Dossier/ Astrit Nallbani: “Xofi” i portës bardheblu, 1170 minuta i pamposhtur

153
DOSSIER/ Gardiani që e mbajti të paprekur rrjetën e portës së 17 Nëntorit, për 1170 minuta, “kampion” në trofetë si trajner
Nga Bedri ALIMEHMETI
E kush nuk e njeh “Xofin” e Tironës, portierin e talentuar të viteve 70-të, që ruajti portën bardheblu, në një moment tejet të vështirë për skuadrën kryeqytetase. Atëherë, kur sapo ishte larguar grupi i futbollistëve të “artë” të viteve 60-të, skuadra ishte rrezikuar seriozisht. Forma e shkëlqyer e Astritit, sidomos me pozicionalitetin e tij, si edhe rritja e lojës e të gjithë shokëve, bëri që shpejt KF “17 Nëntori” të ngjitej sërish në elitën e futbollit tonë. Në sezonin 1975-1976, shkëlqimi i Astritit ishte i jashtëzakonshëm. Në 13ndeshje radhazi, 7 të Kampionatit dhe 6 të Kupës së Shqipërisë, pra, 1170 minuta, ai nuk lejoi asnjë top tej vijës së portës.
Astrit Nallbani lindi në Tiranë, më 19 dhjetor 1954, në një familje tiranse të nderuar, të respektuar dhe me tradita. Njeri puntor, korrekt e i sjellshëm, që në vitin 1978 kreu studimet e larta në AEFS ”Vojo Kushi”, kur rruga e tij si futbollist kishte nisur herët, që në rrugicat e mëhallës, të cilat deri në ato kohë i kishin dhënë futbollit tiranas e atij shqiptar, aq shumë futbollistë. Gjithsesi, viti 1970 e gjeti atë në radhët e ekipit të të rinjve të KS ”17 Nëntori”, të drejtuar nga mjeshtrat Xhavit Demneri e Haxhi Arbana (Mema), me të cilin, në sezonin 1970-1971, u shpall kampion. Prej vitit 1972 e deri më 1983, si portier i parë i skuadrës bardheblu, fitoi kupat e Shqipërisë (1976, 1977) dhe, pas një pauze dymbëdhjetëvjeçare, titullin e lartë të kampionit kombëtar (1982). 
Ai ishte i suksesshëm edhe kur përfaqësoi skuadrën e tij të zemrës në aktivitetet e Kupës Ballkanike në përballjet ndaj skuadrave “AS Tergu Muresh” (Rumani), “Panonios” (Greqi), “Radniçki” (Mali Zi), etj.. Por, i paharruar në kujtesën e të gjithë futbolldashësve bardheblu ka mbetur ende edhe sot kualifikimi për në turin tjetër në Champions League, pasi eliminoi kampionen e Irlandës së Veriut “Linfild” në “Uindson Park” të Belfastit. Një arritje vërtet e bukur. Themi kështu sepse, pas këtij kualifikimi, skuadra kryeqytetase u rendit mes 16 skuadrave më të mira të kontinentit. Më saktë, bardheblutë e panë veten përkrah skuadrave më të mëdha të Europës si Liverpuli, Ajaksi i Amsterdamit, Reali i Madritit, Milani, Bajerni i Mynihut, etj., që deri në atë kohë nuk e kishte bërë asnjë ekip shqiptar. Por, edhe pse skuadra u ngjit në majën e futbollit europian, politika e kohës iu bë barrierë, duke mos e lejuar të ndeshej me një skuadër sovjetike, përballë së cilës e vendosi shorti.
Pas ndërprerjes së karrierës së tij si futbollist, Astriti iu përkushtua përgatitjes së portierëve të rinj. Këtë detyrë mjaft delikate e nisi fillimisht me ekipin e të rinjve të klubit të tij, për të kaluar më pas në sezonin 1993-1994 përfundimisht pranë ekipit të parë. Dhe këtë, Titi e kreu me shumë përkushtim e profesionalizëm shembullor në disa sezone me radhë. Dihet se gjatë kësaj kohe, KF “Tirona” ka vargëzuar 7 tituj kampionë: 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997, 1998-1999, 1999-2000, 2002-2003, 2004-2005 dhe 2008-2009, dhe 8 kupa të Shqipërisë: 1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006, 20011 dhe 2012, si edhe 10 Superkupa të Shqipërisë. Në këto arritje, sigurisht që është edhe mundi e djersa e Astrit Nallbanit, madje duhet theksuar se, në këto vite të një suksesi të pakrahasueshëm, thuajse në çdo edicion të kupave të Europës, KF ”Tirona” ka kaluar ture, e ku padyshim ka kontributin e tij edhe Astrit Nallbani, që prej shumë vitesh vazhdon të japë mësim në shkollën 9-vjeçare ”Lasgush Poradeci” tëTiranës.
Të veçanta nga jeta e Astrit Nallbanit
Nofka “Xofi”, që kur ishte maturant
Në atë kohë, që talenti i Astritit si portier po evidentohej gjithnjë e më shumë, Dino Xof “gardiani” i njohur i katërkëndorit të portës së Juventusit, e njëherësh të Italisë, po bënte epokë dhe qe shndërruar vërtet në legjendar, pa harruar se ndërkohë ishte padyshim një nga portierët më të mirë në Botë. Pikërisht në atë periudhë, Astriti ishte maturant në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe mësues të edukimit fizik kishte futbollistin e njohur të Tiranës së viteve 60-të Skënder Hyka, i cili krejt rastësisht gjatë një ore mësimi e thirri për herë të parë “Xofi”. “Dhe aq u desh – rrëfen Astriti – shokët që nga ai çast nisën të më thirrnin Xofi. Fillimisht ndihesha keq, më dukej sikur mburresha, por më pas u mësova”.
Mir Hima, ai që i prishi “agjërimin” 
“Nuk e harroj atë ditë – kujton Astriti – luhej ndeshja e dytë gjysmëfinale për Kupën e Shqipërisë më 1976, ndaj “Lokomotivës” së Durrësit. Takimin e parë në Durrës e patëm fituar ne 1-0, me gol të Kristofor Llambit. Atë ditë, në “Qemal Stafa” binte shi dhe terreni ishte shumë rrëshqitës. E theksoj këtë gjë, sepse për shkak të gjendjes së terrenit them unë, edhe pse ne kishim shënuar të parët, sulmuesi durrsak Mir Hima ma prishi “agjërimin” e gjatë prej 1170 minutash pa pësuar gol. Sa herë që takohemi, ai e kujton me keqardhje këtë fakt”.
“Dinastia Nallbani” në sport
Shabani, i ati i portierit Blendi Nallbani, ka luajtur futboll me Tiranën dhe me Dinamon e Shkodrës. Astriti, ose “Xofi” siç njihet, ka qenë portieri i Tiranës, padyshin ndër më të dalluarit. Ai mban titullin “Mjeshtër Sporti”, një përgatitës i shkëlqyer portierësh tek bardheblutë që nga viti 1993 deri më 2015. Madje, në këtë detyrë ka fituar 7 tituj kampionë, 8 Kupa dhe 10 Superkupa të Shqipërisë. Blendi Nallbani, padyshim një ndër “gardianët” më të shquar të portës në kampionatet tona. Ende pa i mbushuar 19 vjeç zbriti në “Uembi” në radhët e ekipit kombëtar. Mban titullin “Mjeshtër Sporti”, 8 herë kampion i vendit: 1 me Partizanin dhe 7 tituj me Tiranën, 4 Kupa e tre Superkupa. Aktualisht është drejtor i klubit sportiv Studenti, ndërsa Zyhdiu dhe Seiti, dy pjestarë të tjerë të fisit Nallbani, u shquan në vitet 60-të si atletë në pistat e vrapimeve.
Emri e mbiemri: Astrit Nallbani
Datëlindja: 19 dhjetor 1954
Vendlindja: Tiranë/ Roli: Portier
Arsimimi: Universiteti i Sporteve më 1988, diplomohet “mësues i edukimit fizik”
Skuadra ku ka luajtur: Ish-17 Nëntori 
Trofe të fituar si futbollist: Kampion me Tiranën një herë: në sezonin 1981-1982; dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë, më 1976 dhe 1977
Trofe si trajner: Kampion 7 tituj: 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997, 1998-1999, 1999-2000, 2002-2003, 2004-2005 dhe 2008-2009; Fitues i Kupës së Shqipërisë 8 herë: 1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006, 20011 dhe 2012
Sigal