më pas te Shatoru e kategorisë së dytë (1995-1996). Karrierën e vazhdoi në Gjermani, te Fortuna Dyseldorf (1998-1999), ku luajti edhe me Igli Taren. Një rikthim i tretë të Paris Sën Zhermeni (1999-2000) dhe më pas dy sezone me Lilën (2000-2002). Me Iraklisin e Selanikut luajti katër sezone (2002-2006), për ta mbyllur karrierën te Panserraikosi (2007-2008) i kategorisë së dytë greke. Murati, një këmbëmajtë virtuoz ka luajtur 67 ndeshje me Kombëtaren, duke shënuar 4 gola, ato Azerbajxhanin, Finlandës, Zvicrës, e ku kulmon goli në fitoren 2-1 ndaj kampionëve në fuqi të Europës, Greqisë, më 4 shtator 2004.

– Zoti Murati, Shqipëria barazoi pa gola në miqësoren me Kamerunin, një prej skuadrave më të mira afrikane dhe tepër e njohur në arenën ndërkombëtare. A e konsideroni këtë një tjetër sinjal pozitiv të Përfaqësueses sonë?

– Unë isha i pranishëm në Gjenevë. Ekipi Kombëtar bëri një lojë shumë të mirë. Pashë një grup kompakt që, krijoi raste për të shënuar, pavarësisht se nuk realizuam. Trajneri De Biazi bëri ndërrime efikase, duke u dhanë shansin edhe djemve të rinj, të cilët për mendimin tim e treguan veten. Tradicionalisht nga kanë dëmtuar detajet e vogla, dhe humbja me Islandën e tregoi atë. Mund të kishim nëntë pikë. Lojtarët e mëdhenj e bëjnë gjithmonë diferencën me detajet e vogla, por që vendosin fatin e ndeshjeve.

– Trajneri italian De Biazi e mbylli vitin e tij të parë futbollistik, me një bilanc pozitiv, duke fituar katër nga nëntë ndeshjet dhe humbur vetëm tre takime. Si e vlerësoni punën e tij?

 – E konsideroj shumë pozitive, pasi është duke krijuar ndeshje pas ndeshje një ekip me djem të rinj, të cilët kanë mundësinë të luajnë katër-pesë vjet së bashku. Kjo është shumë thelbësore për një skuadër përfaqësuese. Dua të çmoj, si trajnerin e detajeve.

– Ju jetoni në Francë, atje ku do të organizohet edhe Kampionati Europian i vitit 2016. A besoni se Shqipëria mund të jetë pjesë e finaleve?

 – Unë kam qenë gjithmonë një njeri pozitiv, më pëlqen kjo gjë. “Francë 2016” do të ketë në finale 24 skuadra, kështu që shanset tona janë reale. Dua t’i shtoj këtyre dhe skuadrën që po rritet ndeshje pas ndeshje.

 – Një nga golat e tu më të paharrueshëm është ai fitoren 2-1 kundër Greqisë, kur ajo sapo ishte shpallur Kampione e Europës. A e kujtoni shpesh atë gol të mrekullueshëm?

– Sigurisht, që po. Është një nga golat më të bukur të mi, jo vetëm në karrierën me Kombëtaren, por dhe me klubet. Ma kujtojnë shpesh atë gol dhe më vjen mirë, edhe pse tashmë kanë kaluar tetë vjet, nga 4 shtatori 2004.

– Ju e fituat fanellën e përfaqësueses duke djersitur jo pak te Paris Sën Zhermeni, dhe më pas në ekipet e tjera europiane. Çfarë do t’u këshillonit lojtarëve të rinj?

 – Kombëtarja fitohet me djersë, punë të jashtëzakonshme dhe përkushtim të përditshëm me ekipin ku luan. Unë e konsideroj kulmin në karrierën e një lojtari. Kur je fushë duhet të tregosh veten sesa vlen. Vërtet në ekipin tonë po luajnë shumë lojtarë kosovarë, por trajneri do të marrë rezultatin më të mirë dhe më të mirën nga ty. Për këtë duhet të jesh shumë serioz, së pari me veten tende. Personalisht, një skuadër përfaqësuese nuk e shoh vetëm te lojtarët, por në të gjithë aksesorët e saj, që nga organizimi, struktura, e deri te tifozët, që janë lojtari i 12-të. Një skuadër e mirë nuk ndërtohet me një vit. Duhet të jesh pozitiv.

– Një nga banderolat që, ju kanë kushtuar është ajo “Murati, Maradona i Ballkanit”…

 – (Qesh). Histori e bukur, por që i përket të kaluarës. Tani u jam larguar fushave të futbollit. Gjithsesi, nuk harrohet. Por, tani më duhet të kontribuoj në një formë të tjetër, për të kontribuar për futbollin. Kam ikur që 15 vjeç nga Shqipëria, pra një kalama, por gjithmonë e kam mbajtur një lidhje të fortë me vendim tim.

 – Edvin, keni dhënë një kontribut të çmuar, në marrëveshjen midis Federatës Franceze të Futbollit dhe asaj Shqiptare,  në homologimit e lojtarëve shqiptarë në Francë, për të mos u konsideruar si ekstrakomunitarë. Si do ta konsideronit?

 – Më vjen mirë që, unë isha promotori dhe ndërmjetësi i asaj marrëveshje. Në Francë luajnë shumë lojtarë të huaj afrikanë, që kanë qenë dikur koloni franceze, dhe, fakti që futbollistët shqiptarë nuk konsiderohen më të tillë, pra jo ekstrakomunitarë, u jep atyre një shans të madh, jo vetëm tani, por dhe në perspektivë. Kemi marrëdhënie shumë të mira me Federatën Franceze, dhe të luajë një shqiptar si francez nuk është një gjë e vogël. Në Shqipëri mungon në përgjithësi infrastruktura cilësore, dhe t’i formosh në akademitë franceze është një mundësi e shkëlqyer. Marrin kulturën e punës, të cilën e konsideroj si thelbësore për një lojtar. Nuk mund të bëhesh lojtar cilësor, me një stërvitje nga liqeni, por duhen struktura të mirëfillta, por dhe programi dhe strategji.

– Ju jetoni në Paris, a e ndiqni kampionatin shqiptar?

– Sigurisht, që e ndjek, pasi platformat sportive televizive na i mundësojnë këtë, por jo rregullisht, kjo dhe për shkak të angazhimeve të detyrave që kryej. Gjithsesi, nuk mund ta mohoj se është një kampionat i pëlqyeshëm. Skënderbeu është duke bërë një tjetër sezon të mirë, por shoh dhe rivalët të tjerë për titull.

– Ka një numër lojtarësh të rinj shqiptarë, që po spikasin në Europë, si Armando Vajushi në Bullgari; Bekim Balaj në Çeki, për të mos folur për për Bakajn në Ukrainë apo Armando Sadikun në Zvicër. Si e keni parë?

 – Po, janë lojtarë që po bëjnë një sezon të mirë. Sigurisht, që është merita e tyre, por nisur dhe nga përvoja ime, duhet të punojnë fort.

– Ervin, jua keni bërë më të lehtë brezit aktual të legjionarëve të shkuarit në Europë, ndryshe nga i juaji, të cilin mund ta konsiderosh të sakrificave të mëdha dhe krijuat me shumë punë emrin e mirë të futbollistit shqiptar. A e kanë më të lehtë lojtarët që dalin nga kampionati ynë?

 – Po, sigurisht. Në shumë aspekte. Boll të kujtoj rastin tim, kur kemi ikur si të arratisur. Më kujtohen gjithmonë ato 30 kilometra vrapim në pyll, dhe duke kaluar pa vizë dhe pa bileta. Tani transferimi është komod. Po e përmbledh me një batutë” ne atëherë ishim “bardh e zi”, kurse këta të sotmit janë “high definition”.

PRESIDENTI ZHAK SHIRAK I DHA PASAPORTËN FRANCEZE

Edvin Murati ka luajtur për një nga ekipet më të mira të Francës, Paris Sën Zhërmenin, por ka pasur fatin të marrë pasaportën franceze nga ish-presidenti Zhak Shirak, pas një interesimi të fortë të tij. Por si ndodhi kjo? “Kur luan mirë në një vend edhe njerëzit të duan e të përkrahin, paçka se jo rrallë, ne, si shqiptarë, na shohin me sy tjetër. Kur isha te Paris Sën Zhermeni, zoti Shirak vinte gjithnjë, sepse ishte simpatizant i këtij ekipi. Ai e mori vesh, se në këtë ekip luante edhe një shqiptar, që vuante shumë nga mungesa e dokumentacioneve. Pasi u njoh me hallin tim, pas gjashtë muajsh më dha pasaportën franceze”, – tregon ish-ylli i Kombëtares, Edvin Murati.

67 Ndeshje, 4 Gola

Me Kombëtaren shqiptare, Edvin Murati, ka luajtur 67 ndeshje, duke shënuar 4 gola, ato Azerbajxhanin, Finlandës, Zvicrës, e ku kulmon goli në fitoren madhështore 2-1 ndaj kampionëve në fuqi të Europës, Greqisë, më 4 shtator 2004, në “Qemal Stafa”.

IMAZH TELEVIZIV

Edvin Murati është imazhi i degës shqiptare të bankës franceze “Societe Generale”, duke qenë në disa reklama informative. “Së bashku dhe me bankën kemi formuar një klub biznesi dhe po përpiqemi që të sjellim investitorët francezë në Shqipëri, ashtu siç po synojmë të gjejmë mundësi për biznesmenët tanë në Francë”.

___________________________________________________________________________________

Leh Poznan, 400 mijë euro për Edgar Çanin

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edgar Çani, mund të largohet nga Polonia Varshava gjatë merkatos dimërore. Destinacioni i ri pritet të jetë Leh Poznan, që është gati të paguajë 400 mijë euro për kartonin e lojtarit shqiptar. Lajmin e bënë të ditur mediat sportive polake, që theksojnë se Çani mund të ishte i vlefshëm për Poznanin, që po vuan nga kriza e golit. Sulmuesi gjigant nuk po kalon një moment të mirë me Polonia Varshavën, sidomos me trajnerin e tij, Pietrem Stokovcem, i cili e nisi në ekipin e dytë, ndërkohë që Çani pëlqehet jo nga tekniku i Leh Poznanit, Marius Rumak, ku i fundit e sheh atë si zëvendësuesin e më të mirë të Artjoms Rudnvesit, të larguar në fillim të sezonit. Edgari, i cili menaxhohet nga legjenda Zbiginjev Bonjek, është lojtari më i paguar te Polonia Varshava dhe një ndër më të shtrenjtët në Poloni, dhe kjo ka qenë edhe një arsyet që klubi e ka nxjerrë në shitje. Edhe Legia e Varshavës, kryesuesja e kampionatit polak, e ka në konsideratë Çanin. Sulmuesi është në vitin e dytë në Poloni dhe ka bërë emër rë mirë, teksa 24-vjeçari ka shënuar 13 gola në 24 ndeshje sezonin e kaluar. Çani është formuar si futbollit në Itali, duke u aktivizuar me skuadra të tilla si Palermo, Peskara, Piacenca dhe Modena.