Sigal

Boksieri Floyd Mayweather është një njeri që ka nuhatje të mirë për biznes dhe i tillë është edhe revanshi që ai ka planifikuar për të zhvilluar me fillipinasin Manny Pacquiao. Më 2 maj të vitit 2015, kjo sfidë gjeneroi 500 milionë dollarë fitime, me 4.6 milionë PPV (pay per view-paguaj për ta parë) të shitura anembanë botës. Shifra e rekorde këto ende të pathyera, ndaj dy boksierët vendosën pak ditë më parë të zhvillojnë edhe një përballje të dytë, që parashikohet të sjellë 200 milionë dollarë të ardhura për sportistët.

Por kanë lindur edhe dyshimet e para për këtë revansh, që Mayweather tha se do ta zhvillojë në dhjetor, pasi sfidat e boksit dhe të UFC-së të parashikuara që më parë për t’u organizuar në atë muaj janë të shumta (më 1 dhjetor është edhe sfida Wilder-Fury për titullin kampion në peshat e rënda). Ndërkohë që, boksieri amerikan (50 fitore e asnjë humbje deri më tani në karrierë), ka deklaruar sot se do të jetë i pranishëm në dhjetor në Tokio (Japoni), në një event që e kishte planifikuar kohë më parë (nuk dihet data dhe nëse do të duelojë në ring apo jo).

Për pasojë, shanset që revanshi Mayweather-Pacquiao të zhvillohet këtë vit janë të ulta, ndërkohë që edhe janari është i zënë me evente të rëndësishme në sportet luftarake. Ndaj palët pritet që të zhvillojnë duelin e dytë mes tyre në pranverën e 2019-ës (Mayweather e fitoi sfidën e parë me vendim unanim të gjyqtarëve). Problem është se Pacquiao (60 fitore, 7 humbje e 2 barazime në karrierë), kampion bote në peshën “welter”, duhet të mbrojë titullin kampion që fitoi në korrik, ndaj mund të ngjitet në ring më herët dhe më pas të zhvillojë revanshin me Mayweather. Për parà dhe për 200 milionë dollarë të gjithë janë gati të sakrifikojnë gjithçka