Disfata është etapa e parë drejt suksesit, fryma e skuadrës është vlera e shtuar

522
Nga Agron KAJA
XHANI DE BIAZI/ Ja pse trajneri i kombëtares sonë të futbollit, me “kodin” e komunikimit, tërhoqi shumë kureshtjen në Konferencën Ballkanike për Sportin
Jam shumë i nderuar që jam këtu në mes jush, në kuadër të kësaj Konference, dhe do të përpiqem të bëj një rrugëtim të shpejtë të eksperiencës time me Kombëtaren. Kur në vitin e mëparshëm të 2011-ës u kontaktova nga FSHF-ja për këtë detyrë, fillimisht isha në dilemën e madhe, nëse duhej ta pranoja apo jo një sfidë të tillë. Por, sikundër shpesh më ka ndodhur në jetën time profesionale, kam qenë i prirë dhe i tërhequr drejt sfidave, për të cilat shumica kishin idenë që ishin misione të pamundura. Në dy vitet e para si trajner i skuadrës kombëtare të futbollit, së bashku me bashkëpunëtorët e mi, u përqendruam fort në seleksionimin e lojtarëve, në krijimin e një skuadre që të kishte një unitet personaliteti, të një skuadre ndryshe, por me një filozofi të përbashkët. Kemi udhëtuar shumë për të takuar e për të folur me lojtarë të rinj, për ti shpjeguar atyre projektin tonë, për të kuptuar prej tyre se sa mund ti përfshinim ata në këtë projekt, dhe rolin që duhej ti jepnim atyre në skuadër. Në këtë mënyrë, duhej të hynim brenda kësaj situate të re, të kuptonim vlerën e gjithsecilit, mentalitetin e tyre, ambiciet dhe ëndrrat e tyre. Në 29 shkurt të vitit 2012, në kuadër të ndeshjes tonë të parë, miqësores në Tbilisi të Gjeorgjisë, pa u parë me njeri-tjetrin më përpara, realizova në atë kohë këtë bisedë me skuadrën: “Atëherë djem, që nga ky moment nis një jetë e re. Nuk është e rëndësishme si dhe sa kohë kemi punuar së bashku, sepse ajo që ka shumë rëndësi sot dhe që nga ky moment, ne do të hedhim bazat për tu bërë të mëdhenj! Me një mënyrë të re të të qenit dhe të të menduarit, që askush prej jush e ka mësuar më parë, një mënyrë të qeni që askush nuk ju ka parë. Nga dita e sotme, me mua do të keni vetëm një mundësi: Të dilni nga dhomat e zhveshjes dhe të bëheni në mëdhenj! Mjafton pak, mjafton të duash. Ajo që do t’ju bëj të arrini në këtë pikë, më besoni, është sjellja që do të përcillni në çdo minutë në punën tuaj në fushë, gjatë stërvitjeve, në mbledhjet dhe analizat teknike, si dhe gjatë ndeshjeve. Dhe nëse do t’ia dilni, në sytë tuaj do të duket një dritë speciale që do ta hasni shpesh, dhe që do të ketë vetëdijën që nuk do të dilni fitues. Dhe, edhe përballë një disfate nuk do të mungojë kurrë sjellja juaj, dhe njëherësh bindja e mos qenit inferiorë ndaj askujt, të gatshëm për të djersitur dhe për të qarë për fanellën që mbani veshur, për shokun që keni në krah. Dhe pas kësaj, jam shumë i bindur që në këtë frymë do të vijnë edhe fitoret e mëdha, sepse disfata është etapa e parë drejt suksesit. Dhe ne do t’ia dalim, për këtë rrini të qetë, sepse është një diferencë e dukshme mes meje dhe paraardhësit tim që ju ka stërvitur më parë, fakti që unë: Kam shumë Besim te Ju. Mund të jeni të parët që mund të arrini një kualifikim dhe të hyni në historinë e këtij kombi, të vendit tuaj, të vendit të nënave dhe baballarëve tuaj, një komb që tashmë e ndiej edhe timin. Dhe kur një ditë të ktheheni në shtëpi, do të jeni të respektuar përgjithmonë, do të flasin për ju, për vitin kur askush nuk besonte te ju, dhe për atë moment kur trajneri juaj bëri atë diskutim të shkurtër me ju dhe që ai vetë duke besuar në kualitetet tuaja, ia doli që të transmetonte të gjithë talentin tuaj në fushë. Jeni të gjithë të rritur, bëni punën më të bukur në botë, luani futboll, dhe në këtë mënyrë ka ardhur momenti që të merrni fatet e jetës suaj në dorë. Dhe nuk ka gjë tjetër më të thjeshtë, mjafton të zbresësh në fushë, të godasësh topin dhe të shënosh një gol më shumë se kundërshtari juaj. Më besoni që, është kaq e thjeshtë, dhe që prej ditës së sotme duhet të jeni të bindur me veten tuaj që mund ta bëni”.  
Unë luaj-Ne luajmë e luftojmë-Unë fitoj- NE fitojmë!
Futbollistët shqiptarë të së kaluarës kanë pasur cilësi të shkëlqyera, akoma më tej, do të thosha që Shqipëria në vitet 1990-2000 ka pasur një grup lojtarësh realisht të talentuar. Ndoshta i ka munguar “diçka” për të arritur atë që një seleksionim i lojtarëve të mirë, të shndërrohej në një skuadër shumë të mirë. Besoj që, një nga arsyet se pse nuk u bë kjo skuadër në ato vite, nëse do ta përkufizoja kështu, ka qenë

 fakti i të menduarit në atë kohë më shumë te interesat personale, se sa te interesi i skuadrës. Pra, është menduar më shumë tek sinonimi “UNË” se sa te “NE”.

UNË luaj-NE luajmë e luftojmë, unë fitoj- NE fitojmë. Një tjetër aspekt ka qenë edhe vështirësia objektive e lidhur në atë kohë me izolimin e Shqipërisë me vendet e Perëndimit. 

UNË BESOJ TE JU!!!
Detyra e një trajneri, përjashto faktin e kompetencës në drejtim, është edhe përfshirja e lojtarëve që ai ka në skuadër, duke i ndihmuar ata që të japin më të mirën e tyre që kanë brenda vetes, duke rritur besimin dhe ambicien për atë që janë. Vështirësia për të bërë në një të vetme sportistë me karakteristika të spikatura teknike, por me personalitet, karakter dhe interes të ndryshëm.

Shumë herë vështirësitë lindin nga limitet humane, të cilat shpesh nuk merren në konsideratë apo nënvlerësohen, por që janë shkaqe të një mos-suksesi edhe për ekipe me peshë. Futbollistë me talent të madh mund të sforcohen edhe konsumohen më shumë se sa në faktin e të qenit dhe të bërit njësh me skuadrën. Ja pra, “të bësh skuadër”, të përcjellësh frymën e skuadrës, të bësh të ndiesh realisht edhe projektin që rrit ndjeshëm cilësitë e individit, këto janë faktorë që ju lejon të keni dhe të arrini një skuadër fituese. Kur them fituese, nuk i referohem vetëm rezultatit të një kampionati, apo një turneu, por e ka domethënien e saj te një grup i përbashkët pune, një skuadre kërkuesish, një skuadre futbolli, e cila nëpërmjet një organizimi, një strategjie dhe një identiteti i të menduarit, vazhdon në objektivin e saj.

Po ju përcjell këtu dy eksperiencat e mia të kaluara…

Kur vite të parë, asokohe te skuadra e Modenës, prej vitesh ky ekip ishte në Serinë C italiane. Një qytet dhe një klub të zhgënjyer prej vitesh nga dështimet e pësuara. Investime shumë të rëndësishme që nuk korresponduan asnjëherë me rezultatet dhe pritshmëritë e ekipit. Vendosa në atë kohë që të ndryshoj strategji. U fokusova tek të rinjtë, me dëshirën për të dhënë të gjithën në fushë, dhe që u seleksionuan prej meje drejtpërdrejtë. Në atë vit fituam Kampionatin e Serisë C, një vit më vonë fituam Serinë B dhe fituam të drejtën që në vetëm dy vjet të ishim në elitën e futbollit italian, në Serinë A. Një tjetër moment: Dy vjet pasi presidenti i Torinos, Urbano Cairo, shpëtoi nga falimenti shoqërinë, ishim në gusht. Skuadra ishte e tëra për t’u ribërë, dhe unë së bashku me stafin bëmë në harkun e 15 ditëve seleksionimin e të gjithë lojtarëve, pa merkato, dhe po në 15 ditë i trajnuam me intensitet dhe dedikim, duke fituar kështu Serinë A.

Cilët ishin faktorët dominues të këtij kapërcimi të suksesshëm? 1. Dhënia e besimit lojtarëve, që ishin pak të njohur në famën e tyre në futbollin italian. 2. Një projekt teknik që bazohej tek loja e organizuar, e shpejtë dhe agresive. 3. Kompaktësia e grupit. 4. Fryma e skuadrës

Në 25 vite të profesionit tim si trajner, kam bazuar punën time në këto koncepte, për të ndërtuar një grup. një skuadër:1. Kompetencë; 2. Organizim; 3. Bashkëpunim; 4. Optimizëm kohor; Frymë e skuadrës. Dhe pikërisht, fryma e skuadrës ishte edhe vlera e shtuar.

Pamundësia e përballjes me pjesën tjetër të futbollit evropian, nuk i ka dhënë mundësi lojtarëve të kësaj periudhe të maturonin eksperiencat e tyre shumë të rëndësishme drejt një rritjeje konstante, duke izoluar në këtë mënyrë për rrjedhojë edhe teknikët nga përballja me përvojat e shkollave të tjera të futbollit evropian. Një tjetër faktor që kam ndeshur gjatë këtyre viteve, ka qenë edhe ai i amplifikimit euforik pas arritjes së një fitoreje le të themi, por më pas, duke u sforcuar dhe lodhur shumë në fokusimin drejt suksesit tjetër. Pra, kënaqeshim me një rezultat minimal, kënaqeshim me atë që kishim arritur për momentin, por që ishte pjesa aspak e përshtatshme drejt mos-sukseseve të ardhshme. Shpesh, për të justifikuar edhe vështirësitë, mungesa e arritjes së objektivit i ngarkojmë të gjithëve alibi të mundshme, si: Mungesën e fatit, merkaton e paplotë, forcën dhe peshën e futbollit ndërkombëtar, apo edhe frazën që shpesh kemi dëgjuar që: shokët e tjerë të skuadrës mund të kishin bërë shumë më tepër në fushë”. Provoni që për një moment të analizoni edhe jetën tuaj të punës, përvojën tuaj brenda punës suaj të përditshme, dhe s’mund të më thoni që më shumë se në një rast nuk keni arsyetuar ne një mënyrë të tillë, duke kërkuar alibi apo justifikime. Apo jo? Unë besoj se, nëse një skuadër kërkon realisht që të arrijë objektivat e saj, përtej të gjithave, duhet që më parë të ketë një objektiv të qartë, ta ndajë dhe të bashkëpunojë deri në arritjen e saj. Vështirësitë për të menaxhuar dhe motivuar në të njëjtën mënyrë protagonistët dhe faktorët në skuadër, janë nga gjërat më komplekse me të cilat duhesh të përballesh, dhe do të përballesh brenda një skuadre. Sepse duke qenë një punë, subjekt i vazhdueshëm i vëmendjes mediatike, mund të çojë në rritjen e vështirësive për ta menaxhuar këtë situatë. Brenda një skuadre ka role të ndryshme, secili me karakteristika precize, thelbësore, të veçanta, por që duhet të bëhen bashkë të lidhura me të njëjtat parametra si pjesa tjetër e ekipit. 
Trajnimi me talentet BIO, si Baxho e Tomazi
Unë kam pasur fatin të trajnoj një talent BIO si Roberto Baxhio, të gjithë e njihni këtë emër mjaftueshëm. Një lojtar fantastik, i cili me aftësitë e tij mund të ndryshonte në çdo moment fatet e një ndeshjeje. Dhe cila ishte cilësia e tij më e mirë si lojtar? Përulësia! Kishte gjithmonë një fjalë të mirë për shokun e tij të skuadrës dhe gjithmonë në mënyrë konstruktive, dhe ishte gjithmonë në dispozicion të skuadrës. Një tjetër njeri dhe futbollist i jashtëzakonshëm ishte Damiano Tommasi, një shembull ku tregonte faktin se si me vullnet, me impenjim e seriozitet, mund të arrihen objektiva të paimagjinueshëm dhe për shumë njerëz, edhe të pamundshëm. Dhe që të dy ata, në mënyrën dhe profilin e tyre janë njerëz-ekipi, ku secili me karakteristika të veçanta, secili prej tyre me një rol preciz në skuadër. 
Gjithmonë kam pasur dhe kam bindjen që, për të provuar e për të arritur objektivat që na paraprijnë në jetën tonë, duhet të kemi idetë dhe mënyrën për t’i arritur ato. Secili me cilësitë përkatëse, me karakteristikat e tij, dhe me vetitë e tij. Ajo që nuk duhet të mungojë kurrë është kurajë, dëshira për të qenë aktiv në çdo fushë në të cilat jemi thirrur për të punuar dhe për të dhënë më të mirën tonë. Talenti që gjendet brenda gjithsecilit prej nesh, duhet të trajnohet dhe të gjejë evolucionin e tij natyral për të jetuar të përditshmen tonë
Sigal