E pabesueshme por e vërtetë! Trajnerin e Kombëtares e ka caktuar Edi Rama…

548
Sigal

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edy Reja, një njeri sa i mirë, aq edhe naiv, ka zbuluar në një intervistë për gazetën e njohur italiane, “Corriere dello Sport”, se Shkëlqesia e Tij i përndritur, Edi Rama, i ka shkuar në hotel dhe e  ka bindur të bëhet trajneri i Kombëtares së Shqipërisë.

Pasi dizenjoi si ja dha truri, fanellën e Kombëtares, pasi ndërtoi stadiumin me kullë brenda, pas torturave të shumta që u ka bërë futbollistëve në takime propagandistiko-promovuese,  më në fund,  shkëlqesia e tij, arriti kulmin, duke caktuar edhe trajnerin Reja.

Njoftohemi se pas ndërhyrjes së Edi tonë, për të caktuar Edy-n e Italisë trajner, i ashtuquajturi, sa për të larë gojën, presidenti Duka, që kryen vetëm shitjen me pakicë dhe shumicë të biletave dhe zgjidh problemet administrative të Federatës dhe cakton rezultatet e ndeshjeve, i ka telefonuar Edi Ramës dhe e ka përgëzuar për këtë vendim-emërim të rëndësishëm, që ai ka kryer.

Në intervistën e tij, të rëndësishme për gazetën italiane, Edy Reja, ka lëshuar edhe një lumë falenderimesh, për zotni Igli Taren.

“Igli ka më shumë njohuri, i mora parasysh vlerësimet e tij. Më duhet ta falënderoj, më ka dhënë një dorë që të vija te Shqipëria, ka thënë fjalë të mira për mua në Federatë dhe te Edi Rama”, thotë trajneri Reja në intervistë.

Edhe sot e kësaj dite edhe pse ka nisur punën në Shqipëri, Edy Reja, ende nuk e di se çfarë forme qeverisje ka ky vend i çuditshëm ku ka ardhur. Ai ende nuk po e kupton dot, çfarë sistemi dhe regjimi ka ky vend. Por, edhe pse nuk e kupton formën e regjimit, ai ka mundur të perceptojë, që çdo gjë në  Shqipëri, ndërtohet, realizohet, caktohet dhe shkatërrohet, nga Lideri Suprem, Edi Rama.

Në një takim, që Edy Reja, pati me ndihmësin e Presidentit Duka, zotin Nard Koka, ky i fundit i deklaroi:

– Mos u mundo të kuptosh shumë gjëra këtu, sepse e hup fare mendjen. Ne si popull kemi vendosur, që të gjitha gjërat në këtë vend, t’i bëjë Edi Rama. Fati ynë i madh, që drejtohemi nga një njeri që nuk lë hale pa trazuar…

Ja fragmente nga intervista e trajnerit Edy Reja: 

Si ju bindi Shqipëria? 
Presidenti Duka më telefonoi dhe më pyeti për plane duke më thënë se isha i nevojshëm nëse do të isha i lirë. Biseduam për këtë, dhe pashë ndeshjen me Turqinë. Unë shkova rastësisht, më duhej të shkruaja disa raporte në lidhje me futbollistët që po ndiqeshin nga Napoli dhe Atalanta. Më telefonoi gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama. E takova atë në hotelin tim pranë “Ponte Milvio”-s, ai erdhi për të parë Lacion, është tifoz i madh i Juventusit. Më kishte thirrur që të më bindte.

Çfarë të kërkuan?

Të bëja mirë, të provojmë kualifikimin për në Euro2020. Përjashto Francën, mendoj se mund të jemi konkurrues më të gjithë, përfshi këtu edhe Turqinë. Do të provojmë gjithçka, respekt për të gjithë, frikë askënd. Kam folur me lojtarët janë të vetëdijshëm. Më duket se ka hormoni. Kur zbresin në fushë janë krenar. E ndjejnë Kombëtaren që përfaqësojnë, disa herë janë aq shumë të karikuar sa duket sikur do dalin nga binarët, edhe në stërvitje.

Çfarë i ka premtuar Reja tifozëve dhe shqiptarëve?

Impenjim total, shpirt sakrifice dhe shumë vuajtje. Besoj shumë te grupi. Ka cilësi, nëse arrijmë të nxjerrim 100% besoj se do të marrim kënaqësi. Europa është një ëndërr, por nëse dëshirojmë që ëndrrat të bëhen realitet duhet të besojmë, vetëm një gjë e pengon të realizohet, frika, nuk duhet të kemi dyshime.

A po të ndihmon Tare?

Po, sigurisht. Ma ka ndihmuar shumë, kemi folur për lojtarët, kemi lëvizur nëpër europë për ti parë, Igli ka më shumë njohuri, i mora parasysh vlerësimet e tij. Më duhet ta falënderoj, më ka dhënë një dorë që të vija te Shqipëria, ka thënë fjalë të mira për mua në Federatë dhe te Edi Rama. Vetëm një peng kam nga Lazio. U largova në vitin 2012 pasi kisha bërë një punë të mirë duke ia shtruar tavolinën Petkovic.