Eduard Dervishaj: 100 Vjet Klubi Sportiv “Flamurtari”

145
Sigal

Ka shumë forma për të zgjedhur klubin me të cilin do të lidhemi përjetë. Në përgjithësi kjo na ndodh që në fëmijëri. Në shumë raste lidhemi me klubin, që mbështet familja apo me atë që përfaqëson qytetin. Në ndonjë rast tjetër, kur sapo kemi filluar të ndjekim ndeshjet e futbollit, mbështesim ekipin fitues. Ka raste të tjera, veçanërisht në ditët e sotme, që lidhemi me një klub për një futbollist, i cili për cilësitë e tij bëhet idhulli, heroi ynë. Gjithashtu, ka dhe nga ata që lidhen me një klub thjesht për ngjyrat e fanellës. Në rastin tim do ishte një përzierje. Kisha ekipin tim të zemrës në Tirane, aty ku kisha lindur dhe jetoja, ‘Dinamon’. Por kisha dhe ekipin e familjes, “Flamurtarin” e Vlorës, aty ku do të merrte rrugë pasioni im për futbollin i ushqyer nga daja im, Beni. Benjamin Nelaj ishte një djalë i gjatë, i fuqishëm e i bukur. Filloi të luante futboll që fëmije në rrugët e lagjes së tij në Vlorë. Krahas futbollit i pëlqente të këndonte dhe të luante në kitarë çka bëri që në vitin 1958 të përfaqësonte Shqipërinë në një festival të këngës për të rinj të zhvilluar në Varna (Bullgari) ku fitoi dhe një çmim. Por loja magjike do të triumfonte mbi muzikën megjithëse kënga dhe kitarra do vazhdonin të ishin pasioni i tij. Në vitet 1959-60 dhe 1960-61 aktivizohet me ekipin e të rinjve të ”Flamurtarit” që është dhe nënkampion i Shqipërise.

Në vitin 1962 bëhet realitet ëndrra e tij, të luajë për ekipin e parë të “Flamurtarit” të Vlorës në pozicionin e qendërmbrojtësit (mbrojtës i lirë). Veshi fanellën e “Flamurtarit” dhe e mbajti atë me dinjitet për 15 vjet. Gjatë 13 viteve mbajti edhe shiritin e kapitenit të ekipit. Beni ishte i sjellshëm, fjalëpak dhe mjaft korrekt në marrëdhënie me shokët dhe trainerët. Ai gëzonte respektin e tyre dhe të publikut vlonjat. Në kohën e pushimeve të shkollës shkoja në Vlorë te gjyshja për të kaluar muajt e verës. Në ndonjë rast, në ditët kur ekipi stërvitej në stadium, Beni më merrte me vete. Për mua, ky ishte momenti më i bukur. Më bënte të harroja dhe plazhin që aq shumë më pëlqente. Në atë kohë nuk kishte makina private dhe të vetmet mjete transporti ishin autobusët urbanë ose biçikletat. Ai më ulte përpara, në hekurin e biçikletës, dhe niseshim për në stadiumin “Flamurtari” duke përshkruar gjithë gjatësinë e bulevardit të bukur Vlorë-Skelë i mbushur me lule, pemë portokalli dhe palma. Kjo ishte një tjetër kënaqësi e papërshkrueshme!

Ndërsa ekipi stërvitej, mua më jepnin një top dhe unë vrapoja i mrekulluar pas tij në pistën e stadiumit, i djersitur i tëri. Në fund, kur mbaronte stërvitja, punëtori i stadiumit, një njeri i mirë e që gjithnjë më përkëdhelte (nuk ia kujtoj emrin), u përgatiste futbollistëve nga një filxhan me çaj ndërsa mua më mbushte grushtet me sheqer. Dhe kjo ishte e gjitha! Sheqeri ishte e vetmja gjë që ai mund të më ofronte në stadium. Sa kënaqësi të madhe më jepte! Futbollistët më përkëdhelnin e më thërrisnin “nipçja”. Aty, në stadiumin “Flamurtari”, pata fatin të njihja mjeshtrin e madh të futbollit vlonjat Mexhit Haxhiu, sulmuesit e shkëlqyer Koto Zile e Spiro Çurri, vëllezërit Nako e Raqi Saraçi, Kastriot Çelën, Bardhyl Tetovën (Yle)…etj, si dhe shoferin e autobusit të ekipit, Jani Xanina. Po aty në Vlorë, te xhamia në qendër të qytetit (që ishte kthyer në atelie për piktorët), Beni më stampoi në një nga bluzat e mia numrin dhe stemën e “Flamurtarit”. I kërkova numrin 3, atë që ai mbante zyrtarisht me “Flamurtarin”. Ajo bluzë m’u bë gjëja më e shtrenjtë dhe e ruaja me fanatizëm.

Vishej vetëm kur luanim me shokët, në ato ditë të nxehta të verës, në oborrin e kinoteatrit në Vlorë. Në ato pasdite të bukura vere në stadiumin “Flamurtari”, do të më lindte pasioni i madh për futbollin. Kujtoj atë ditë maji të vitit 1977 kur Beni u largua nga futbolli dhe në një ceremoni të bukur i dorëzoi bluzën me numrin 3 futbollistit të ri të talentuar dhe gjimnazistit të shkëlqyer Kreshnik Çipi. Këtu nuk mund të rri pa përmendur ekipin e mrekullueshëm të “Flamurtarit” të viteve ‘80 me Kreshnikun kapiten të tij (shumica e tyre miq të mi). Ai së bashku me Vasil Rucin, Fred Ferkon, Latif Gjondedën, Fred Ziajin, Petro Rucin, Rrapo Tahon, Përparim Lushajn, Sokol Kushtën, Agim Bubeqin, Eqerem Memushin, Land Iljadhin, Vasillaq Ziun, Viktor Daullja, Anesti Arapin, Luan Birçen etj., ishin pjesë e brezit të artë të futbollit vlonjat. Nën drejtimin e trajnerit inteligjent Leonidha Çurri (ish-futbollist shumë i talentuar) dhe ndihmësit të tij Skënder Elmazi, ata shënuan një nga kulmet e historisë së futbollit shqiptar. Karakteristikë e atij ekipi ishte marrja e kontrollit dhe iniciativës së lojës nëpërmjet zotërimit dhe qarkullimit të shpejtë të topit. Falë nivelit të lartë teknik të shumë futbollistëve, organizimi i lojës si asnjëherë tjetër më parë, fillonte nga mbrojtja.

Me lëvizjet e vazhdueshme taktike të futbollistëve si dhe me pasimet cilësore mbërrinin me shumë rrezikshmëri në fazën sulmuese. Kontributi i këtij “Flamurtari” është i madh e i pamohueshëm dhe mund të them se ky ekip bëri kapërcimin drejt modernizimit të futbollit tonë. Pavarësisht nga kundërshtarët me të cilët ndesheshin, ata ishin besnikë të filozofisë së tyre të lojës. Për këtë arsye futbolli i bukur që shpalosnin do të pasuronte historinë e futbollit shqiptar edhe në garat ndërkombëtare. Ata vendosën një rekord për kohën, duke arritur të luajnë në turin e tretë të Kupës UEFA! Një garë shumë e vështirë në atë periudhë. Kanë mbetur të paharruara për sportdashësit dy ndeshjet e zhvilluara në Vlorë kundër FC “Barcelonës” (ndeshja e parë barazim 1-1 dhe të dytën Flamurtari e fiton 1-0) si dhe ndeshjet kundër “Partizanit” të Beogradit, në radhët e të cilit luante një nga futbollistët më të famshëm shqiptarë, Fadil Vokrri (fitore, në Vlorë 2-0 dhe humbje në Beograd 1-2). Në datën 23 mars të këtij viti Klubi Sportiv “Flamurtari” ka ditëlindjen, mbush 100 vjeç! 100 vjet histori dhe traditë, një nga institucionet sportive më të vjetra të vendit, një nga 6 klubet, të cilat në vitin 1930 themeluan Kampionatin Kombëtar të Futbollit, vit që përkon dhe me edicionin e parë të tij. Por Klubi Sportiv “Flamurtari” nuk është vetëm futbolli. Ai është një institucion sportiv i shquar në të gjitha disiplinat sportive nga rradhët e të cilave kanë dalë disa nga sportistët më të shquar të vendit. Përgjatë një shekulli Klubi ka qenë gjithmonq një pjesë e rëndësishme e jetës së qytetit, pjesë e kapitalit të tij simbolik, trashëgimisë emocionale dhe krenarisë së komunitetit. Një nga shenjat e identitetit të tij. 23 marsi është një moment historik për të festuar dhe uruar sportistët, trainerët, drejtuesit si dhe sportdashësit e zjarrtë vlonjat. Gëzuar 100 vjetorin “Flamurtar”!