KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit shqiptar, Mjeshtri i Madh Dhimitër Xhambazi, analizon ecurinë e kampionatit
Agron KAJA

Kur bisedon me Dhimitër Xhambazin, një nga Ikonat e historisë së futbollit korçar dhe atij shqiptar, saktësia e tij në gjithçka shprehet, ta jep idenë se e njeh mirë dhe e ndjek ritmikën e Kategorisë së Parë, ku skuadra e tij e zëmrës Skënderbeu, kryeson në këtë sezon. Dje për gazetën “Telegraf”, Mjeshtri i Madh Dhimitër Xhambazin, u shpreh se me 21 golat e shënuar në javën e 19-të, është një mesatare e mirë. “Në këtë javë u shënuan 21 gola, dhe nëse do t’i referohemi rezultateve, vetëm në tre ndeshje u shënuan 15 gola. Gjithsesi, me 21 gola dhe me mesataren gati 3.5 gola për ndeshje, them se është një mesatare e mirë. Kjo tregon se skuadrat tashmë janë të orientuara në shënimin e golave, duke mos pritur që të kapin pikët edhe pa shënimin e golit. Nëse këtë javë do ta analizonim teknikisht, natyrisht që shënimi i golit mbetet treguesi më pozitiv”, kështu e nisi dje bisedën Mjeshtri i Madh Dhimitër Xhambazi, i cili në analizën e tij për Kategorinë e Parë në tërësi, por me objekt javën e 19-të shprehet se me rezultatet që u arritën, lufta për vënde në renditje do bëhet edhe më e fortë. “Këtë javë kishim disa rezultate të thella me përmbysje në transferta, ku Skënderbeu fitoi ndaj Besës 2-3, Pogradeci ndaj Kastriotit 2-4. Kanë qënë rezultate deçizive, fitore rikonfirmimi për kreun, këtu edhe Laçi që e fitoi sfidën në Burrel. Unë mendoj se Pogradeci është ekipi surprizë në luftën për kreun e renditjes, edhe pse në sezonin e kaluar ai u ndal në Play-off për ngjitje në Superiore”. Por referuar renditjes aktuale, njëherësh duke parë se janë tre ndeshje deri në mbylljen e fazës së dytë, specialisti i futbollit Dhimitër Xhambazi shprehet se skuadrat janë të pozicionuara në renditje për atë që kanë dhënë në fushën e lojës në këto 19 javë të luajtura. “Me këtë renditje, unë mendoj se skuadrat janë në vëndet që kanë merituar, por Apolonia dhe Luftëtari më bëjnë përshtypje për ecurinë jo të mirë, sepse duhet të ishin më sipër në renditje. Ka një shkpëutje të skuadrave nga vëndi i 1-rë në vëndin e 6-të, të cilat do nxjerrin dy të parat që do ngjiten direkt në Abissnet Superiore, si dhe katër skuadrat që do luajnë Play-off mes tyre. Skuadrat e tjera mund të lëvizin në renditje, përveç Kukësit. Sepse me 9 pikë e ka të pa mundur të ngjitet më sipër nga vëndi i 12-të. Ndërkohë që ky Skënderbe do ta ketë të sigurtë ngjitjen në Abissnet Superiore”, ishte kjo biseda me Mjeshtrin e Madh të futbollit shqiptar, Dhimitër Xhambazi.
LEGJIONARËT
Kristjan Asllani në ajër, refuzon edhe sirenat turke

Jemi në javën e fundit të periudhës zyrtare të merkato së dimrit dhe në këto pak ditë e ardhmja e mesfushorit të Kombëtares Kristjan Asllanit vazhdon të “ziejë” në Itali duke qëndruar pezull. Sipas “Tuttosport”, 23-vjeçari shqiptar e ka refuzuar kalimin te Beshiktashi në Turqi, pavarësisht se gjigandët e Stambollit kishin interesim të madh për shërbimet e tij. Më tej, “Tuttsport” vijon se Asllani ka vetëm një qëllim, qëndrimin në Itali, sikurse huazimin te Bologna. Trajneri Vincenzo Italiano i vlerëson tej mase aftësitë e tij, ndërsa shanset që ai të vijojë qëndrimin te Torino apo Interi, janë thuajse zero. Pas 22 javësh në Serie A, Bologna mban vendin e 8-të me 30 pikë dhe për Asllanin mbetet opsioni final.
Paraqitje pozitive të futbollistëve kuqezi në Europë

Në javën e kaluar, vijuan paraqitjet pozitive të futbollistëve kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre në Europë. Kështu, Ylber Ramadani ishte protagonist absolut me Leçe-n në përballjen ndaj Lazios, 0-0 dhe në përfundim të takimit u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Arber Hoxha në Europa Ligë ku kontribuoi me asistent në fitoren e thellë 4-1 të Dinamo Zagreb ndaj FCSB. Kontribut vendimtar dha edhe Arbnor Muja me St. Truiden ndërsa lajm pozitiv për Kombëtaren ishte edhe rikthimi i Nedim Bajramit nga dëmtimi. Titullarë me klubet e tyre këtë javë ishin gjithashtu edhe Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Qazim Laçi dhe Armando Broja në Premierligën angleze.
Kryendeshja Besa-Skënderbeu, Magani “qan dhuratën” për korçarët
Në javën e 19-të të Kategorisë së Parë, Besa-Skënderbeu 2-3 ishte edhe kryendeshje e kësaj jave. Kavajasit shënuan të parët në pjesën e parë, por në të dytën sikur ja dorëzuan fitoren korçarëve. Udhëhoqën deri në minutën e 56-të 2-1, por nuk e mbajtën “gjunjët” deri në fund, sepse shënuan, krijuan raste dhe mund ta kishin mbyllur fatin e takimit shumë herët. Por Skënderbeu shënoi dy golat e përmbysjes, dhe këtë trajneri Magani e quajti një “dhuratë” për korçarët.

KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e 20-të
E shtunë, 31 janar 2026
Iliria-Apolonia 13:30
Kukësi-Besa 13:30
Laçi-AF Luftëtari 13:30
Pogradeci-Korabi 13:30
Skënderbeu-Kastrioti 16:30
E dielë, 1 shkurt 2026
Lushnja-Burreli 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 19 44
2.Laçi 19 39
3.Pogradeci 19 36
4.Kastrioti 19 27
5.Burreli 19 26
6.Besa 19 24
7.Korabi 19 23
8.Apolonia 19 23
9.Iliria 19 22
10.Lushnja 19 20
11.AF Luftëtari 19 15
12.Kukësi 19 9
Arlind Kalaja kthehet në Shkodër, e ka joshur Shiroka
Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe disa skuadrave të tjera në futbollin shqiptar, Kukësi e Teuta, dje ka bërë befasinë në këtë merkato të janarit. Arlind Kalaja është rikthyer në Shqipëri e do të vazhdojë karrierën e tij te një ekip shkodran, Shirokë. Nga ana e tyre, drejtuesit e klubit shkodran e quajnë si një transferimin më të bujshëm të kësaj merkatoje, teksa do të mbajë veshur fanellën e skuadrës, që luan në Kategorinë e Dytë dhe ndodhet në Grupin A. Kalaja është një nga futbollistët më cilësorë që Shiroka do të ketë në ekip, pasi kujtojmë se në karrierën e tij ka pasur eksperienca edhe në Greqi e Suedi. Eksperienca e tij do ta ndihmojnë Shirokën drejt synimit për rezultate pozitive.





















