Dëmtimi i Canës tremb De Biazin

457
Sigal

Kapiteni i Kombëtares u dëmtua në ndeshjen e Lacios kundër Udinezes. Ka tërheqje muskulore

Kur kanë mbetur jo më shumë se dhjetë ditë nga ballafaqimi i rëndësishëm me Slloveninë (6 shtator), për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, është tepër i shqetësuar me gjendjen fizike të kapitenit Lorik Cana. Zëvendësimi i parakohshëm i mesfushorit të Lacios, në sfidën kundër Udinezes në javën e parë të Serisë A është një lajm i keq për të gjithë, sidomos për ambientin kuqezi. Kosovari 30-vjecar nuk doli në fushë në fillim të pjesës së dytë, për arsye dëmtimi. Mjeku i skuadrës së Lacios, Stefano Salvadori, duke folur për mediat italiane tha se, mbrojtësi shqiptar dyshohet se ka pësuar tërheqje muskulore. Cana është paraqitur këtë të Hënë në Formello, në qendrën stërvitore të Lacios ku ka qëndruar nën kujdesin e mjekëve, për të shmangur komplikacionet e mëtejshme në pulpë, ndërsa një përgjigje më e saktë për shkallën e dëmtimit do të merret pas rezonancën manjetike, e programuar për sot. “Për fat të keq, ka një dyshim për një tërheqje muskulore, nesër (sot) do të bëjmë rezonancën dhe do të dimë më shumë. Djaloshi (Cana) ka pasur dhimbje, dëmtimi është në një zonë të veçantë, pasi bëhet fjalë për bicepsin e jashtëm të pulpës. Nesër (sot) do të marrim përgjigje dhe më pas do të fiksojmë edhe kohën e rikuperimit”, – tha mjeku Stefano Salvadori për portalin italian “Lalazialita.it”, i afërt me klubin e Lacios. Zhvillimet në kampin lacial sa i përket dëmtimit të Canës i ndjek me shumë interes edhe trajneri i përfaqësueses kuqezi Xhan De Biazi, për të cilin mungesa e mundshme e kapitenit në transfertat me Slloveninë dhe Islandën, që do të zhvillohen me 6 dhe 10 Shtator në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2014, do t’i prishte shumë punë. Cana i mungoi Shqipërisë në sfidën e “Qemal Stafës” me Norvegjinë për arsye pezullimi, ndërsa në miqësoren me Armeninë, e fituar 2-0 nga kuqezinjtë, mbrojtësi I Lacios u aktivizua për një pjesë lojë. Për De Biazin tani do të jetë një sipërmarrje më vete të gjejë partnerin e Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes.

Tifozat “Kuq e zi”, gati të ndezin Lubjanën

 Gjithçka është gati për në 6 shtator, Tifozat “Kuq e Zi” tashmë kanë përfunduar me rezervimet e biletave dhe pritet të udhëtojnë nga të katërt anët e botës për të parë kombëtaren shqiptare në sfidën e rëndësishme kundër Sllovenisë, ku një rezultat pozitiv në Lubjanë do ti hapte rrugën Shqipërisë drejt Kupës së Botës ‘Brazil 2014’. Ndërkohë, pjesa tjetër e tifozëve që nuk arritën të sigurojnë një biletë stadiumi kanë filluar të organizohen brenda trojeve shqiptare në mënyra të tjera që të mbështesin ekipin e tyre. Ndeshja Slloveni–Shqipëri zhvillohet më datë 6 shtator ora 20.30.

Pajtim Kasami, i fyer nga reagimi i tifozëve shqiptarë

Pajtim Kasami, futbollisti shqiptar i Fulhamit dhe i Zvicrës U-21, ndihet i ofenduar pas sulmeve të shtypit shqiptar dhe tifozëve kuqezinj. Reagimi i lojtarit me origjinë nga shqiptarët e Maqedonisë, ka të bëjë me reagimin e tifozëve tanë pas intervistës së Kasamit për tabloidin zviceran “Blick”. Në fakt, deklarata e Kasamit kishin një nuancë përbuzëse, teksa ai tha se dëshiron të luajë për Zvicrën, mezi pret që të luajë në Tiranë kundër Shqipërisë, me të cilën do të luajë vetëm po nuk e mori Hicfeld, si dhe përmend faktin që ndihet i bezdisur nga interesimi i shqiptarëve në Londër, të cilët e pyesin se përse nuk luan me kombëtaren kuqezi. “Nuk do të luaj me Shqipërinë. Dua të luaj me Zvicrën. Kam pasur një bisedë të gjatë me Hicfeldin para pushimeve. Me Shqipërinë do të luaja vetëm nëse nuk jam në planet e Zvicrës. Do ishte mirë të luaja sa më shpejt me Zvicrën, që ky diskutim të mbyllet një herë e mirë”, propozoi Kasami përmes faqeve të “Blick”. 21-vjeçari i lindur në Strugë të Maqedonisë ka deklaruar për gazetën “Zhurnal” se është ndier i fyer nga sulmet, duke u justifikuar për zgjedhjen e tij vetëm me faktin se askush nga FSHF nuk e ka kontaktuar dhe trajneri i Shqipërisë nuk e ka thirrur ndonjëherë. “Është lehtë të sulmosh dikë dhe këtë po e bëjnë disa media shqiptare, por edhe disa fansa, mirëpo e vërteta qëndron diku tjetër. Unë asnjëherë nuk jam kontaktuar nga kryetari por as nga trajneri i kombëtares shqiptare. Pra, nëse ata dëshirojnë që të më kenë në ekip, do të duhej të më kërkojnë, kurse unë më pas do të vendos për të ardhmen time”, tha Kasami, i cili luan me Fulhamin në Angli.

 Trajneri Mirel Josa pret riaftësimin e plotë të kapitenit Bledi Shkëmbi, për sfidën kundër ukrainasve

 Skënderbeu, pa Pejiçin kundër Çernomoretsit

  Skënderbeu synon të bëhet skuadra e parë shqiptare, që do të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Humbja minimale 1-0 me Çernomoretsin në Odesa, në ndeshjen e parë në fazën “play-off” i jep shpresa kamionëve të Shqipërisë të përmbysin dizantazhin. Ndeshja e kthimit me Chernomotes Odesa, që do të zhvillohet më 29 Gusht në “Qemal Stafa”, por pritet me shumë interes nga opinion sportive në vend, pasi kampionët e Shqipërisë kanë shanse reale për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Europa Ligë, çka do të ishte një arritje e madhe për futbollin shqiptar. Në kampin korcar janë të vetëdijshëm që këto 90 minuta mund të shkruajnë historinë, ndaj vlerësimi për përballjen e dytë me ukrainasit është maksimal. Stafi teknik i kampionëve të Shqipërisë ka vendosur ta përgatisë këtë sfidë në qetësi të plotë, madje deri një ditë para ndeshjes do të ketë heshtje për shtyp. Tekniku tiranas duhet të bëjë disa rregullime në formacion, në funksion të një loje sulmuese, pasi Skënderbeut I duhet patjetër fitorja, madje me dy gola diferencë, nëse dëshiron të kualifikohet brenda 90 minutave. Lojtari kyç i ekipit korçar konsiderohet Bledi Shkëmbi, i cili mungoi në përballjen e parë për arsye dëmtimi. Trajneri Josa tha për mediat që, premisat janë për riaftësimin në kohë të kapitenit korçar, megjithëse është herët për të folur me siguri për praninë në fushë të 34-vjecarit. Ndryshime pritet të ketë edhe në repartin e sulmit, ku mungon kroati Pero Pejic. Ribaj mbetet zgjedhje e parë në këtë repart, por alternativa të tjera përkrah 23-vjecarit janë Morina, Abazi dhe Muzaka. Deri të enjten Josa do të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të bërë zgjedhjet e duhura, për t’i dhënë një tjetër autoritet futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Skënderbeu eliminoi në turin e parë të Ligës së Kampioneve, Neftçin e Azerbajxhanit, ndërsa në të dytin dështoi përballë Shahktar Karangdës nga Kazakistani, duke marrë pjesë kështu në fazën “play-off” të Ligës së Europës.

Liga e Europës

Faza “play-off”

22 gusht 2013

Çernomerts-Skënderbeu      1-0

29 gusht 2013

Skënderbeu-Çernomorets     20:00

Krasniqi: “Përmes Partizanit synoj Europën”

 Mbrojtësi prishtinas Besnik Krasniqi synon që nëpërmjet Partizanit të Tiranës të prek tapetet e “nxehta” evropiane.

Ish utbollisti i Prishtinës, gjatë kësaj verë është transferuar tek Partizani, bashkë me tre bashkëlojtarët e tij, Labinot Ibrahimin, Behar Maliqin dhe Mentor Mazrekajn. Krasniqi ka shfaqur formë të mirë në ndeshjet kontrolluese të klubit tiranas në prag të fillimit të sezonit të ri.  “Jam adaptuar mjaft mirë dhe besoj se me kalimin e kohës do të adaptohem edhe me mirë tek Partizani. Ambiciet e klubit janë të sigurojmë një vend që çon në Kupat e Evropës. Realisht përmes Partizanit dua të luajë në Evropë. Shpresoj se do të arrijmë objektivat e klubit në mënyrë që të dalim në Evropë”, tha Krasniqi. Ai shpreson se në sezonin e tij të parë tek Partizani do të bëjë më të mirë. Krasniqi thotë se është i përgatitur mirë dhe i gatshëm për sezonin e ri të garave.