Dyshimet e hetuesve, mafia shqiptare e përfshirë në kartonin e verdhë të Granit Xhakës

34
Sigal

Merr përmasa edhe më të mëdha skandali i basteve të jashtëligjshme, për të cilin Granit Xhaka akuzohet si i përfshirë pas kartonit të verdhë të marrë në ndeshjen ndaj Leeds në dhjetor. Hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimeve në Angli, kanë ngritur hipotezën se e përfshirë mund të jetë edhe mafia shqiptare.

Lajmi është bërë i ditur nga Daily Mail, që sipas burimeve pranë hetuesve, theksonte se dyshimet kanë lindur edhe nga përfshirja enjë ish-futbollisti me origjinë shqiptare me pasaportë suedeze. Gazeta britanike theksonte se episodi jo normal i 18 dhjetorit është marrë në shqyrtim nga agjencia e cila lufton krimin e organizuar.

Hetimi nisi pas basteve me vlerë 52 mijë paund, se Xhaka do të ndëshkohej me karton të verdhë në 10 minutat e fundit të lojës. Mesfushori me origjinë shqiptare u ndëshkua në minutën e 86-të, për vonesën e panevojshme në nisjen e një goditjeje dënimi, teksa rezultati ishte 4-1 në favor të Arsenalit dhe miqtë kishin kontrollin absolut të ndeshjes.

Xhaka qëndroi më tepër se 20 sekonda pa e lëvizur topin dhe gjyqtari nxorri kartonin e verdhë. Volumi kaq i madh i basteve për episode të caktuara vuri në lëvizje autoritetet, të cilat dyshojnë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Hetuesit zbuluan prova të basteve me shifra të mëdha në tregun e kripto-valutave, teksa pjesa më e madhe e aktivitetit u regjistrua në Shqipëri.

Agjencia Kombëtare e Krimeve zbuloi se i përfshirë është edhe Alban Jusufi, personazh që në vitin 2017 është dënuar me 5 vjet pezullim në Suedi për trukim të ndeshjeve. Ish-futbollisti që ka luajtur edhe me Vllazninë, ka vendosur shifra të mëdha në baste që Xhaka do të ndëshkohej.

Sipas mediave, ende nuk ka prova konkrete se 29-vjeçari Xhaka e ka bërë me qëllim veprimin dhe nuk është e qartë nëse ai është i përfshirë direkt në manipulim. Klubi i Arsenalit dhe Federata Angleze nuk kanë pranuar të shprehen, duke qenë se çështja është ende nën hetim.