Më në fund mbërriti ndeshja finale e kampionatit Botëror. Më jep kënaqesi kampionati. Më pëlqen më shume nga gjithe kompeticionet e tjere, ndoshte edhe pse luhet më rrallë (çdo katër vjet).
Është spektakli sportiv më i bukur në bote, me më shumë intensitet, hapësira për gabime është shume e kufizuar mbasi një i tille mund të të “ktheje në shtëpi”.
Çdo Kampionat Botëror krijon historinë e tij. Në këtë te fundit: u luajt për here të parë në Lindjen e Mesme, në vendin më të vogël deri më sot, Qatar, më i diskutuari, por i organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Për herë të pare, u organizua në periudhën nëntor-dhjetor, ndryshe nga të tjerët që jane organizuar në qershor-korrik. Po ashtu, është botërori më i shkurtër që nga viti 1978, pasi ka vetëm njëzet e nëntë ditë, ndryshe nga tridhjetë e dy të zakonshmet në kampionatet e fundit.
Stéphanie Frappart, është femra e parë që drejtoi një ndeshje në një Kampionat Botëror meshkujsh dhe gjithashtu, së bashku me Neuza Back dhe Karen Díaz Medina, formuan treshen e parë tërësisht femra që arbitruan një ndeshje.
Do flasim për VAR…? Jooooooo….! Vazhdojme atëhere.
Kampionati Botëror, shumë më tepër se një turne futbolli, është një ngjarje kulturore, sociale dhe ekonomike. Është ndër festat më të rëndësishme sportive. Priten rreth 5 miliardë njerëz në mbarë botën që do të ndjekin në TV botërorin e Katarit, më shumë se gjysma e popullsisë së botës!
Shkallët e stadiumeve, të okupuar 96% mbas 48 ndeshjesh, jane mbushur me fëmije, gra, burra pa dallim moshe, feje apo ideologjie. Ambienti është festiv, miqësor (kur mungojnë “hooligans”) dhe plote me ngjyra, ku mbizotërojne ngjyrat dhe simbolet kombëtare. Në shume raste, me veshjet e tyre evokojne fitoret apo heronjtë e së kaluarës, me pasion mbështesin ekipet e tyre dhe kendojne himnet me emocion. Nuk ndodh një gjë e tillë në asnjë aktivitet tjetër sportiv ose jo. Kjo është forca e futbollit! Një sport që lëviz masat e ndikon në ndjenjat e tyre si asnjë aktivitet tjetër. Po çfarë e bën futbollin kaq të veçantë, që tërheq qindra mijëra e miliona njerëz në mbarë botën? Sipas historianit të famshëm Eric Hobsbawm, “Komuniteti imagjinar i milionave duket më real kur është një ekip me 11 persona me emër dhe mbiemër. Madje dhe individi, ai që vetëm brohoret në shkallët e stadiumit, ndihet simbol i kombit të tij”. “Bluza është bërë simboli më i padiskutueshëm i identitetit kolektiv dhe jo vetëm në vendet e varfra apo të vogla, të cilat varen nga futbolli për t’u gjendur në hartë”, – ka shkruajtur shkrimtari Eduardo Galeano.
Sartre, që aktivitetit të tij shume të pasur intelektual do ti shtonte dhe dashurinë për futbollin dhe ekipin e tij të zemrës, Paris SG, jep dhe një arësye tjetër: futbolli është metafora e jetës. “Dhe në fakt, nga të gjitha spektaklet e mundshme, sportive ose artistike, futbolli është ai që i ngjan më shumë jetës, ai që e simbolizon atë në mënyrën më të përshtatshme, pothuajse një transkript besnik i saj” -shkruan Gregorio S. Caja, një nga autoritetet e shquara spanjolle në filologji.
Një ndeshje futbolli ka kaq shume rastësi që eshte pothuaj e pamundur të parashikohet. Çdo gjë mund të ndodhë, në çdo moment, dhe shfaqet e pamundura atëhere kur nuk e presim; humbin më të mirët, kur më pak pritet, ose të ashtuquajturit ekipe të vegjël mund të arrijnë momentet e tyre të lavdishme. Dhe në këtë drejtim, ky kampionat do të na leri për historine shëmbujt e tij: humbja e Argjentinës ndaj Arabisë Saudite; ‘Die Mannschaft’, humbet ndaj Japonise dhe për të dytën herë radhazi, nuk mundi të kalonte fazën e grupeve të një botërori; Maroku ishte gati të “pushtonte” europën, la mbrapa, në grup, Belgjiken dhe Kroacine, eleminoi më tej Spanjën dhe Portugaline, dy fuqi futbollistike, dhe arriti në gjysem finale.
Por kampionatit i erdhi fundi. Sot do te luhet ndeshja nº 64. Finalja. Një finale e denjë. Dy ekipe shume të rëndësishëm të historisë së futbollit: Argjentina: fituese e 2 Kupave të botës sot do të luaj finalen e 6. Franca: fituese e 2 Kupave të botës sot do të luaj finalen e katërt.
Dy konfederata:
Europa ku u “shpik” futbolli modern dhe America e Jugut ku filloi kampionati më i vjetër në botë i ekipeve kombëtare, 1916 (në europe filloi në 1960) dhe u luajt Kampionati i pare Botëror i futbollit, 1930.
Dy vende:
Franca, kampionia në fuqi dhe vëndi që ka ideuar disa prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive të botës: Lojrat Olimpike Moderne, Kampionatin Botëror (Kupa Jules Rimet), Kampionatin Europian të futbollit, Kupën e Kampionëve të Europës (sot Champions League)…etj., etj. Shkruante dikur një gazetar: “Anglia i shpiku sportet, Franca na mësoi çfare të bëjmë me ato”.
Argjentina, një nga finalistet e kampionatit të pare botëror të futbollit (1930). Thuhet se futbolli është më i rëndësishmi ndërmjet gjërave të parëndësishme. Por Jo në Argjentine! Aty futbolli është i rëndësishëm ndërmjet gjërave më të rëndësishme dhe konsiderohet art, ashtu si Tango. Por është dhe vëndi i tre artistëve të mëdhenje të futbollit: Di Stefano, Maradona, Messi. “Nuk ka Argjentinë pa futboll” -shkruan gazetari sportiv Andrés Eliceche.
Dy shkolla futbolli.
Franca: për momente me futboll “delicatessen”; me mbrojtje shume te forte por dhe me aftësi sulmuese; me mesfushe krijuese ku dallohet Griezmann, më i miri deri sot, truri që drejton “makinën” franceze dhe lëviz marshat duke i dhënë skuadrës atë që i duhet në çdo ndeshje; një vije sulmi me aftësi për të çekuilibruar çdo lloj mbrojtje, sado e fuqishme, ku spikat ylli i ri i futbollit botëror, Mbappé,
Argjentina: një ekip pa yje në krahasim me disa vite më parë; i fortë në mbrojtje, me lojë vertikale dhe me aftësi për të kaluar në fazën sulmuese. Mjeshtra për të shfrytëzuar gabimet e mbrojtjes. Por forca e tyre e vërtete është te grupi, mire të organizuar dhe me një bashkëpunim të jashtëzakonshem ndërmjet lojtarëve-shokë. Drejtuesi shpirtëror i këtij grupi është një gjeni, në sfidën më të rëndësishme të karrierës së tij, MESSI. Ka humbur shume nga forca dhe shpejtësia (35 vjeç) por po shtrydh deri në pikën e fundit talentin e tij të madh. Deri dje ka funksionuar…
Kush do fitoje…? Në opinion Franca është favorite. Nuk të dashuron por, pa dyshim, është ekipi më i kompletuar dhe që më mirë ka luajtur. Di Stéfano thoshte: “Finalet nuk luhen, fitohen…!” Sa të drejte kishte, nga finalet kujtohet vetëm rezultati.